Nga Shefqet Meko
Im At’ ishte partizan.
-Përulje ndaj Fitimtarëve dhe “zgjidhjes së tim Eti” në këtë 80-vjetor të Çlirimit-
Në këtë vigjilje jubilare të Çlirimit të Atdheut, nuk mund të hesht. 80-vjetori i Çlirimit të vendit tim, më bën të kthej kokën pas dhe të përulem ndaj Brezit që fitoi luftën.Ata ishin të rinj. Ishin ëndërrimtarë, idealistë dhe patriotë. Ata, bij shqiptarë, besonin se “Ditë të mira do vinë”.
U dehën nga gëzimi kur Atdheu u zgjua pa pushtues, pa gjermanë. I ndiej edhe tani në imagjinatën e pajetuar brohorimat e atij Nëntori 1944. Fitimtarët ishin romantikë idealistë, pasionantë dhe të vrullshëm.Ata ëndërronin Shqipërinë e re…
Im At’ ishte partizan.
Im At’ braktisi postën e xhandarmarisë në Borsh-Qeparo dhe doli malit partizan duke ju bashkuar së parin çetës së Mustafa Matohitit në Kurvelesh. I përulem kujtimit të tim Eti për zgjidhjen e drejtë në një kohë të turbullt. Puth me mall fotot përballë dhe belbëzoj: “Faleminderit Babai im që bëre zgjidhjen e duhur”. Ai mund të kishte gabuar, por nuk gaboi. Ai mund të kishte ikur me italainët, por nuk e bëri këtë.Mund t’u ishte bashkuar nacionalistëve, por me sa duket nuk e bindën.
Babai im ishte i mençur të nuhaste rrugën e drejtë që duhej ndjekur: luftën ndaj pushtuesit.
Sot që “jemi pushtuar” dhe kemi “pushtuar botën” shënimi im nuk kuptohet. Ai të duket lajthitje dhe çoroditje. Por nuk është i tillë për mua.
Nderimi ndaj të vërtetës historike duhet pohuar.
Të tjerët nuk ka pse revoltohen ndaj një shënimi të thjeshte që vjen si himn përkujtues për Babain tim, për tim At’, vetëm për Të, që kur kur i duhej shërbyer familjes veshi rrobën e xhandarit duke besuar se i shërbente edhe Atdheut. Kur bindi veten “flaku kapelen” dhe iku partizan. Luftoi me shokët e vet me besimin se ishte rruga e drejtë. Kërkoi të bëhej anëtar partie dhe “filloi karrierën”. Shërbeu në ushtrinë shqiptare pas Çlirimit në Përmet, Vlorë dhe Shkodër. E përjashtuan nga partia “për mungesë sinqeriteti” dhe ju bind “degdisjes në fshat”…Unë i kam rrëfyer të gjithë këto në biografinë time dhe “lutjet” ndaj pushtetit popullor për shkollë të lartë…Pata fat.
I’m At’ heshti ndaj zhgënjimit të madh, duke kryer me nder detyrat si pylltar në vendlindjen e vet e më vonë si “roje nate” në depot e dinamitit të minierës në Pretushë. Fati e ktheu në kryeqytet, ku edhe prehen eshtrat e Tij.
Të verbuarit nga urretja dhe “fati i hidhur” që nuk ua krijoi im At’, mund të më vërsulen si “këlysh partizani” etj., etj. Le të thonë çfarë të duan. E vërteta mbetet e vërtetë: Unë nderoj brezin e fitimtarëve përmes “shpërthimit tim” nga Amerika. Ata zgjodhën rrugën e duhur.
Ata që “nuk patën fatin tim” do vërsulen si çakej me fjalë dhe çoroditje, sepse e dinë janë të gabuar dhe mbrojnë “diçka të humbur”. Le të “zbresim në kohë” për të kuptuar të vërtetën.
Im At’ nuk vrau asnjë shqiptar, mbase as edhe ndonje gjerman, por shkrepi pushkën për liri. Ai vdiq “me duar të pastra”. Tjetër kush vrau nën “rason” e ideve komuniste. Tjetër kush jo, im At’, as partizanët e vërtetë. Jo. Vllavrasejen shqiptare nuk e shkaktoi “partizani i thjeshtë”, por dritshkurtësia e të tjerëve në atë kohë kakofonie…
Një hamendje që nuk është bërë: Po sikur të gjithë shqiptarët asaj kohe të ishin bashkuar në “Luftën për Çlirim”, siç dha një shpresë “Marrëveshja e Mukjes” apo tentative të tjera historike, a do të mund të kishte fituar atë pushtet absolut Partia Komuniste? Si mund të ishte Shqipëria?… Askush nuk flet për këtë hipotezë të mundshme, sepse përherë mbetemi kombi me “të zezën brënda”. E sotmja konfirmon “sherret” e përhershmë shqiptare për pushtet, atij pushteti që e ëndërrojnë partitë politike si finale të çdo gjëje, për të cilin bëhen “zhele” të gjithë politikanët kudo në botë.
Ndaj me krenari “puth” kujtimin e tim Eti. Nuk kam pse kërkoj t’u falje “të tjerëve”. Nuk është detyra ime. Çdo luftë e betejë, çdo përplasje “mes palësh” ka të humbur dhe të fituar, “të gëzuar dhe të dëshpëruar”, lotë e gëzim, sikurse ka “të gjallë dhe të vdekur”…Për fatin tonë, pushteti pas fitores, të vetmen rrugë mbijetese kishte dhunën, shpesh fatale dhe “diktaturën e proletariatit”.
E sotmja që jetoj më bën dyfish krenar për fitimtarët shqiptarë të brezit të Babait tim, që nënkupton edhe Babain Tënd, edhe “babain e komshiut”, Baballarët në veri dhe në jug, në lindje e perëndim të Atdheut tonë.Ata ditën të fitonin dhe nuk duhen viktimizuar se “si u manaxhua fitorja”…E tashmja që jetojmë, etja e njeriut për pushtet, që shfaqet në ekrane “lakuriq” dhe e përbindshme, makutëria për të dominuar, kontrolluar dhe “pushkatuar” kundërshtarin, në njëfarë mënyre “aminston” çdo gabim të mundshëm të fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore..
I përulem tim Eti si detyrim ndaj të vërtetës, e cila është përherë “në shinjestër” nga ligësia, injoranca, pragmatizmi feudal shqiptar dhe “maqineritë e paguara” mediatike…
Duke jetuar “eksperimentin Amerikan” nuk më çudit asgjë.Ndaj ashtu si amerikanët që të rënët dhe luftëtarët nuk i “tregëtojnë” kurrë, edhe Unë mbetem krenar me Babain Tim, dhe Babain Tënd.
Një detaj privat nga im at. Kurrë nuk tregonte se ku shkonte. Nëse nisej për Pogradec, atyre që e pyesnin u përgjigjej “Po shkoj në Korçë” dhe vice versa. Unë hidhja sytë me ndroje. Një ditë e pyeta: “Baba, pse nuk rrëfen të vërtetën? Pse gënjen? Ti thua mos gënjejmë…” Ai më ledhatoi dhe me dorën mbi kokën time më tha: “Keti, është taktikë, jo gënjeshtër. Lufta na mësoi taktikën. Ti mos gënje, por mos i rrëfe hasmit rrugën tënde”
Im At nuk ishte perfekt, por ishte i mrekullueshëm, ja siç jemi ne për fëmijët tanë! Ai u lind në Ditën e Krishtit, dhá shpirt në Ditën e Falnderimeve Amerikane dhe u varros në Ditën e Flamurit Shqiptar. Është koincidencë apo “bekim nga Zoti”?
Faleminderit që dole partizan, Babai im i dashur! Faleminderit nga Amerika !
Gëzuar 80 vjetorin e Çlirimit Shqipëri! Gëzuar Baba, nëse “më dëgjon”!!
Shefqet Meko
Minneapolis, Minnesota
Nëntor 2024