18-vjeçarja, Pamela Mema, një adoleshente nga veriu i Londrës, po lufton për jetën pasi u aksidentua më 22 nëntor në fshatin Belsh të Qarkut të Elbasanit, gjatë udhëtimit për të festuar 24-vjetorin e motrës së saj.
Pas aksidentit ajo u dërgua menjëherë në spital, ku aktualisht ndodhet në koma si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara.
Familja dhe miqtë e Pamelës kanë nisur një fushatë mbledhjeje fonde për ta transferuar atë në Londër, ku ajo mund të marrë kujdesin mjekësor më të specializuar. Një faqe GoFundMe është hapur për të mbledhur ndihma financiare, dhe deri tani janë mbledhur pothuajse 74,000 paund.
“Më 22 nëntor 2024, bukuroshja, inteligjentja dhe e forta Pamela Mema u aksidentua me makinë në Shqipëri. Që prej atij momenti, ajo ka luftuar për jetën në spitalet e Shqipërisë. Tani, duhet urgjentisht ta sjellim Pamelën në Londër, për t’i siguruar kujdesin më të mirë mjekësor”, shkruan Eshli Haxhiasllani, krijuesja e fushatës GoFundMe.