Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujtoi me rastin e 145-vjetorit të lindjes historianin dhe politikanin e madh kroat, njërin prej themeluesve të albanologjisë, Milan Šufflay, (Milan Shuflaj). Lindi më 9 nëntor 1879, në Lepogllav të Kroacisë.
Qe ndër themeluesit e albanologjisë si dhe autor i të parit roman fantashkencor në letërsinë kroate. Ka botuar disa libra mbi botën arbërore, ku ka trajtuar mbi baza objektive dhe referenca dokumentesh figurën e Skënderbeut. Disa nga librat e tij kryesorë janë: “Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë”, “Shqipëria Mesjetare”, Biologjia e Fiseve të Popullit Shqiptar” etj. Edhe vepra tjetër letrare që shkroi, “Kostandin Balsha” është ndër romanet e para historike me tematikë shqiptare. Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus” të Tadija Smiçiklasit, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare.
Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllimi kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij dhe u bë arsyeja e vdekjes së tij. Ai u përndoq nga Mbretëria Jugosllave, më 19 shkurt 1931 e vrasin në pragun e shtëpisë së tij në Zagreb. Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” (Romë), “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia”, “Vullneti i Popullit” (Tiranë), etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Mid’had Frashëri, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L’Homme”, “Federation Universitaire Internationale”, etj.
NACIONALISTI KROAT
Milan Shufflaj u lind në gjirin e një familjeje të fisnikërisë së ulët, në Lepoglavë të Mbretërisë së KroaciSlavonisë, i biri i Augustin Shufflay (1847–190?), mësues, dhe Franciska Welle von Vorstern (1847–1910), një shvabe nga Osijeku. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”.
Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Österreichische Institut für Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, regjistron te Jireçeku “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat nuk ka arritur t’i përfundojë.
Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Shuflaj botoi në revista dhe gazeta të ndryshme një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën “Szazdok” boton dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të shekullit XI dhe XII, për Mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’ia bojkotojnë leksionet! Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit.
Së bashku me Talocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull: “Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die ortodoxe Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me pseudonimin Alba Limi. Në dhjetor të vitit 1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1925 boton studimin: “Srbi i Arbanasi, njihova simbioza u srednjem vijeku”. Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”.
Po këtë vit emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit. Për shkak se nuk kishte pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme.
VIZITA
Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Ainshtain.
Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin për të organizuar vrasjen e Milan Shuflajt më 18 shkurt të vitit 1931. Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë nga këto dorëshkrime mesa duket kanë humbur përgjithmonë, sepse nuk u gjendet ndonjë gjurmë. Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” (Romë), “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia”, “Vullneti i Popullit” (Tiranë) etj.
Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave, si: Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L’Homme”, “Federation Universitaire Internationale” etj. Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus” të Tadija Smiçiklasit, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare.
Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Milan Shuflajt dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me Ludvig Thallocin dhe Konstantin Jireçekun. Materialin e mbledhur dr. Shuflaj e sistemonte dhe e përcillte me komente të ndryshme, kështu që në të shumtën këto komente, paraqesin diskutime me vlerë të lartë shkencore dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Punën për përgatitjen e botimit të kësaj kryevepre e ka vazhduar edhe më tutje.