Nga Zhuljeta Grabocka Çina
Me një individualitet të spikatur Ahmet Prençi prezantohet në romanin “Anja”. Një sprovë letrare që ka tërhequr vëmendjen e duhur të mendimit estetiko- letrar. Në këtë vepër lexuesi përjeton fatin individual, etik edhe moral të bashkëkohësve të tij. Autori jo vetëm thellohet në çështjet jetike të personazheve në krijimin e familjes e të vazhdimësisë, por në të gjithë thelbin e realizimit ekzistencial të njeriut. Në katër kapitujt e parë autori identifikohet me rrëfimtarin e gjithëdijshëm, që zbulon në vetminë e tij, nën peshën e viteve, Anton Hilën. Ai nuk synon të sjellë një Santiogo, me bilancin e fitoreve dhe humbjeve në jetë, pasi ka luftuar në det të hapur me peshkaqenët. Skeleti i peshkut që sjell në bregun e prozës Ahmet Prençi, ka diçka nga brenga e Ndre Mjedës, që të kujton mendimin filozofik të poemës liriko-epike “Ëndrra e jetës”. Lokja e tij thërret vdekjen, e pret me stoicizëm, pasi e ka kryer detyrën prindërore, ajo largohet nga jeta me brengën që s’pati një djalë të linte të ndezur zjarrin në vatër. Brengë që nënkupton fatin e vetë Mjedës që nuk krijoi familje. Edhe Santiogoja do e kishte sjellë peshku e plotë në breg sikur të kishte djalin.
Analogjitë dhe vështrimet krahasuese i bëjnë njerëzit e kulturuar në lexim. Origjinaliteti i Prençit spikat me fuqinë e fjalës e lakonizmin e shprehjes me një strukturë të mirë menduar të veprës.
Me futjen e Anjës në jetën e Antonit, në pikën kulminate që jep kuptimin e vërtetë të jetës dhe të mesazhit të romanit, lexuesi vjen pasi ka lexuar e evidentuar shumë detaje, përshkrime të plota mbi jetën, dashurinë, dhe martesën në veçanti. Mjediset, ambientet profesionale e shoqërore e ndërtojnë të vërtetën artistike, në formën e një kronikë ngjarjesh të jetuar në përditshmëri. Ndërsa nota të theksuara të fataliteti shpërthejnë në marrëdhëniet brenda çifteve. Si duket autorit i kanë interesuar këto probleme delikate për të reflektuar si edhe si individ dhe si shoqëri. Thelbin e tragjizmit të Anton Hilës, këtij “beqari të përjetshëm” plot sharm e fisnikëri, në pranëvënie me histori të ndryshme, sa proviciale, por aq edhe të vërteta. Kuptimi, realizimi i lidhjeve martesore dhe dështimeve të tyre përcakton tërësinë e narracionit në vepër. Empatia e tij në linjën e subjektit Anton – Anja është mjaft mbresëlënëse. Autori i lë lexuesit të gjykojnë për fundin e romanit dhe zgjidhjen që bënë personazhet në jetën e tyre. Pavarësisht dashurisë pasionate dhe ruajtjes së saj prej prindërve të tij me kujtime të pashlyeshme, Arbëri nuk mundi të prekte dorë të ngrohtë babai. Ai do të ndihej krenar për emrin e mirë që i la pas. Suksese Ahmet!