Në marshimin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, Kryetari i Partisë Demorkatike, Prof. Dr. Sali Berisha nderoi studentët e Dhjetorit 1990 dhe Azem Hajdarin, duke kujtuar historinë e dhimbshme të Shqipërisë nga pavarësia, te diktatura staliniste dhe represioni i ashpër. Berisha kritikoi me tone të ashpra regjimin që vriste të rinjtë për të frikësuar popullin dhe thekson guximin e studentëve që nisën protestat për demokraci.
Berisha kujtoi takimin historik të Azem Hajdarit me Ramiz Alinë gjatë protestave studentore të Dhjetorit 1990. Në përgjigje të pyetjes së Alisë për qëllimin e protestës, Azem Hajdari deklaroi: “Nuk po protestojmë për një gotë çaj, po për fatet e lirisë.” Pas takimit, regjimi vendosi pusi ndaj studentëve, duke përdorur dhunë për t’i shtypur. Megjithatë, studentët mbetën të pamposhtur dhe më 9 dhjetor vendosën të pushtonin sheshin qendror të Tiranës.
Kryedemokrati, Sali Berisha përshkroi emocionet e momentit kur i takoi protestuesit në rrugën e Elbasanit, duke vlerësuar guximin dhe qëndresën e tyre përballë forcave të shumta të regjimit.
Lideri demokrat, Sali Berisha solli në rikujtesë mbi brutalitetin e forcave të regjimit kundër studentëve, që u sulmuan dhunshëm dhe u larguan me forcë nga sheshi. Pavarësisht plagëve dhe tronditjes, studentët mbetën të pamposhtur dhe vendosën të rikthehen në protestë. Ai e kujton takimin me studentët e lënduar, të cilët kërkuan mbështetjen e tij, dhe e thekson vendosmërinë e tyre për të vazhduar luftën për liri.
Kryetari i PD, Sali Berisha vlerëson lëvizjen studentore si moment historik që ndau epoka, duke sjellë pluralizmin dhe themelimin e Partisë Demokratike.
Ai solli në rikujtesë edhe grevën epike të urisë, ku studentët sakrifikuan për të çliruar vendin nga diktatura dhe për të fituar lirinë. Sipas tij, ky akt trimërie dhe vendosmërie mbetet një pikë kthese e papërsëritshme në historinë shqiptare.
Lideri historik i PD, Sali Berisha shprehu shqetësimin për gjendjen e Shqipërisë, duke e cilësuar si një diktaturë moderne të bandave “mobokraci”, ku pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu, Edi Ramës.
Ai kritikoi deformimin e zgjedhjeve, rikthimin e burgjeve politike dhe krijimin e një “narkoshteti” të parë në Europë. Berisha akuzoi ndërhyrjen e Xhorxh Sorosit për deformimin e reformës në drejtësi dhe përpjekjen për të kapur opozitën, duke e quajtur atë një puç kundër lirisë dhe sovranitetit.
Berisha falënderoi të gjithë ata që u ngritën të parët kundër këtij grushti shteti, duke mbrojtur vlerat themelore të shoqërisë, si familjen, lirinë dhe moralin njerëzor. Ai theksoi rëndësinë e qëndrimit të vërtetë dhe rezistencës, pavarësisht presioneve të brendshme apo të jashtme, dhe garanton se PD do të mbetet e angazhuar në këtë betejë për liri dhe demokraci.
Kryedemokrati, Sali Berisha theksoi se Partia Demokratike dhe opozita kanë qëndruar të pamposhtura përballë sfidave, duke marrë një mbështetje të gjerë ndërkombëtare kundër narkoshtetit dhe kapjes së pushtetit në Shqipëri.
Ai e përshkroi regjimin aktual si një diktaturë të krimit dhe drogës dhe bën thirrje për një sulm të vendosur për të fituar zgjedhjet e 11 majit dhe për të pastruar politikën shqiptare.
Kryetari i PD, Sali Berisha apeloi për mobilizim, duke theksuar rëndësinë e mosbindjes civile dhe qëndrimit të fortë ndaj padrejtësive. Ai garanton se programi i PD-së do të ketë në fokus të rinjtë, punësimin dhe shkollimin e tyre, dhe synon të rikthejë emigrantët shqiptarë në atdhe.
Në përfundim, Berisha bëri thirrje për fitore dhe shprehu besimin se Shqipëria do të çlirohet nga kjo “narkodiktaturë.”