Ligjvënësit e opozitës të Koresë së Jugut kanë filluar procedurat e shkarkimit të presidentit Yoon Suk Yeol për përpjekjen e tij të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak.
Yoon tentoi të vendoste papritur ligjin ushtarak dhe 190 ligjvënës që u mblodhën për ta votuar, por nuk e mirtuan. Pas paraqitjes së mocionit të shkarkimit, Partia Demokratike kryesore e opozitës së Koresë së Jugut dënoi deklaratën për ligjin ushtarak të Yoon si “sjellje kryengritëse”.
Parlamenti do të duhet të votojë nëse do të shkarkojë Yoon deri të shtunën. “Ne nuk mund të lejojmë më që demokracia të shembet. Jetët dhe siguria e njerëzve duhet të mbrohen”, tha Kim Yong-jin, një anëtar i komitetit qendror të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike akuzoi ministrin Kim Yong-hyun dhe ministrin e Brendshëm Lee Sang-min si “pjesëmarrësit kryesorë” të deklaratës së ligjit ushtarak.
Shkollat, bankat dhe zyrat qeveritare në Seul po funksionojnë si zakonisht, por protestat kanë vazhduar në të gjithë qytetin.
“Arrestoni Yoon Suk-yeol”, thërrisnin disa qytetarë të zemëruar ndërsa mbushnin rrugët.
Grupi më i madh i punës në Korenë e Jugut, Konfederata Koreane e Sindikatave, u zotua të mërkurën se do të hyjë në grevë të pacaktuara derisa presidenti të japë dorëheqjen.
Njoftimi i së mërkurës vjen pas skenave dramatike gjatë natës, ku disa ligjvënës të opozitës thyen barrikadat dhe u ngjitën në gardhe për të shkuar në dhomën e votimit.
Qindra trupa sulmuan Parlamentin pasi Yoon shpalli ligjin ushtarak, ndërsa helikopterët ushtarakë qarkulluan në vend.
Mijëra protestues arritën te portat e Asamblesë Kombëtare, ndërsa 190 ligjvënës po votonin urdhrin.
Njoftimi i tij i dytë, se po tërhiqej nga vendimi u prit me brohoritje nga protestuesit jashtë parlamentit të Koresë së Jugut.
Të mërkurën, ndihmësit e lartë të Yoon, përfshirë shefin e shtabit Chung Jin-suk dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Shin Won-sik, dhanë dorëheqjen. Është e paqartë nëse do të pranohet dorëheqja e tyre.
Zyra presidenciale ka mbrojtur vendimin fillestar për të shpallur ligjin ushtarak si “rreptësisht brenda kornizës kushtetuese [të vendit]”, duke shtuar se u caktua për të “minimizuar dëmin” në ekonomi dhe jetët e njerëzve.
Si funksionojnë shkarkimet në Korenë e Jugut?
Pasi të propozohet një projekt-ligj për shkarkimin, dy të tretat e Asamblesë Kombëtare prej 300 anëtarësh të Koresë së Jugut duhet të votojnë për shkarkimin – që përkthehet në të paktën 200 vota. Votimi duhet të bëhet brenda 72 orëve.
Pasi të miratohet shkarkimi, presidenti do të pezullohet menjëherë nga detyra, ndërsa kryeministri bëhet president në detyrë.
Më pas do të mbahet një gjyq përpara Gjykatës Kushtetuese, një këshill prej nëntë anëtarësh që mbikëqyr degët e qeverisë së Koresë së Jugut.
Nëse gjashtë nga anëtarët e gjykatës votojnë për të mbështetur shkarkimin, presidenti do të shkarkohet nga detyra.