Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Seok-geol ka folur publikisht për herë të parë mëngjesin e së shtunës që pas trazirave që shkaktoi në vendin duke shpallur ligjin ushtarak.
Ai kërkoi falje për shqetësimin që ka shkaktuar, por refuzoi të japë dorëheqjen.
“Vendimi u mor nga dëshpërimi im si president”, u shpreh Yoon, duke shtuar: “Por u dha njerëzve ankth dhe shqetësime. Më vjen shumë keq dhe ju kërkoj falje.”
Fjalimi i Presidentit Yoon vjen disa orë përpara se Parlamenti të votojë mocionin e opozitës për shkarkimin e tij. Ai deklaroi se i besonte partisë në pushtet që do të merrte “masa për të stabilizuar situatën politike”.
Yoon kërkoi falje për vendimin e tij për të vendosur ligjin ushtarak, një veprim që ka tronditur dhe zemëruar këtë vend, ndërsa premtoi se nuk do të përpiqej ta bënte më këtë. Ai tha se kishte vepruar nga dëshpërimi, ndërsa fajësoi opozitën për paralizimin e qeverisë së tij.
“Ka njerëz që pyesin nëse do të ketë një tjetër deklaratë të gjendjes ushtarake, por unë mund t’ju them qartë: definitivisht nuk do të ketë… një tjetër deklaratë të gjendjes ushtarake”, deklaroi Presidenti Yoon.
Ndërkohë Han Dong-hoon, lideri i partisë së presidentit, Partia e Pushtetit Popullor, ka thënë se është “e pamundur” që Yoon të vazhdojë, duke deklaruar se dorëheqja e tij është e pashmangshme.
Pasditen e sotme, fati i Presidentit është në duart e Parlamentit, pasi deputetët do të votojnë nëse do ta fajësojnë atë.
Për të shkarkuar kreun e shtetit kërkohet një shumicë prej 2/3 (200 vota). Partia në pushtet ka 108 vende, krahasuar me 192 të opozitës.
Për rrjedhojë, që mocioni i mosbesimit të miratohet, do të duhet të votohet nga të paktën tetë deputetë të fraksionit qeverisës.