BallinaAktualitet“Ari shqiptar t’i kalojë bankës së Moskës”- Kërkesa e Enver Hoxhës për...

“Ari shqiptar t’i kalojë bankës së Moskës”- Kërkesa e Enver Hoxhës për Stalinin në 1949-ën! Pas refuzimit, ish-diktatori pakt me Hrushovin

spot_img
spot_img

NGA PROF.DR. ELMAS LECI/ Për arin shqiptar të Thesarit të Shtetit, së fundi nga Arkivi i Moskës doli në dritë një “letër interesante” e Enver Hoxhës e vitit 1949, që ia jep në dorë vetë Stalinit, atëherë kur Enver Hoxha ishte Kryeministër i Shqipërisë. Në fakt letra, që është një kërkesë e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit, ku i kërkon që ari shqiptar i Thesarit të Shtetit t’i kalonte Bankës së Moskës, nuk është gjendur si letër, por ekziston Proces Verbali apo Protokolli i ngjarjes e i takimit të Enver Hoxhës me Stalinin, ku ngjarja përshkruhet me saktësi se si Enver Hoxha i jep në dorë Stalinit një letër kërkesë ku sipas Proces Verbalit të mbajtur nga sovjetikët në atë takim po e riprodhoj:

“Në thesarin e shtetit tonë (shqiptar)- i shkruante Enver Hoxha Stalinit në atë “pusullë”- ndodhen aktualisht në monedha dhe në shufra një sasi e konsiderueshme ari dhe argjendi. Këto fonde të rëndësishme, që përbëjnë një pasuri të madhe për popullin tonë, dëshirojmë t’i sigurojmë nga çdo rrezik. Prandaj, vijmë te Ju t’ju lutemi që të pranoni kërkesën tonë, që lejon arin dhe argjendin ta transferojmë dhe ta depozitojmë në bankën e Moskës. Kjo do të jetë një ndihmë tjetër e madhe, që do t’i bëhet nga qeveria sovjetike popullit shqiptar, i cili do të jetë shumë mirënjohës dhe do të jetë i qetë se pasuria e tij do të ndodhet në vendin më të sigurt në Botë, në Bashkimin Sovjetik. Duke shpresuar se lutja ime do të shqyrtohet dhe do të pranohet, me shumë konsideratë dhe me përulësi e respekt për ju. Në emër të qeverisë shqiptare dhe të Komitetit Qendror të Partisë. Kryeministri Enver Hoxha”.

Kjo është letra-kërkesa, që siç thuhet edhe në Proces Verbalin e mbajtur nga takimi i Enver Hoxhës me Stalinin, ky Enver Hoxha i ynë, me “pusullën” që përmendëm i kërkonte Stalinit “ruajtjen” e arit shqiptar në Bankën e Moskës, që në fakt nga deduksionet e fakteve del se thesarin, Enver Hoxha ia bënte “dhuratë” Stalinit për të mirat që ky i kishte bërë, që e “shpëtoi” nga Tito në vitin 1948. Dhe Enver Hoxha në gjysmën e dytë të vitit 1948 e mbrapa, u bë e mbeti një stalinist i thekur se ashtu ruante pushtetin e tij personal.

Me “dhurimin” e arit shqiptar Stalinit, Enver Hoxha merrte edhe një masë sigurie për vete e familjen e tij se nuk i dihej pushtetit. Duhet thënë se në atë periudhë, ishte viti 1949, Enver Hoxha ende nuk e ndiente veten të sigurt në pushtet, kjo nga kundërvënia e gjithë Perëndimit dhe nga opozita shqiptare jashtë, e cila ishte e organizuar dhe luftonte edhe ushtarakisht kundër regjimit të tij.

Situatat pas vendimeve të Informbyrosë, që e nxorën Titon “tradhtar”, nuk donin të thoshin se Stalini ishte bërë “i dashur me Enver Hoxhën”, as se Stalini u prish me Titon për Shqipërinë. Jooo, as që bëhet fjalë. Pikërisht se ishte ashtu, Enver Hoxhës i thoshte mendja e djallëzuar se duhej të “punonte” me çdo mënyrë që Stalini “ta fuste në zemër”. Dhe pa diskutim edhe një formë “pune e dashurie” rezulton edhe kjo e arit.

Letra për Stalinin vetë mënyra individuale, madje e firmosur edhe në emër të qeverisë shqiptare pa asnjë vendim të marrë e të nënshkruar, që e përmendëm në fillim, kërkesa për depozitimin e arit të popullit shqiptar në Moskë, d.m.th. “dhurimi” i arit shqiptar sovjetikëve, veprim i njëllojtë si me arin shqiptar që u depozitua nga kolaboracionistët në Bankën e Romës të Italinë fashiste, apo me arin që rrëmbeu Ahmet Zogu me vetarratisjen nga Shqipëria. Por veçse me një ndryshim se ish- mbreti i tërhoqi një pjesë si “pagë” apo i “vodhi” vetë në ikje florinjtë e popullit shqiptar, duke bërë edhe “argumente të besueshme”, ndërsa Enver Hoxha e kamuflonte “vjedhjen” e florinjve me dërgim në Bankën e Moskës për “mbrojtjen e Thesarit Shqiptar”.

Themi vjedhjen e floririt nga Enver Hoxha, sepse nuk ka asnjë vendim të qeverisë shqiptare apo të Bankës së Shqipërisë, për çuarjen e Thesarit të Shtetit në Bashkimin Sovjetik. P.sh. edhe ministri i Financave i kohës së Zogut Kol Thaçi, ka lënë ca dokumente bakalli, ku ai thotë se “Mbreti Ahmet Zogu tërhoqi nga Banka Kombëtare e Shqipërisë fillimisht një vlerë përafërsisht me 567 mijë franga ar”, që përbënin 183 kilogram flori, por më pas, po sipas dokumenteve më 31 mars të vitit 1939, është autorizuar me urdhër, (po të Mbretit Zog) tërheqja nga “llogaria relative e pafrytshme metal-ar në roje” 448.535 franga ar dhe përsëri më 3 prill, është urdhëruar edhe tërheqja e 450 mijë frangave të tjera. Sipas shkresës, këto tërheqje “do të përdoreshin (që është manipulim) për shpenzime të jashtëzakonshme të Forcave të Armatosura”. Sërish po për këtë qëllim, më 6 prill u urdhërua edhe marrja e 200 mijë frangave të tjera ari nga Banka. Ndryshe nga tërheqjet e para, kjo e fundit është kryer pa lënë asnjë dokument të firmosur. Shënojmë se të gjitha shumat, përafërsisht një milion e njëqind mijë franga ari, përbëjnë 355 kilogram flori, që Ahmet Zogu ia mori, vodhi popullit me vetarratisjen e tij nga Shqipëria, por ama la edhe ca dokumente.

Ndërsa Enver Hoxha veproi ndryshe. I jep letër personale Stalinit, ku i kërkon depozitimin e arit të popullit shqiptar në ish-Bashkimin Sovjetik, sikur të ishte ari i tij, me një letër paçavure më keq se ajo prej bakalli e Ahmet Zogut, letër pa asnjë vlerë, se nuk kishte asnjë vendim qeverie. Qëllimi i Enver Hoxhës me kërkesën për depozitimin e arit në Bankën e Moskës, ishte që pastaj “i siguruar” Enver Hoxha në rast përmbysje të pushtetit të tij, do të shkonte pas arit edhe vetë, (p.sh. siç “u arratis” po atë vit nga fillim provokacionet e gushtit) i përzënë nga perëndimorët e emigracioni politik, apo i hequr nga vetë sovjetikët. Ky ishte skenari në kokën e Enver Hoxhës, që lidhej me dorëzimin e floririt Stalinit.

Mirëpo Stalini, siç shkruan proces verbali e lexoi pa e prekur me dorë letrën e Enver Hoxhës dhe në dukje nuk e “hëngri” karremin (në prapa kuinta, duket se ari siç thotë populli “bëri këmbë”!). Të vërtetat dalin vite më vonë, aq sa mund të dalin çështje të tilla, aq më shumë siç janë ato të floririt. Me që Stalini në kohën e tij “e refuzoi” arin shqiptar (proces verbali ndodhet në Arkivin e Federatës Ruse), përsëri Enver Hoxha gjen rastin dhe e dërgon që e dërgon arin e popullit shqiptar në Bashkimin Sovjetik. Tashmë Stalini kishte vdekur, por Enver Hoxha shpresonte shumë nga udhëheqja e re e Bashkimit Sovjetik (e mbani mend sekuencën e dokumentarit nga vizita e Hrushovit në Shqipëri, ku Enver Hoxha e përqafon dhe e puth Nikitën a thua se e hëngri nga malli e dashuria) dhe konfliktet nuk kishin nisur se ato janë të viteve të më vona. Nga aludimet jo pa baza duket se arin atje, me patjetër Enver Hoxha e ka dërguar se i duhej për një ditë të zezë pasi e ndiente që po ia bënin puçin.

Në fakt, pavarësisht se nuk ka dokument se si i u përgjigj Stalini Enver Hoxhës për propozimin e “depozitimit” të arit shqiptar në Bashkimin Sovjetik, është një thënie e ish-zëvendës Drejtorit të Bankës së Shtetit Shqiptar në vitet 1947-1950, pasi në atë kohë kishte fjalë për depozitim të arit shqiptar në Bankat e Bashkimit Sovjetik. Në një deklarim të mëvonshëm, po ky personalitet, diku ka bërë pyetjen se “përse u tregua aq i mirë Hrushovi me Shqipërinë në vitin 1959, kur i fali të gjitha borxhet”?!

Deklarimi i mësipërm, bën fjalë për vitin 1954, kur Enver Hoxha, ua dha që ua dha arin sovjetikëve?! Njëlloj si Ahmet Zogu, me rrugë të tërthorta. Në se Ahmet Zogu ka lënë dokument “për nevoja të Forcave të Armatosura”, Enver Hoxha ka firmosur për “blerje gruri” në Bashkimin Sovjetik, kur ai ka deklaruar se “na është dhënë falas”. Ky i sapo përmenduri “për blerje gruri” është vendim për të maskuar çështjen e vjedhjes së arit të popullit shqiptar, pasi dihen se këto lloj punësh nuk bëhen ashiqare, por me manipulime.

Ka bërë në vitin 1954 edhe një Vendim tjetër Enver Hoxha të Këshillit të Ministrave, vendimin nr. rendor 144, datë 2 shkurt 1954 me temë “Për importim mallrash për tregun special”. Në bazë të atij Vendimi i u dhanë Bashkimit Sovjetik 224.4 kg ar. Mirëpo në Relacionin sekret të Bankës së Shtetit Shqiptar të datës 27 dhjetor 1954, nuk bëhet më fjalë për 224.4 kg ar por për 945.615,58 kg ar çuar në Bashkimin Sovjetik. Në Relacionin që shoqëron Vendimin e Qeverisë, shkruhet edhe për një shumë tjetër prej 64.516 kg ar, dërguar po në Bashkimin Sovjetik nga Banka e Shtetit shqiptar. Ec e merre vesh se cila shifër është e sakta! E vërteta e padiskutueshme është që edhe Enver Hoxha, si paraardhësit dhe pasardhësit e tij të derisotëm, është sjellë me arin shqiptar si pronar i vërtetë i tij.

Vlen të theksohet se e gjithë procedura e kalimit të arit shqiptar nga Banka Shqiptare në Bankën Qendrore të Moskës, ka qenë veprimtari tepër sekrete. Megjithatë është një dokument i vetëm dhe ai është Relacioni i Bankës së Shqipërisë i datës 27 dhjetor 1954, ku Banka e Shqipërisë i përgjigjet Kryeministrit Enver Hoxha se “në bazë të Urdhrit tuaj, është përgatitur një fuçi e cila përmban 39 qese, prej të cilave 38 qese ku secila përmban nga 1000 copë napolona dhe qesja e 39-të përmban 701.75 copë napolona me një peshë kompesive bruto 250.679 kg ar dhe me peshë neto nominale 249.691. Fuçia është e vulosur në rregull. Banka e Shtetit Shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme “. Më tej Relacioni vazhdon: “Sipas marrëveshjes që kemi pasur me përfaqësinë tregtare të BRSS-s, fuçinë me arin ia dorëzuam personalisht Kapitenit të vaporit sovjetik “Chiaturi”, i cili na dorëzoi konoshamenton të firmosur rregullisht për marrjen në dorëzim. Banka e BRSSsë, me telegramin e saj të datës 6 tetor 1954, na konfirmon marrjen në rregull të fuçisë”.

Në dokumentacionet e Shtetit Shqiptar thuhet se “tregu special për të cilin u “lëvrua” ari, ishte tregtimi për grurë”. Rezulton një lloj maskimi, një lloj fshehje! Po a mund të jetë sekret një veprimtari e tillë ekonomike, kur Enver Hoxha fliste sa çaheshin artopolanët se “ndihma e Bashkimit të madh Sovjetik ishte vëllazërore”. Me që nuk dimë plotësisht enigmatikën e saktë se si mësoi kërkesa e bërë Stalinit për depozitimin e arit shqiptar në Bankën e Moskës, deduktojmë se ari shqiptar lëvizi apo shkoi ose u dhurua te pasardhësi i Stalinit, që në atë kohë ishte Malenkovi.

Një studiues ka bërë edhe ca përllogaritje në “dhënien” e arit Bashkimit Sovjetik, duke u nisur nga kredia e 300 milion rublave të pesëvjeçarit tonë të tretë. E sipas tij thuhet se për1 milion rubla që përmendëm, nga Thesari i Shtetit shqiptar dolën 224,4 kg ar. Po të vazhdojmë me të njëjtën logjikë i bie që për 35 milion rubla të paguhen 7.854 kg ar. Po të shtojmë këtu edhe 10 milion rublat e tjera që thotë Enver Hoxha, atëherë i bie që për këto dy “kredi”, Bashkimi Sovjetik t`i ketë marrë Shqipërisë rreth 10 ton ar. Mund të duket shumë një sasi e tillë ari, por në raport me minimumin e 320 ton ar që dispononte Thesari i Shtetit Shqiptar të asaj kohe, të mbledhur e të grabitur ato nga komunistët pas lufte, nuk është shumë e vogël.

Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular