BallinaOP EDRrëzimi i 55 amendamenteve të opozitës: arrogance e pashembullt e sektit Rama

Rrëzimi i 55 amendamenteve të opozitës: arrogance e pashembullt e sektit Rama

spot_img

nga Bujar Leskaj

“Marrëzia e madhështisë” e sektit të sotëm në qeverisje u shfaq e plotë kur, me miratimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2025, deputetët e shumicës rrëzuan pa asnjë përjashtim, pa qoftë edhe një diskutim formal argumentimi për këtë sjellje, që të 55 amendamentet e paraqitura nga opozita, për ndryshimin e ligjit kryesor ekonomik të Shtetit për vitin që vjen.

Ky akt shpreh arrogancën e pashembullt politike, ku procesi demokratik i diskutimit dhe analizës shndërrohet thjesht në një akt formal votimi dhe rrëzimi mekanik.

Ai reflekton jo vetëm mungesën e vullnetit për dialog e bashkëpunim, por edhe një paaftësi dhe verbëri të theksuar, për të pranuar se minimalisht, disa prej këtyre propozimeve janë thelbësore për mirëqeverisjen dhe zgjidhjen e disa prej sfidave ekonomike më kritike të vendit tonë.

  1. Përbuzje ndaj demokracisë dhe mendimit ekonomik opozitar

Fakti që të gjitha amendamentet u rrëzuan me një përbuzje të qartë kundrejt procesit demokratik dhe përpjekjeve të opozitës për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, ngre një pyetje thelbësore: Si është e mundur që 55 amendamente, që mbulojnë një gamë kaq të gjerë çështjesh sociale, ekonomike dhe shoqërore, të mos kenë asnjë vlerë?!

Kjo nuk është thjesht një pyetje. Është një akuzë e drejtë ndaj një qeverie që duket se nuk merr në konsideratë asnjë ide që nuk vjen nga vetë ajo.

Disa prej amendamenteve të propozuara jo vetëm që duhet të ishin pranuar. Ato madje duhet edhe të përgëzoheshin, për nismën dhe vizionin që sjellin, për një shoqëri më të drejtë dhe më të vëmendshme ndaj atyre në nevojë.

Amendamentet përfaqësojnë masa që synojnë drejtpërdrejtë të adresojnë pabarazitë e thella dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve më të prekur nga rritja e çmimeve. Ato nuk janë thjesht kërkesa financiare. Përbëjnë investime në dinjitetin dhe të ardhmen e shoqërisë.

  1. Injorim i plotë ndaj mirëqenies së qytetarit

Një qeverisje që e njeh detyrimin moral dhe ekonomik për të mbështetur këto nisma, jo vetëm do të fitonte mirënjohjen e qytetarëve, por edhe do të demonstronte një model të udhëheqjes së përgjegjshme, që ka në qendër mirëqenien kombëtare.

Për mungesë hapësire, po përmend gjashtë nga të 55 amendamentet, që meritonin plotësisht një analizë më të thelluar nga qeveria dhe jo thjesht arrogancën dhe pulsimin nervoz të votimit “Rrëzohet!”:

  1. Pezullimi i investimeve të luksit dhe rritja e minimumit jetik

Rrëzimi i propozimit për pezullimin e të gjitha shpenzimeve të luksit deri në caktimin e minimumit jetik zyrtar në vend, tregon një mungesë të thellë ndjeshmërie për varfërinë në vend, në një kohë që qeveria vazhdon të shpenzojë miliona euro për projekte të dyshimta luksi dhe fasada publike.

  1. Rritja e pensioneve dhe fondet për të moshuarit

Në një vend ku pensionistët mezi përballojnë kostot bazike të jetesës dhe gjendja për ta po bëhet gjithnjë e më e vështirë, rrëzimi i këtij amendamenti është një goditje e hapur ndaj dinjitetit të tyre.

  1. Mbështetja për sektorët kritikë si arsimi dhe shëndetësia

Përforcimi i sektorëve thelbësorë si arsimi dhe shëndetësia duhej të ishte një prioritet i padiskutueshëm. Për më tepër kur ishte kjo mazhorancë, ky sekt në pushtet, që në fillim të mandatit të parë premtoi me solemnitet arsimin dhe shëndetësinë publike të buxhetuar që të dy këta sektorë në 5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Shtimi i fondeve për logopedët që ndihmojnë fëmijët me autizëm, sigurimi i barnave onkologjike dhe mbështetja për pacientët me kancer nuk janë luks, por domosdoshmëri që reflektojnë fytyrën humane të një shteti dhe të buxhetit të tij.

Rrëzimi i këtyre amendamenteve tregon një mungesë tronditëse ndjeshmërie, ku interesat e tjera të qeverisë vendosen mbi shëndetin dhe arsimin publik, dy shtyllat e një shoqërie të shëndetshme.

  1. Fokusi në prodhimin dhe mbështetjen për fermerët

Në një kohë kur ekonomia shqiptare po përqëndrohet në ndërtim dhe po lë pas dore sektorët produktiv, ky veprim dëshmon për mungesën e një vizioni strategjik afatgjatë. Ndërtimi është një sektor i fryrë nga spekulimet dhe pastrimi i parave, ndërsa prodhimi dhe bujqësia, do të mund të krijonin vende pune, të kontribuonin në rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe të ulnin riskun e një kolapsi ekonomik në të ardhmen.

  1. Pezullimi i pagesave të PPP-ve

Propozimi për pezullimin e pagesave për PPP-të shëndetësore, përveç dializës, dhe ridrejtimin e fondeve në investime reale në shëndetësi është një tjetër amendament që u injorua. PPP-të kanë qenë shpesh të kritikuara për kostot e larta dhe efikasitetin e ulët, duke krijuar më shumë përfitime për kompanitë private sesa për qytetarët.

  1. Rritja e fondeve për ish-të përndjekurit politikë

Rritja e fondeve për ish-të përndjekurit politikë është më shumë se një detyrim moral dhe historik; është një investim për të rikthyer dinjitetin e një brezi që ka vuajtur padrejtësitë më të mëdha. Megjithatë, refuzimi i këtij amendamenti dërgon një mesazh të ftohtë dhe indiferent ndaj atyre që luftuan për lirinë dhe demokracinë, duke i dënuar në këtë mënyrë për herë të dytë.

xx

Në tërësinë e tyre, amendamentet amendamentet e opozitës ishin propozime me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës në një kohë që shpopullimi masiv që po përjeton Shqipëria nuk është një fenomen i izoluar, por një rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së mundësive për punësim, arsimit cilësor dhe mbështetjes sociale efektive. Refuzimi i këtyre propozimeve jo vetëm që zbeh përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e jetës, por forcon ndjesinë se kjo qeveri po neglizhon qytetarët e saj, veçanërisht të rinjtë dhe familjet, duke i detyruar të kërkojnë një të ardhme më të sigurt jashtë vendit.

Në këtë situatë, është e pamundur të argumentohet se të gjitha propozimet e opozitës ishin të pavlefshme. Kjo tregon më shumë për një mendësi politike që sheh opozitën si kundërshtare të përhershme, sesa si partnere në qeverisjen demokratike. Rrëzimi pa analizë i këtyre propozimeve është një sinjal i qartë i dekompozimit përfundimtar të pushtetit të sektit Rama.

Sikurse e ka cilësuar ekonomisti i njohur dhe Laureat i Çmimit Nobël Joseph Stiglitz: “Një demokraci funksionon vetëm kur vendimet e saj reflektojnë nevojat e të gjithëve, jo interesat e disa pakicave të fuqishme.” Një qeveri që refuzon të dëgjojë është një qeveri që dëmton rrënjët e demokracisë dhe të mirëqeverisjes.

T’i injorosh këto të vërteta është të shkelësh jo vetëm mbi një dokument buxhetor, por mbi shpresat dhe të ardhmen e një shoqërie të tërë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular