Presidenti i zgjedhur republikan Donald Trump tha të shtunën se synon të emërojë ish-zyrtarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Kash Patel për të drejtuar FBI-në, duke sinjalizuar se do që ta largojë nga detyra drejtorin aktual, Christopher Wray.
Zoti Patel, i cili gjatë mandatit të parë të zotit Trump ka qenë këshilltar i drejtorit të zbulimit kombëtare si edhe sekretarit të mbrojtjes, ka bërë thirrje më parë që FBI-së t’i hiqet kompetenca e mbledhjes së informacionit të zbulimit dhe që radhët e saj të spastrohen nga punonjësit që refuzojnë të mbështesin axhendën e zotit Trump.
“Problemi më i madh që ka pasur FBI-ja ka të bëjë me aspektin e zbulimit. Unë do ta shkëpusja atë nga Byroja”, tha zoti Patel në një intervistë në shtator për një media konservatore.
“7000 punonjës që punojnë në selinë (e FBI-së në Uashington) do t’i dërgoja nëpër Amerikë për të ndjekur kriminelët, të bëhen policë se të tillë janë”, vazhdoi ai.
Emërimi i zotit Patel nga Presidenti i zgjedhur Trump, sinjalizon se ai do të çojë në vend paralajmërimin për ta larguar nga detyra zotin Wray, një republikan i emëruar fillimisht nga vetë zoti Trump, mandati 10-vjeçar i të cilit në FBI skadon në vitin 2027.
I pyetur pas njoftimit për zotin Patel, emërimi i të cilit ka nevojë për konfirmimin e Senatit, një zëdhënës i FBI-së tha të shtunën: “Çdo ditë, burrat dhe gratë e FBI-së vazhdojnë të punojnë për të mbrojtur amerikanët nga një sërë kërcënimesh në rritje. Fokusi i drejtorit Wray mbetet te burrat dhe gratë e FBI-së, njerëzit me të cilët punojmë dhe për të cilët punojmë”.
Drejtorët e FBI-së me ligj emërohen me mandate 10-vjeçare për të shmangur ndikimin e politikës tek Byroja. Zoti Wray, të cilin zoti Trump e emëroi pasi shkarkoi James Comeyn në vitin 2017 për shkak të hetimit ndaj fushatës së tij të vitit 2016, ka qenë shpesh objekt i zemërimit të mbështetësve të zotit Trump.
Gjatë mandatit të Drejtorit Wray, FBI kreu një kontroll të miratuar nga gjykata në pronën e zotit Trump në Mar-a-Lago për të kërkuar dokumente të klasifikuara.
Prokurori i Posaçëm Jack Smith, i cili drejtoi dy çështjet federale kundër zotit Trump për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, u kërkoi më 25 nëntor gjyqtarëve që t’i mbyllin ato çështje përpara se zoti Trump të marrë detyrën më 20 janar, në përputhje me një praktikë të Departamentit të Drejtësisë për të mos ndjekur penalisht një president në detyrë.
Zoti Wray kishte kishte sinjalizuar se nuk kishte ndërmend të largohej nga detyra para se t’i përfundonte mandati.
Cili është Kash Patel?
44 vjeçari Patel, ka qenë avokat mbrojtës i caktuar nga shteti për të pandehurit që nuk kanë të ardhura për të marrë një avokat personal, si edhe prokuror federal.
Ai luajti një rol kyç në shqyrtimin nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të hetimit të FBI-së në vitin 2016 lidhur me kontaktet mes fushatës së zotit Trump në vitin 2016 dhe Rusisë, kur zoti Patel ishte ndihmës i ish-Kryetarit të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Devin Nunes.
Më vonë, gjatë përpjekjes së parë për shkarkimin e zotit Trump, ish-zyrtarja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Fiona Hill, u tha hetuesve të Dhomës së Përfaqësuesve se ishte e shqetësuar se zoti Patel po shërbente fshehurazi dhe pa autorizim si një kanal komunikimi mes zotit Trump dhe Ukrainës. Ai i ka mohuar këto akuza.
Pasi zoti Trump u largua nga detyra në janar 2021, zoti Patel ishte një prej personave që ai ishte caktuar si përfaqësues që kishin qasje tek të dhënat e tij presidenciale. Ai ishte një nga të paktët ish-zyrtarë të administratës së zotit Trump që pretendoi, pa prova, se ish-Presidenti Trump kishte deklasifikuar të gjitha të dhënat në fjalë. Ai u thirr më vonë për t’u paraqitur para një jurie të madhe në lidhje me hetimin.
Si qytetar privat, zoti Patel shkroi një libër të quajtur “Gangsterët e Qeverisë”, për të cilin zoti Trump deklaroi në vitin 2023 se do të përdorej si “udhërrëfyes për t’i dhënë fund mbizotërimit të (të ashtuquajturit sistem politik të fshehtë) ‘deep state’”.
Emërimi i zotit Patel ka të ngjarë të hasë në kundërshtimin e demokratëve të Senatit dhe ndoshta edhe disa republikanëve, megjithëse ai ka siguruar mbështetje publike nga disa republikanë të profilit të lartë si Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton.
Zoti Trump emëroi gjithashtu sherifin e qarkut Hillsborough në Florida Chad Chronister, si të zgjedhurin e tij për të drejtuar Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës (DEA).
“Si administrator i DEA-s, Chad do të punojë me Prokuroren tonë të Përgjithshme, Pam Bondi, për të siguruar kufirin, për të ndaluar rrjedhën e Fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme, përtej kufirit jugor dhe për të shpëtuar JETË”, shkroi zoti Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.