Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka nominuar gjeneral lejtënantin e pensionuar, Keith Kellogg, për të shërbyer si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe Rusinë.
Trump njoftoi të mërkurën në rrjetin e tij social, Truth Social, se e ka zgjedhur Kelloggin për këtë pozicion.
Kellogg, i cili ka qenë shef i stafit për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të Trumpit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe këshilltar i sigurisë kombëtare për ish-nënpresidentin Mike Pence, me gjasë do të luajë rol kyç në përpjekjet për ta zgjidhur luftën në Ukrainë.
SHBA-ja nuk ka tani për tani të dërguar të posaçëm për luftën në Ukrainë, Trump kishte shprehur interesim në të kaluarën për ta krijuar këtë pozitë.
Gjatë këtij muaji u raportua se Trump do të nominonte Richard Grenellin për këtë pozicion.
Në të kaluarën, Grenelli ka shërbyer si ambasador amerikan në Gjermani, më pas si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe si shef për inteligjencë kombëtare në mandatin e parë të Trumpit si president.
Përfundimi i shpejtë i luftës në Ukrainë ka qenë ndër zotimet kryesore të Trumpit gjatë fushatës presidenciale, edhe pse ai asnjëherë nuk ka shpjeguar se si do ta arrinte një gjë të tillë.
“Keith ka karrierë të shquar ushtarake dhe biznesore, duke përfshirë shërbimin në role shumë të ndjeshme të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës sime të parë”, tha Trump në rrjetin e tij social.
Kellogg ia ka paraqitur më parë Trumpit një plan për mënyrën se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Plani i Kellogg për t’i dhënë fund luftës, e cila filloi kur Rusia pushtoi territorin sovran të Ukrainës në shkurt 2022, përfshin ngrirjen e vijave të betejës në vendndodhjet e tyre të tanishme dhe detyrimin e Kievit dhe Moskës që të ulen në tryezën e negociatave, sipas Reuters./REL