NGA XHEVAT MUSTAFA
Duke iu referuar aktit më të freskët terrorist, sulmit me eksploziv ndaj kanalit të ujit të IbërLepencit, mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, dënuar me shpejtësi, seriozitet dhe ashpërsi nga SHBA, nga Bashkimi Evropian si institucion e nga shumica e qeverive të BE-së në mënyrë të veçantë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi me një deklaratë publike qenien paraprakisht në dijeni, autorësinë, ndihmën e drejtpërdrejtë serbe për çka kanë kryer autorët! Me një gjuhë e frazeologji bajate e gajasëse, ashtu si SHEFI i tij, foli edhe Marko Gjuriç, ministër i Jashtëm i qeverisë së Serbisë. Sipas të dyve, ata si qeveri e shtet “po akuzohen pa prova” e se, “Veprimet dhe spekulimet e shumta të Kurtit, Sveçlës dhe bashkëpunëtorëve të tyre tregojnë qartë se synimi i tyre është dëmtimi i Serbisë dhe përparimit të saj evropian”!? Kështu, Gjuriç u bë fare qesharak kur në të vërtetë, në vendin e ngjarjes, provat apo faktet janë lehtësisht të identifikueshme dhe kanë përmasa trupore njerëzore e jo alienësh…!
Me hipokrizinë gjenetike serbe, Marko Gjuriç shkoi edhe më tej, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë serbe, që “të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit qoftë financiarisht apo teknikisht…!”. Këtë “dëshirë”, kuptohet me sinqeritetin gjenetik apo tradicional serb, e shprehu në konferencën e tij të shtypit më 1 dhjetor, rreth orës 11:00 edhe presidenti Vuçiç! Për t’iu përgjigjur Vuçiçit e Gjuriçit, ky një personazh apo “spektator” kryesor në shumë akte terroristë të mëhershëm në Kosovën e Veriut, po huazoj një deklarim mediatik të avokatit serb Çedomir Stojkoviç. Ky e ka akuzuar dje publikisht Presidentin Aleksandar Vuçiç “për deklarime të rreme mbi sulmet e orkestruara nga Serbia në Kosovë”, duke thënë se “Beogradi zyrtar, derisa të mos arrestojë terroristët pjesëmarrës në këto sulme, përfshirë edhe në rastin Banjska, do të akuzohet si shtet që mbështet terrorizmin…”!
Domethënë, edhe që i ndihmon terroristët para kryerjes së akteve dhe i strehon, fsheh, mbron, shpërblen kur futen në territorin serb! Siç është njoftuar, ky sulm terrorist e kriminal ka dëmtuar strukturën kritike e jetike, prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa qyteteve dhe fshatrave, deri në disa pjesë të Prishtinës si edhe procesin e ftohjes të termocentraleve në Obiliq. Ky akt terrorist mund të shikohet dhe interpretohet edhe si i frymëzuar edhe nga vendimi i 4 nëntorit 2024 i Parlamenti dhe qeverisë së Serbisë, me të cilin, në mënyrë arbitrare dhe kundërvënëse ndaj marrëveshjes ekzistuese e vepruese e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”! Përveç këtij vendimi, u miratua edhe projektligji, i cili parashikon ndjekjen penale të atyre që, sipas Beogradit, “persekutojnë popullatën serbe në Kosovë”, – thua se Kosova është krahinë e Serbisë e jo prej 25 vitesh shtet i pavarur e sovran, me integritet të pacenueshëm territorial.
Siç është njoftuar në media, pas këtij vendimi të Serbisë, reaguan menjëherë dhe fort qeveritë e Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Gjermanisë, BE-ja etj., duke shprehur mospajtim të fortë e të hapur. Njëherazi, ky serial 25-vjeçar aktesh terroriste e provokuese të drejtpërdrejta apo të fshehta të Serbisë janë të lidhura edhe me zgjedhjet politike parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë. Nuk mund të mos mendohet se këto akte synojnë acarimin e fushatës elektorale e të situatës së përgjithshme politike e sociale të brishtë në shtetin e Kosovës, për të favorizuar në këtë mënyrë edhe partitë kundër kryeministrit Albin Kurti e partisë së tij, në mos për ta pamundësuar fitoren e re të tyre, për t’ua ulur sa më shumë që të jetë e mundur përqindjen e votave dhe rezultatin përfundimtar…! Vuçiç bëri shpirtbardhin dhe duarpastrin në konferencat e shtypit, por më 30 nëntor policia e Kosovës, pas arrestimit të 8 personave të dyshuar, disa jo rastësisht bashkëpunëtorë me Milan Radoiçiçin, zbuloi një arsenal të pasur armësh, municionesh, veshjesh ushtarake dhe mjetesh të tjera.
Këto nuk janë mallra Kosove, por të ardhura, me 99.99% mundësi nga Serbia, Rusia, Bjellorusia… për akte terroriste të reja, krahas bllokimit në frontin e jashtëm të njohjeve të reja diplomatike, si dhe të anëtarësimit dhe integrimit të shtetit të Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare! Këto “suksese” në arenën ndërkombëtare të diplomacisë së Vuçiçit, Daçiçit, Gjuriçit…janë fryte të përbashkët serbo-rusë…! Nuk mund të përjashtohet kategorikisht apo prerazi se ideuesit, urdhëruesit, financuesit… e këtij akti terrorist të kenë menduar e planifikuar që me “një gur”(15-20 kg eksploziv) “të vrasin dy zogj”, Kosovën dhe Albin Kurtin si dhe të gëzojnë e favorizojnë dy palë të tjera! Nënkuptueshëm, Serbinë dhe individë e grupime radikalë në gjirin e partive shqiptare të opozitës në Kosovë, disa të paduruar për rikthim në pushtet edhe me opsionin e “aleancës me djallin”…!
Duke kujtuar aktet e mëparshme terroriste, kryesisht në zona të Veriut të Kosovës e Mitrovicës së Veriut, të paktën në vitet sa ka qenë Kryeministër e President i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kuptohet apo bindesh se ai për asnjë akt nuk ka pranuar fajësi e përgjegjësi institucionale e individuale, nga segmente e struktura kriminale në Serbi ose nga serbë në Kosovë! Për më tepër e më keq, Aleksandar Vuçiç e ka bërë me bindje dhe pa u skuq fare këtë vetëdiskretim apo vetëturpërim, edhe kur gjurmët dhe erërat e autorëve të çonin apo vinin nga Beogradi e nga zyra fare afër atij individualisht si figura 1 apo 2 në shtetin serb! Kështu veproi Aleksandar Vuçiç edhe për sulmin terrorist në Bansjkë, më 24 shtator 2023. Është shumë shprehës në shqip e serbisht fakti se në mesin e të akuzuarve për këtë ngjarje është edhe Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili ka pranuar se, “ishte organizator dhe pjesëmarrës në sulm”! Edhe për aktin fare të freskët të dëmtimit rëndë të kanalit të ujit në Ibër-Lepenc, në të dy konferencat e shtypit Aleksandar Vuçiç, foli e veproi si qëmoti, sipas vesit, zakonit, traditës së vet, duke menduar e besuar më kot se mund të mbulojë gjurmët e këmbëve dhe duarve serbe, brenda territorit të Kosovës apo në territorin e Serbisë e ta lërë “kopilin e autorësisë” në dyert e Albin Kurtit dhe Xhelal Zveclës!?
Po a mund të mendohet dhe besohet përralla e tij se celula apo banda terroriste serbe, me mendësi, frymëzime, slogane të shovinizmit dhe fanatizmit serbomadh e antishqiptar, guxojnë të mendojnë e veprojnë pa dijeninë, miratimin, mbështetjen shumëformëshe nga shefat në Beograd apo në qytetet serbe kufitare me Kosovën! Këtë përrallë e përhap dhe e besojnë vetëm Aleksandar Vuçiç si autor i saj dhe të gjithë ata që janë të detyruar nga bindjet, postet, urdhrat, shpërblimet, përfitimet… ta dëgjojnë dhe duartrokasin si të vërtetë! Për paralelizëm e në mënyrë figurative, mund të themi, sidomos ne shqiptarët, historikisht viktima të pushtimeve dhe akteve kriminalë të panumërt serbë, se a mund të mendojë, planifikojë, urdhërojë, bëjë ndonjë veprim kundër Kosovës dhe shtetit të saj e në lidhje me raportet me Bashkimin Evropian, Aleksandar Vuçiç, pa u konsultuar me Moskën qeveritare e shtetërore, pa vënë në dijeni, pa marrë miratim dhe mbështetje nga shefi i tij në Moskë, Vladimir Putin…
Kuptohet se as vetë Vuçiç nuk e çon ndërmend ta bëjë këtë “trimëri e marrëzi” e as Putin nuk ia lejon dhe fal! Ky akt i ri kriminal ndaj një objekti strategjik dhe jetik për një pjesë të madhe të Kosovës nuk mund të mos lidhet me ngjarje të tjera të freskëta në Bosnje-Hercegovinë, Malin e Z[i, Maqedoninë e Veriut, Bullgari, me zgjedhjet në Rumani, me protestat masive në Gjeorgji…! Pas ngjarjeve në këto vende, kuptohet fare lehtë strategjia putiniane për të zgjeruar dhe shtuar ndikimin politik të Rusisë në strukturat apo dikasteret më të larta qeveritare e shtetërore si dhe në sa më shumë parti politike në sa më shumë vende të Evropës Lindore, të Evropës Qendrore e të Ballkanit! Bile, edhe në vende të Evropës Perëndimore, deri në Britaninë e Madhe, nëpërmjet forcave politike, oligarkike, sindikale, të shoqërisë civile…, që mbështetën dhe realizuan Brexit-in, daljen e këtij vendi nga BE; në Gjermani, nëpërmjet partisë së ekstremit të djathtë AFD e në Francë, nëpërmjet Partisë po të ekstremit të djathtë, “Tubimi Kombëtar”, të kryesuar prej vitesh nga Marine Le Pen!