Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në NATO përbën kërcënim për sigurinë e Rusisë.
“Siguria e një vendi nuk mund të garantohet ‘mbi shpinën’ e sigurisë së një vendi tjetër. Ky është rregulli i pandryshueshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare që ne marrin për bazë“, tha Peskov duke shtuar se:
“Vendimi i mundshëm për këtë çështje është i papranueshëm. Kjo na kërcënon neve. Ndërkohë nuk e eliminon arsyen kryesore që na detyroi të fillonim operacionin tonë special ushtarak në Ukrainë”.
Duke komentuar deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz se ata do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Kievin, Peskov tha se “Përfaqësuesit e vendeve evropiane kanë për qëllim të vazhdojnë linjën shkatërruese. Ne vazhdojmë operacionin special ushtarak në Ukrainë për të arritur të gjitha objektivat tona”.
Ai theksoi se pavarësisht kësaj presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është i hapur për kontakte me Gjermaninë.
Lidhur me deklaratën e SHBA-së se do të sigurojë 725 milionë dollarë mbështetje shtesë për armë dhe pajisje për Ukrainën, Peskov tha se administrata aktuale amerikane nuk dëshiron t’i japë fund luftës.
“Kjo dhe paketat e tjera të ndihmës për Ukrainën nuk mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve, nuk mund të ndikojnë dinamikën në front”, tha ai.