Nga Ndue Dedaj
Republikës i bien “brirët” bashkë me ato e gjedheve dhe nuk arrijnë t’i dalin më. Kjo është ndjesia që përftohet nga leximi i romanit alegorik të Marash Mirashit me titullin “Brirët” (“Botimet Fishta”, 2024). Një prozë moderne imagjinare, sureale që vjen nga pena e një poeti të dëshmuar si i tillë, i cili sidmos vitet e fundit e ka pasuruar ndjeshëm krijimtarinë e tij letrare.
Ndonëse është libri i parë në prozë i Marashit, autori ia ka arritë të na befasojë me një roman të guximshëm, ku përmes një fantazia të pakufishme shtjellohet një histori absurdi, që mund të ndodhë vetëm në republikën barirore të Babzistanit, që nuk është askund si realitet, por mund të haset kudo në shtetet me demokraci të brishtë. Autori me mjeshtri dhe imagjinatë ka krijuar gjithë infrastrukturën e kësaj republike, nga udhëheqja e saj e lartë, në krye të së cilës qendron Kryebariu autokrat, Barinjtë dhe Bareshat e nënshtruara të dikastereve, deri te mediat dhe paraja e republikës, babzindi. Kryeqyteti është Tirrvuli (nga tjerr lesh), që mund të jetë dhe Tirana, ku gjendet hierarkia e lartë e shtetit: Pallati i Barinjve, Këshilli i Lartë i Barinjve, Kushtetuta e Republikës Baritore, Babziland TV, Radio Babziland, Forumi Rinor i Brirëve, shkolla “Barinjtë e vegjël”, apo me tej kryeqytetit: Kilmondi, Kantoni i Maleve të Larta, Reçburgu etj. Tregues i një relievi gjeografik të absurdit është dhe makrotoponimia artistike e veprës: Babziland, Kismetistan, Tallavaland dhe Ibretistan, që seç të sjellin jehonën e largët të një Zululandi konician të një shekulli më parë.
Edhe pse është republikë demokratike baritore, Kryebariu është një sundimtar jetëgjatë që e ul vetëm sëmundja. Vijnë pastaj personazhet e tjerë servilë dhe të përulur: bariu i ribrirëzimit Benard Palmeti, baresha koordinatore e përgjithshme e brirëzimit Samanta, burri me kollare të shkurtër Riç Varfi dhe pushtet të madh (ndër më të skaliturit si karakter), bariu i shërbimeve të fshehta, baresha e dikasterit blegtoral, baresha e dikasterit të arsimit, kryeveterineri i republikës, ambasadori Albert Luigji, investitori strategjik Devis Mori etj., kush më shumë e kush më pak veprues. Piter Filipi konsiderohet si armik i regjimit, ndaj i merret toka pa shpërblim, edhe pse ai proteston çdo ditë për kthimin e saj, duke mbajtur në duar parullën “Riktheni pronën time”.
Fabula e rënies së brirëve të lopëve, si një fatkeqësi kombëtare dhe strategjia për ribrirëzimin e republikës, ideuar nga Kryebariu, i kanë dhënë dorë autorit të sëndërtojë nga e para një republikë “brirësh”, ku secili zyrtar i lartë i vë brirët tjetrit, kurse Kryebariu u vë brirët të gjithëve. Për këtë qëllim sillën me aeroplan, nga ferma e zotit Horatio, lopa dhe demi, Margita dhe Xhoni, që herë kalojnë në romanca, herë në stres e depresion, pasi nuk përshtaten dot në republikën ku i kanë sjellë, ngaqë nuk kanë shërbimin e duhur. Ato reagojnë me anë të “gjuhës” së tyre të pëllitjeve. E gjithë kinse përkujdesja e barinjve (qeveritarëve) është një farsë, për përfitim pushteti dhe të ardhurash të paligjshme.
Romani është një komedi e bukur sarkastike, ku autori ka ngjyrosur me humor çdo cep të telajos së tij romanore. Një parodi në të gjitha kohët, që të kujton socializmin dhe kryebariun e djeshëm që u vinte brirët të gjithë armiqve të klasës, kohën e sotme me korrupsion dhe “barinjtë” dhe “bareshat” e dikastereve që nuk pipëtijnë para “kryebariut” që udhëheq përmes unit. Por shtrihet dhe në të kaluarën e largët pasi kryebariu është një mbret që shkruan mbi përgamenë. “Na pri, Kryebari, na pri” është refreni i të gjithë romanit, i njerëzve të nënshtruar të tij. Romani nuk është doemos vetëm “shqiptar”, ai është po aq për realitete të ngjashme, ballkanike etj. Autori qëllimisht i ka shkrirë në një të gjithë kohërat, për t’i thënë lexuesit se pavarësisht ndryshimit të pushteteve, zakonet e keq-qeverisjes mbetën të pandryshuara në vende si Babzistani, ku babëzia për të përvetësuar gjithçka është qëllimi i vetëm i pushtetarëve të korruptuar.
Situatat e humorit, satirës, groteskut janë të shumta, si ajo e meshës së At Faustit, me kërkesën e qeverisë baritore, që të bjerë shi, pasi po thaheshin tokat e Kilmondit – ati shpirtëror u thoshte se lutjen kam unë, shiun e ka në dorë Zoti; pritja ceremoniale e demit dhe lopës në aeroport dhe më vonë turi shëtitës, propagandistik i dy kafshëve të ribrirëzimit nëpër shkolla e kantone të republikës, që rezultoi fatal për shëndetin e tyre. Romani kulmon me gjunjëzimin e pamëshirshëm nga Kryebariu, fillimisht të nëpunësit të lartë të shtetit Riç Varfit dhe ecja e tij këmbadoras në korridorin e qeverisë, pastaj e gjithë “tufës” së barinjve (qeveritarëve) të shndërruar në lopë me urdhër të tij, për çka ai iu ka prerë dhe kostumet dhe tashme ata ecin me këmbë e me duar. Ai ka mbajtur premtimin e tij, se nëse aksioni për ribrirëzimin e vendit do të dështonte, do të bënte ata përgjegjes duke i ndëshkuar me ngjitjen e brirëve në ballë secilit.
Autori e ka gdhendur figurën e Kryebariut, pa rënë në asnjë rast në patetikë, përkundrazi ai përvijohet përmes qendrimeve që mban, duke qenë gjithn jë i parashikueshëm. “Në Babziland ekziston një ligj i pashkruar, sipas të cilit askush dhe për asgjë, nuk mund të gëzohej më shumë se sa Kryebariu dhe nga ana tjetër, askush dhe për agjë, nuk mund të trishtohej apo hidhërohej më shumë se sa Vetë Ai”, shkruan autori, duke na lënë të kuptojmë se udhëheqësi absolut ishte ekuilibruesi / urdhëruesi i vetëm emocional i popullit të tij.
Kemi disa formulime gjuhësore funksionale, si: “puç antibrirë”, “garda me sfurqe”, “komonuellthi i qumështit, leshit e djathit”, emisioni televiziv “Dialog me brirë”, dekorata “Briri i Artë” etj. Mjaft kolirit i japin tekstit romanor vargjet rapsodike satirike të vjershëtorit Lym Vorba, që u thur lavde brirëve, Kryebariut, demit dhe lopës etj. Me ironi e sarkazëm autori ka përdorur dhe disa nga batudat politike të tranzicionit, si “keni për ta parë”, “horr bulevardi”, “lavire”, “tërmet, tërmet” etj. Ai herë pas here na shpie në studion televizive të çakërdisur të moderarorit Blind Kuku, në debatet pa bereqet të analistëve, ku duket se e vetmja gjë e saktë janë raportime nga terreni (stalla ku mbaheshin demi dhe lopa) të gazetares Kristinë Pamëshira, që kolegu i saj Tim David e propozon për çminin Pulitzer.
Vjen në fund rrënimi i sistemi autokrarik të Babzilandit, por, siç ironizon autori, jo për arsye të ngritjes së njerëzve kundër tij, por nga sëmundja (kapsllëku) që zë Kryebariun.
Marash Mirashi nuk rresht së kumtuari kundër depersonalizimit të individit, që është synimi i gjithë sunduesve, edhe atyre kinse modernë, kur ka heshtje kolektive, ulje të kokës, servilizëm dhe babëzi ndër zyrtarët e republikës.