Nga Ersid Karaj
Një nga shkrimtarët dhe poetët më të mëdhenj të shekullit të XIX, Oscar Wilde, thotë: “Askush nuk është aq i pasur sa mund të blejë të kaluarën e vet.”
Duke e trajtuar vetveten tonë si shoqëri me shumë probleme sociale dhe ekonomike, të dyja këto çështje kanë ardhur si pasojë e një fenomeni të ngatërresave politike, gjë e cila ka ofruar tek ne vetëm stërmundime të mëdha për të realizuar në këto vite atë që thuhet rëndomtë në media “shtyllën e demokracisë”, apo “shtetin modern“.
Shumëkush nga ne, duhet t’i bëjë vetes disa pyetje, por një ndër pyetjet retorike që ngrihet është: Çfarë dhashë unë për ta ngritur këtë sistem interesash, në një sistem normal demokratik?
Të gjithë mund të justifikohemi duke thënë: “Epo secili ka gabimet e veta dhe përgjegjësitë e tij, ose “kush punon gabon.” Patjetër, nuk e vë njeri në dyshim, as gabimet, as përgjegjësitë apo përvojën.
Ajo që vazhdon sot të thuhet në kuadër të interesave poltike si nga Partia Socialiste apo Demokratike, thuhet: “Rama është gjeniu i PS, sepse ka përvojë poltike“. E njëjta gjë thuhet edhe nga pjesa tjetër opozitare për Sali Berishën apo Ilir Metën. Pra si “shpresë për demokraci.”
Wild, ka një shprehje e cila thotë: “Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.”
Pra, që do të thotë, askush nga këta emra që përmenda, nuk mund të justifikohet nga përvoja e së shkuarës së vet. Nëse kjo e shkuar, anon më shumë në gabime prioritare, ne nuk mund të ringrihemi më nga këta individë që premtojnë të njëjtat sfida apo “premtime publike“.
Çfarë i kanë dhënë Shqipërisë këta politikanë në këto vite?
Kush ka qenë interesi i tyre i përbashkët, kur kanë qenë të ndarë, apo kur kanë bërë koalicione?
Kush nga këta sot, ka ende “përvojën” e së shkuarës për ta ngritur peshën e fjalës dhe të premtimeve në shoqëri?
A pihet ende nga “lëngu” i tyre i hedhur mbi njerëzit?
Këto janë disa nga pyetjet të cilat, duhet t’i përgjigjemi si shoqëri, pastaj të hapim listat dhe të shohim cilin emër të zgjedhim.
Disa nga mbështetës të përfaqësuesve politikë, shprehen gjithë ditën kudo dalin, se filan shtet është kështu, Amerika ecën kështu. Dhe këtë të fundit e përdorin si t’i vijë mbarë linjës së tyre politike, dhe askush nuk shqetësohet për të ardhmen e idesë që përfaqëson në shoqërinë shqiptare.
Kur mbarojnë së shprehuri këto opinione, secili zgjedh të shtrihet në atë guaskën e vet që të mbrojë ideologjinë e çastit. Jo zotërinj! Politika nuk është për t’u fshehur në atë guaskën e mbështjellë që ju ofrohet, por nëse e beson atë që mendon, realizoje! Nëse nga guaska do dalësh sa herë do të sjellin dallgët e detit në breg, ju nuk jeni duke përfaqësuar askënd: As njerëzit, as bindjen tuaj, madje, as veten tuaj!