Një shpërthim tritoli ka ndodhur në një lokal në Lungomare mëngjesin e kësaj të diele. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:30, kur në zonën e Lungomares është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm.
Në mjediset e një bari (lokal) në verandë është vendos një sasi tritoli e cila ka shpërthyer duke sjellë deme të konsiderueshme materiale.
Orenditë brenda lokalit dhe xhamat janë dëmtuar. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe është duke marrë në pyetje pronaren e lokalit.
“Rreth orës 06:00, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në një lokal, në pronësi të shtetases R. B., ka shpërthyer, dyshohet lënde plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhe specialistët të njësisë antieksploziv të cilët po bëjnë kontrolle të imtësishme në lokalin ku është vendos tritoli.
Në lidhje me shpërthimin e tritolit që ndodhi mëngjesin e sotëm në një lokal në Lungomare është zbuluar motivi i mundshëm i ngjarjes.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi bar-restoranti ku u vendos sasia e lëndës plasëse (tritol) ka qenë në pronësi të Bledar Birçaj, i cili është ekzekutuar në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen Hajro Çakërri me breshëri plumbash.
Ndërkohë që lokali ka qenë me qera, dhe është marrë sërish nga pronarët (vëllezërit e Bledarit) të cilët kanë pak kohë që e kanë vënë në punë. Lokali është në emër të nënës Resmie Birçaj.
Në verë të vitit 2021, Bledar Birçaj kishte pak javë që ishte kthyer në Shqipëri nga Spanja, ku edhe jetonte. Atentati ndaj tij ndodhi në lagjen “Hajro Çakërri”, ku 40-vjeçari po lëvizte me makinën tip BMW dhe i dolën në pritë. Pasi u qëllua me breshëri kallashnikovi, Bledar Birçaj u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të rënda dhe ndërroi jetë.
40-vjeçari ishte pronar i lokalit në qytetin e Vlorës. Në ekstraktin e QKB rezulton se ishte pronar i një biznesi në fushën e veprimtarisë bar-kafe, birrari dhe tregti me pakicë e artikujve të ndryshëm.
Në janar të 2011, Birçaj u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin të marsit 2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.
Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011 u vendos pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj duke u lënë i lirë.