Nga Luçiano Boçi
Ngjan pothuaj me një skenar Kafkian e megjithatë jemi në një realitet shqiptar.
Pasardhësit e drejpërdrejtë të atyre që ekzekutuan mijëra të rinj e mbytën në djep ëndrrat e milionave të tjerëve, kërkojnë të shpërndajnë sot me pompozitet festimet për ditën nga nisi rrëzimi i etërve të tyre.
Qëllimi i tyre nuk lidhet as me rëndësinë historike të datës, as me
mesazhet e saj dhe as me gëzimin e natyrshëm.
Ata janë po si dikur ata!
Cinikë, hipokritë e njësoj të dhunshëm për pushtet për të cilin i rrjedhin jargë dhe nga sytë.
Duan që frikën e tmerrin nga kjo datë ta mbulojnë me buzëqeshje hipokrite.
Duan që 8 Dhjetorin ta veshin me ngjyrat e tyre të squllta, ta përdhosin, ta denatyrojnë, ta zhveshin nga thelbi i lirisë, i revoltës dhe zemërimit që kjo datë shpërndan.
Angazhojnë lloj-lloj gërmashkruesish që ta paraqesin atë si të manipuluar, të orientuar enkas, si një artificë e dalë nga koka e diktaturës, si një shkumë dallge që spërkati komunizmin e tyre “të pamposhtur”.
Duan ta festojnë me tollumbamcë e zhurmë si një ditë me rini imagjinare, që të mbulojnë përzënien që i kanë bërë.
Që të mbulojnë lirinë që i kanë cënuar.
Që të fshehin përçmimin dhe rrëmbimin fatit që i kanë bërë.
Që të anashkalojnë urrejtjen më të cilën e trajtonë.
Por mbetën përsëri po aq të verbër si etërit e tyre!
Sepse rinia është si e vërteta, e drejta dhe ajo nuk ndalet. Ajo nuk fal padrejtësinë dhe liria ka pamjen e vrullin e saj.
8 Dhjetori është një datë ngadhënjyese, nga ku nisi shpalosja e lirisë dhe rrëzimi i diktaturës së bijve të sotëm.
8 Dhjetori ishte dhe stuhia e vrulli që u ndesh me falangat e egra të komunizmit.
8 Dhjetori ishte revolta e zemërimi i një brezi që guxonte të ëndërronte një Shqipëri demokratike e europiane.
8 Dhjetori është rezistenca, përballja, lufta për të drejtën, për ideale dhe për të vërtetën!
8 Dhjetori është BLU!
Ata që e bënë këtë datë ishin të rinj e të reja guximtarë, me shpirt lirie të pa kufi, idealistë deri në madhështi.
Dhe sot nuk është thjesht 8 Dhjetori i dikurshëm.
Sot është rikthimi në 8 Dhjetor!
Marshimi i saj nis sot dhe nuk ndalet.
Lufta me të keqen dhe marrëzinë që ka pushtuar këtë vend nuk ka kthim.
Rinia e sotme e angazhuar kërkon të çojë deri në fund ëndrrën e 8 Dhjetorit 90!
Është koha e guximtarëve!
Është koha jonë, koha e të vërtetës, koha e lirisë, koha e rinisë, koha e PD!
8 DHJETORI është kushtrim!!!