Nga sot, Shqipëria është pjesë e zonës gjeografike të skemave të Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)

0
127

Bruksel, 21 nëntor 2024: Shqipëria, nga sot, është pjesë e zonës gjeografike të skemave të pagesave SEPA. Shqipëria, nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë (BSh), është angazhuar në përpjekje të konsiderueshme për përfarimin e rregulloreve dhe sistemeve kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Evropian (BE), duke u bërë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen zonës gjeografike SEPA, si parakusht për hyrjen në BE.

Si rezultat, të gjithë pjesëmarrësit ekzistues të skemës së Këshillit Evropian të Pagesave (KEP) do të mund të dërgojnë apo të marrin Transferta Krediti SEPA (SCT), Transferta Krediti të Shpejta (SCT Inst) dhe Debitime Direkte SEPA (SDD) nga dhe për pjesëmarrësit në skemat SCT, SCT Inst dhe SDD nga Shqipëria, kur institucionet e tyre financiare të aderojnë në këto skema.

Aderimi i institucioneve financiare shqiptare në skemat e pagesave SEPA, sipas kalendarit të KEP-it, do të mundësohet duke nisur nga muaji prill 2025, ndërsa KEP-i do të komunikojë në një moment të dytë datën e gatishmërisë operacionale (ORD) për ofruesit e shërbimeve të pagesave (OShP) që operojnë në Shqipëri.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, deklaroi se: “Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët  për t’u përafruar me standardet dhe parimet evropiane.  Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së”.

Giorgio Andreoli, Drejtor i Përgjithshëm i KEP-it, deklaroi se: “Përfshirja e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA është një progres i mëtejshëm për KEP-in, në përputhje me misionin e tij për të harmonizuar dhe integruar pagesat elektronike në nivel evropian”.