Sali Berisha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për masat e sigurisë ndaj dy gazetarëve Hoxha dhe Qyno nga SPAK.
Berisha u pyet nga Ylli Rakipi se përse sulmoi Artan Hoxhën dhe mbrojti gazetarin Elton Qyno, kur ata kanë të njëjtën masë sigurie dhe a mos ndodh kjo për shkak se Hoxha ka qenë shumë kritikë ndaj Berishës.
Ish kryeministri deklaroi se gazetari Hoxha paguhej nga bandat dhe se posedon dokumenta për këtë, duke refuzuar insinuatën se po e sulmon, për shkak se ai është kritik.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Keni komentuar masat e sigurisë për Artan Hoxhën dhe Elton Qynon. Më bëri përshtypje, Qynon e mbrojtët por për Hoxhën lëshuat shumë akuza.
Sali Berisha: Qëndrimet e mia bazohen në dokumentat që unë disponoj. Në dokumentat e deritanishme, Elton Qyno, i pari gazetar i rrëmbyer nga organizata kriminale, SPAK-u i partisë, nuk kam parë në asnjë rast në asnjë vend, lidhje të tij me krimin. Elton Qyno, e vërteta është që ka publikuar në shërbim të madh të publikut, dokumenta të cilat implikojnë direkt Edi Ramën dhe ky ka qenë një guxim i merituar. Elton Qyno, në rgjistrimet që ka publikuar, ka dhënë në njëfarë mënyrë edhe çelësin për të kuptuar vrasjet shtëtërore dhe në çdo rrethanë rrëmbimi i tij ishte një akt anti-kushtetues dhe banditesk. Ju garantoj se dokumentin e parë që do të kisha që faktonte kompromentimin e tij nuk do të shprehesha në atë mënyrë. Vijmë te gazetari tjetër…
Ylli Rakipi: Gazetari tjetër (Artan Hoxha) është shumë kritik ndaj jush. Mos harrojmë materialin për 21 janarin që publikoi.
Sali Berisha: Po të hyj unë të bëj një analizë, ka njerëz më kritikë ndaj meje aty. Nuk mund të nisem nga kritika. Së pari njeriu i qytetëruar është njeri kritik, njeriu modern është njeri kritik. Secili ka të drejtë të ketë mendimet e tij rreth veprimeve të mija. Kështu ju garantoj se qëndrimi im në rastin konkret nuk ka asnjë lidhje me kritikat e tij dhe nuk mund të ketë.
Ylli Rakipi: Po çfarë keni ju konkretisht? Ju thoni për Bajrat, por arrestimet tani janë në Elbasan.
Sali Berisha: Të lutem, jam ish kryeministër. Gjatë periudhës time si kryeministër, lidhjet e tij me bandat dhe pagesat nga bandat ishin pjesë e informacioneve zyrtare.
Ylli Rakipi: I keni këto me dokument?
Sali Berisha: Është e vërtetë ajo që thoni se kam folur për Bajrat.
Ylli Rakipi: Nëse i keni patur informacionet dhe nuk keni operuar është problemi juaj.
Sali Berisha: Kemi operuar apo jo është çështje tjetër. Nëse lexon Metamorfozën dhe dosje të tjera, ai është paguar nga Bajri. Ka kryer detyra të ngarkuara nga Bajri. Janë në dosje. Janë të transkriptuara. Lidhur me bandën e Elbasanit, lidhjet janë shumë të vërteta por nuk janë kurrë më shumë se lidhjet e Taulant Ballës me bandën e Elbasanit. Asnjëri prej tyre që është arrestuar. Sot për bandën e Suel Çelës, nuk janë as një e dhjeta e lidhjeve të Taulant Ballës me bandën e Elbasanit dhe bandat e tjera.
Kështuqë marr proporcionin dhe për ta mbyllur, ishte një djalë i ri 23 vjeç që nuk është më, sepse një dorë e zezë i dha një plumb pas veshi. Ky djalë i ri i një familje të nderuar në Devoll, u ekzekutua me plumb pas veshi sepse kishte denoncuar tek gazetari që po flasim, parcelat e kanabisit, drejtorit të policisë. Kjo vrasje makabër nuk u hetua ndonjëherë.