Bamir Topi e njeh deri në gjenezë politikën, por sot ai shpreh kritika të forta ndaj protagonistëve të saj. Ish-Presidenti i vendit thotë për gazeta “Panorama” se arsyeja u është errësuar nga pushteti, pasi fuqia tyre vendimmarrëse dhe ekzekutive është pa limit.
Kurse njerëzit e opozitës, sipas tij, kanë krijuar iluzionin e rremë se do të rikthehen në pushtet. Në kushte të tilla, Bamir Topi propozon ribërjen urgjente të sistemit politik përmes referendumit. Ai shprehet se sistemi politik, që ndërtuan PS-ja e PD-ja është amortizuar dhe se ka dështuar të ndërtojë një shtet demokratik me institucione solide, që të garantojë ligj e drejtësi aq të dëshiruar.
Ai vë në dukje se SPAK-u është i vetmi institucion, aktivisht në funksion, ndërsa të tjerët, sipas tij, pa përjashtim i kanë fijet të lidhura te kryeministri. Bamir Topi e sheh të pamundur krijimin e një qeverie teknike, ndërsa mazhorancën e sheh sërish fituese në zgjedhjet e 2025-ës. Ish-kreu i shtetit tregon arsyet pse Edi Rama është i “pathyeshëm”.
Z.Topi, si e shikoni mjedisin aktual politik në vend?
Së pari, dua të kujtoj një shprehje të Uilli Roxhers, i cili shprehet se, “sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të pranoni se çdo parti është më e keqe se tjetra”. Kjo shprehje i shkon përshtat kontekstit të politikës në Shqipëri, ku relativizimi i së keqes është e keqja më e madhe për këtë vend. Debati politik në shoqëri se ky politikan është më i mirë se të tjerët, ndërkohë që të gjithë janë pjesë e së njëjtës kënetë politike, i fton të gjithë përfshirë, edhe median e grupe interesi, që të futen symbyllazi në kënetën e tyre, e për rrjedhojë duke e zhytur Shqipërinë në mbretërinë e zullumqarëve të politikës.
Të gjitha gjërat që po ndodhin me frekuencë e intensitet të lartë dëshmojnë se sistemi politik që ndërtuan së bashku Partia Socialiste e Partia Demokratike është amortizuar dhe ka dështuar të ndërtojë një shtet demokratik me institucione solide, që të garantojë ligj e drejtësi aq të dëshiruar. Madje, sipas meje, në Shqipëri nuk bëhet më politikë, pasi moralit të aktorëve politikë u ka dalë boja e kallaji. Arsyeja u është errësuar nga pushteti, pasi fuqia tyre vendimmarrëse dhe ekzekutive është pa limit. Njerëzit e opozitës kanë krijuar iluzionin e rremë se do të rikthehen në pushtet, kur të jitha vendimet e forta në Parlament i bëjnë me qeverinë vetëm në interes të një grupi të kufizuar të lidhur me biznes-politikën.
Me fjalë të tjera, ata qeverisin së bashku dhe këtë e kanë kuptuar shumë njerëz, që nuk e ndjekin më politikën e kënetës. Këneta tyre ka kultivuar mikrobe, që kanë shpërthyer epidemi, që po i përjetojmë edhe aktualisht. Vetëm 5 muaj nga data e zgjedhjeve politike në Shqipëri gjithçka është e paqartë, ku edhe vetë ligji zgjedhor ende është i pazbatueshëm, qoftë përsa u përket vendimeve të gjykatave, por edhe për shkak të infrastrukturës zgjedhore. Devijimi nga premtimet për votim elektronik, vota e diasporës, sipas meje janë pjesë e lojës për të nxjerrë nga konkurrimi partitë e vogla apo të reja, të cilat nuk kanë përfaqësues në komisione, ku historikisht është manipuluar rezultati.
Kjo situatë vetëm ka shtuar kaosin e pasigurinë, e kur kësaj i shtohet edhe gjendja e kriminalitetit që interferon në zgjedhje, motivimi i njerëzve për të shkuar në zgjedhje zbehet. Publikimi i bashkëpunimit të pushtetit me elementë kriminalë në funksion të zgjedhjeve forcojnë bindjen se sistemi politik në Shqipëri duhet ribërë me urgjencë nëpërmjet referendumit, në të kundërt, nuk arrij të kuptoj rrugëtimin tonë drejt Europës. Zbulimi së fundmi edhe me ndihmën e perëndimorëve të lidhjeve organike të politikës, biznesit, medias me krimin është konfirmim i asaj çka shpreha më sipër.
Opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike, e cila të mund të garantojë zgjedhje të lira vitin e ardhshëm? Sa e mundur është realizimi i saj?
Qeveria teknike është kthyer tashmë në një obsesion të opozitës së Sali Berishës. Ai më shumë se kushdo tjetër e di që kjo është një kërkesë që nuk do të pranohet nga qeveria, pasi thjesht nuk e ndjen këtë nevojë dhe nuk është në vështirësi numrash në Parlament. E dyta, kjo kërkesë bëhet për t’i thënë opinionit se humbja në zgjedhje vjen vetëm nga keqadministrimi i procesit zgjedhor, ndërkohë që sipas ligjit, monopolin e kontrollit të zgjedhjeve e ka binomi PS-PD. Për këtë çështje mund të ankoheshin partitë e tjera, por kurrsesi Partia Demokratike, që është bashkëpunëtore në krimin elektoral, pasi i gjithë kontrolli i komisioneve është bipartizan, PS e PD.
Ndërkohë që opozita është fragmentuar e bërë copë-copë, ku në pamundësi koalicioni parazgjedhor, Berisha e di mirë që në përballje direkt me PS-në është humbës e nuk mund të ndodhe as një mrekulli. Sipas meje, në këto kushte, ai po kërkon alibinë e humbjes e në të njëjtën kohë po eklipson dhe po nxjerr nga aksioni politik partitë e reja të rreshtuara në opozitë, duke i bërë shërbimin më të vyer Edi Ramës.
Atëherë pse gjithë ky insistim i opozitës për qeveri teknike, ndërkohë që pakti Rama-Basha më 2017 nuk e zgjidhi çështjen e garancisë së votës?
Mos u gënjeni nga teatri butaforik që luhet në politikën shqiptare. Paradoksalisht, sot Partia Demokratike nuk e ka betejën me Edi Ramën. Sikurse e thashë, sipas ligjit elektoral, ku nuk lejohen koalicionet parazgjedhore, PDja e ka humbur betejën me PS-në. Këtë e dëshmojnë statistikat dhe sondazhet. I gjithë interesi është të nxjerrin nga politika e përfaqësimi parti politike dhe individë, të cilët mund të bonifikojnë kënetën e dy partive të vjetra. Qëllimi final tashmë i vërtetuar është konsolidimi i bipolarizmit patologjik PS-PD, ku e para do të vazhdojë të qeverisë, ndërsa e dyta do të garantojë domenin e një opozite fasadë në pluralizmin pa ngjyra të Shqipërisë politike.
Realisht si duhet të jetë qeveria kujdestare, me qëllim sigurimin e standardeve më minimale të zgjedhjeve të vitit 2025?
Kush e hedh vështrimin te qeveria kujdestare, paralajmëron dështimin e radhës. Qeveria në çdo rrethanë është instrument ekzekutiv, që edhe pse historikisht ka “futur hundët” në zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri, e keqja duhet parë te sistemi e kryesisht te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Unë kam folur pa fund për këtë çështje dhe kurrë nuk kanë reflektuar për ta ndryshuar. Fakti që Partia Demokratike nuk do të dëgjojë, të kuptojë dhe aq më shumë të reflektojë për gabimet e saj më 2008, më bën ta klasifikoj si paaftësi në rastin më të mirë dhe si batakçillëk politik, për të gjitha shpjegimet që dhashë më sipër. Në mjekësi ndodh që një gjymtyrë të mos lëvizë për shkak të një iktusi cerebral.
Në këtë rast, problemi është truri (sistemi) dhe jo gjymtyra (qeveria teknike). Në këto kushte, shikoj që Partia Demokratike ndodhet në inferioritet dhe kërkon të mbulojë paaftësitë e saj dhe dështimin e radhës. Kjo është e dukshme, pasi asnjë nga fragmentet e opozitës, si asnjëherë më parë nuk ka predispozicion të bashkohet me Partinë Demokratike e sidomos me Sali Berishën.
Një mazhorancë, së cilës i janë arrestuar ishministra dhe deputetë të akuzuar për lidhje me krimin e korrupsionin, me skandale të herëpashershme, si qëndron ende në pushtet?
Sot në Shqipëri ka vetëm një aktor politik institucional me një fuqi absolute kundrejt çdo institucioni të shtetit. Në 12 vite, e gjithë administrata shtetërore, nga i pari tek i fundit është emëruar apo certifikuar nga pushteti i Edi Ramës, i cili kontrollon çdo qelizë të pushtetit të tij, madje edhe segmente të opozitës. Bile për këtë të fundit, thuhet ngado se janë bashkë në vendimmarrje e biznese. Ndoshta i vetmi institucion, sipas meje, i cili është aktivisht në funksion është SPAK-u, ndërsa të tjerët pa përjashtim i kanë fijet të lidhura te kryeministri. Pra, kemi një pushtet të centralizuar, por edhe një shoqëri së cilës i kanë shteruar forcat për të reaguar.
Ne kemi gjithashtu një situatë jo të mirë në media, e cila në analizën time rezulton në përgjithësi e nënshtruar nga qeveria, për shkak interesash që lidhen me bizneset e tyre. Vështirë se gjen një media puro, që nuk ka edhe aktivitet investimesh që lidhen me vendimmarrjen në pushtet. Nëpër studio duket sikur bëhet debat politik me njerëz që nuk kanë asnjë përgjegjësi politike, duke bërë që problemet mbeten në studio, për të rifilluar sërish ditën tjetër. Në fakt, ky është interesi i pushtetit
Pse mungojnë debatet e politikanëve kryesorë?
Shumica e ministrave kanë humbur komunikimin me publikun. Sipas meje, kjo bëhet me qëllim, sepse vetë kryeministri e di se çfarë qeverie ka. Vendin e tyre e kanë zënë rrogëtarët e pushtetit e të partive politike, gazetarë e opinionistë, të cilët nuk mbajnë përgjegjësi direkte për situatën e për shumë gjëra publiku nuk ndjen nevojën t’i dëgjojë. Nga ana tjetër, nuk shoh asnjë kohezion të partive të opozitës për qëllime të mëdha. Kjo e të tjera bëjnë që psikoza popullore ta konsiderojë Edi Ramën të pathyeshëm, ndonëse qeveria e tij është mbuluar me ngjarje të rënda korrupsioni.
Përballë një situate të tillë, pse është kaq i vështirë bashkimi i opozitës? Cila është rruga e duhur për ta kthyer në pushtet?
Personalisht jam i mendimit se nuk janë kushtet reale për bashkim të opozitës. Interesat politike brenda partive opozitare janë shumë larg. Mendoj se personi që i ka përçarë nuk mund të jetë promotori i bashkimit. Shkolla politike e Berishës me sulme virulente ndaj të vetëve nuk ka lënë shanse për një ribashkim.
Ai e ka kthyer “të djathtën”, nëse mund ta quaj të tillë vetëm për konvencion, në një grumbull njerëzish të çoroditur, që nuk frymëzojnë askënd. Edhe në arkitekturën më të goditur virtuale, opozita nuk mund të kthehet pa u larguar ai, që e bëri copë-copë dhe e zhveshi nga morali e kauzat e mëdha. Ndonëse nuk e thonë dot, ndjej që ata të gjithë e dinë mirë këtë fakt.
Çfarë ndikimi do të ketë në Shqipëri e sidomos tek opozita, fitorja e Presidentit amerikan Donald Trump?
Zgjedhja e Presidentit Trump ishte vullneti i popullit amerikan, i cili zgjodhi Presidentin e tij. Sigurisht, sfidat globale janë të mëdha dhe njerëzimi i ka sytë nga SHBA-të dhe lëvizjet e Presidentit Trump. Sa i përket Shqipërisë e për më tepër opozitës shqiptare, ndikimi është disi periferik. Marrëdhëniet midis SHBA-ve e Shqipërisë janë historike e të qëndrueshme. Nga ky këndvështrim, asgjë nuk e ndryshon këtë partneritet. SHBAtë, sipas meje, do të kujdesen për demokracinë e shtetin ligjor, por nuk besoj se specifikisht do të jenë në mbështetje të partive apo individëve.
Nëse ju do të merrni një ftesë për bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, a do ta pranoni?
Tashmë uji i atij “lumi” është derdhur në det dhe nuk do të mund të rikuperonte asgjë. Ju duhet të dini, që ndonëse bëhet fjalë për politikë, ndarja ime ka qenë përfundimtare në ditët që pasuan 21 janarin 2011 dhe kjo ka ndodhur publikisht Panorama