Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar një sërë masash të reja kufizuese për eksportin e mikroçipave në Kinë.
“Masat kufizuese synojnë që të pengojnë aftësinë e Kinës për të blerë dhe prodhuar teknologjitë e nevojshme për të modernizuar forcat e saj ushtarake”, tha Departamenti i Tregtisë.
“Rregullat e reja do ta bëjnë më të vështirë për Kinën që të prodhojë mikroçipa që “mund të përdoren në gjeneratën e ardhshme të armëve, si dhe në inteligjencën artificiale (AI),” tha ministria në një deklaratë.
Këto masa janë pjesë e kufizimeve te treta në radhë të vendosura nga Uashingtoni në tre vitet e fundit, duke kufizuar eksportet e mikroçipave dhe softuerëve në 140 kompani për të parandaluar Kinën të fitojë akses në teknologji që do të nxisnin inteligjencën artificiale për qëllime ushtarake ose do të kërcënonin sigurinë kombëtare të SHBA.
Kufizimet e reja do të zbatohen për kompanitë kineze Piotech, SiCarrier Technology dhe Naura Technology Group, ndër të tjera.
Pas masave të reja kufizuese nga SHBA, Kina paralajmëroi menjëherë se do të marrë masa për të mbrojtur të drejtat e saj.