Kreu i PLL Shpëtim Axhami: I paharruar, burrështetasi i pa kompromis për çështjen kombëtare – Mbreti Leka

0
104

Nga Shpetim Axhami Kreu i PLL
Më 30 nëntor 2011, ndërroi jetë një figurë e ndritur e historisë shqiptare, Mbreti Leka I. Humbja e tij la një boshllëk të madh në zemrat e shqiptarëve dhe në rrugën e gjatë drejt çështjes kombëtare.

Mbreti Leka I ishte një burrështetas dhe politikan me vizion, i udhëhequr nga një karakter i fortë, një qetësi dhe mendjemprehtësi që e dallonin. Ai bashkëpunoi me kancelaritë më të rëndësishme politike e diplomatike ndërkombëtare, duke e mbështetur gjithnjë idealin e një Shqipërie etnike, demokratike dhe pa komunizëm.

Në çdo fjalim, takim politik, konferencë apo kuvend, Mbreti Leka I nuk mungoi të theksonte rëndësinë e çështjes së Kosovës. Ai e shihte pavarësinë e saj si një hap të rëndësishëm drejt bashkimit të trojeve etnike shqiptare, duke i dhënë zë aspiratave të kombit shqiptar.

Pas ndërrimit jetë të Mbretit Zog I, në vitin 1961, Mbreti Leka I bëri betimin si mbret para Asamblesë Shqiptare dhe Këshillit të Kurorës Mbretërore Shqiptare, duke shqiptuar këto fjalë:

“Unë, Leka i Parë, Mbret i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetin mbretëror, betohem para Zotit Fuqiplotë se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore, gjithashtu do të ruaj statutin dhe do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia na ndihmoftë.”

Nën moton “Paqe, Bashkim, Vllazërim”, Mbreti Leka I u shqua si një shembull i lartë frymëzimi dhe bashkimi për çdo shqiptar, duke e vënë interesin e kombit dhe atdheut mbi gjithçka.

Sot, ne shqiptarët përulemi me nderim dhe respekt përpara figurës së tij të ndritur. Kujtimi i Mbretit Leka I do të mbetet i paharruar në historinë e kombit tonë. Lavdi Mbretit Leka I! 🇦🇱