Protestat në Gjeorgji kanë hyrë në natën e tretë radhazi, me demonstruesit që kundërshtojnë vendimin e qeverisë për të ndërprerë negociatat e anëtarsimit në Bashkimin Euorpian.
‘CNN’ njofton se, sipas Ministrisë së Brendshme të Gjeorgjisë, më shumë se 100 demonstrues u arrestuan pas përplasjeve me policinë. Mediat ndërkombëtare raportojnë gjithashtu për dhunë nga ana e policisë ndaj protestuesve, të cilët ishin mbledhur para ndërtesës së parlamentit. Dhunë është ushtruar edhe ndaj punonjësve të medias, që po raportonin në lidhje me protestat.
Ndërkaq, siç shihet edhe në disa video që qarkullojnë online, demonstruesit kanë improvizuar mjete të ndryshme, me të cilat kanë sulmuar policinë. I tillë është edhe rasti në videon më poshtë, ku një demonstrues shihet të mbajë në duar një lloj ‘mitralozi’ të improvizuar me fishekzjarre, me të cilin ka goditur policinë.
“Ëndrra Gjeorgjiane”, partia që erdhi në pushtet nga zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit, pati një fitore të kontestueshme, e cila u interpretua si referendum në lidhje me aspiratat e vendit për integrim në BE. Opozita pretendon se procesi elektoral u manipulua me ndihmën e Rusisë, pasi sipas tyre, Moska synon ta mbajë Tbilisin në orbitën e vet.
Gjatë një interviste për ‘Associated Press’ të shtunën, presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili tha se vendi po kthehej thuajse plotësisht në një shtet rus dhe se partia “Ëndrra Gjeorgjiane” kontrollon institucionet më të rëndësishme të vendit.
Ndërkaq, njoftimi i qeverisë gjeorgjiane se do të pezullonte negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian erdhi pak orë pasi Parlamenti Europian aprovoi një rezolutë, e cila dënonte procesin elektoral të tetorit, duke e cilësuar atë si jo të lirë dhe të drejtë. Rezoluta deklraonte se zgjedhjet e tetorit përbënin një tjetër shfaqje të hapave pas që Gjeorgjia po bën përsa i përket demokracisë dhe për të cilat “partia në pushtet, ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, mban përgjegjësi të plotë.”