nga Ahmet Prençi
Me pikëllim të thellë para ca ditësh mësova lajmin për ndarjen nga jeta të mësuesit tim shumë të dashur Isa Shehu. Ai ishte një figurë që përfaqësonte përkushtimin, urtësinë dhe pasionin për arsimin. Ishte me një zemër të madhe dhe një shpirt të palodhur. Ai nuk ishte vetëm një mësues, por edhe një udhëheqës shpirtëror për shumë breza nxënësish.
Na mësoi jo vetëm mësime akademike, por edhe vlera njerëzore: dashurinë për dijen, ndershmërinë dhe respektin për tjetrin. Si një dritë që ndriçon rrugët e errëta, mësuesi Isa Shehu ishte një frymëzim për këdo që pati fatin ta njohë.
Gjithë jetën e tij ja kushtoj mësimdhënies. Dhjetra breza u edukuan së pari nga mësuesi Isa Shehu. Unë si një ish nxënës i tij në gjithë jetën time studentore por dhe më pas kisha një model që duhej ta ndiqja. Nuk e di sa ja kam arritur ta imitoj udhrrëfzesin tim, por ky model ishte mentori i palodhur e pasionant Isa Shehu.
Iku Mësues Isai. Iku pa vuajtje, pa dhimbje. Iku në heshtje duke na lënë mijra kujtime.U ndodha shumë larg kur mësova këtë lajm dhe nuk munda të isha në ceremoninë e përcjelljes së tij. Besoj do ketë qenë një ceremony e thjeshtë, e heshtur me njerëz që ikja e tij u dhembte në shpirt. Po të isha aty, do isha thjesht një person më tepër. Nuk do ndryshonte asgjë në atë ceremoni. Por pengu në zemrën time është plumb i rëndë. Ai prej disa vitesh banonte në Durrës. Kontributin e jetës së tij në mësimdhënie e dha për dekada në Reçin tim, në Reçin tonë. Nga atje kanë ikur të gjithë pothuajse, nxënësit e Isait janë shpërndarë gjithandej, me qindra e qindra. Në rrethana të tjera, në atë trevë të rëndësishme për ne, në atë ceremoni do ishin të shumtë njerëzit, do ishin me mijëra. Do ishin të gjithë ish nxënësit, prindërit, kolegët, miqt e shumtë. Kushdo që e ka njohur do i ishte bashkuar kësaj përcjellje për një njeri të pazakontë. Ishte mësuesi më i mirë në botë. E them këtë pasi në jetën time kam njohur shumë mësues të tjerë, petagog, profesorë, akademikë brenda e jashtë vendit por Isa Shehu për mua ishte unik. Ai tashmë nuk është ndër të gjallë dhe besoj modeli i tij nuk ekziston më.
Mësues Isai jepte Matematikë, por të fliste pareshtur për letërsinë dhe filozofinë. Nxënësit e tij, përfshi dhe mua, në studimet e mëpasme universitare nuk kishim problem me matematikën falë nxënies nga mësues Isai. Ishte shumë i rreptë por kishte zemër të madhe. Ishte nursëz, por me një ndjeshmëri të pazakontë. Ishte ateis ndonse ishte familje shehelerësh. Nuk ishte besimtarë por parimet e shejta i respektonte si askush tjetër. Nuk ishte i pasur por trasmentonte bollëk me kulturën, njohuritë dhe shpirtin e tij të bukur. Asokohe ishte me biografi të keqe por njerzit çuditrisht e donin më shumë se Partinë. Ai nuk dorzohej kurrë.
Iku Mësues Isai nga kjo botë e trazuar dhe e çoroditur. Iku pa zhurmë, pa bujë. Gjithkush që e ka njohur jam i sigurtë që ndjen të njëjtën dhimbje si unë, e kujton me shumë respekt si unë dhe bashkohet me homazhin tim në përcjelljen e tij të heshtur për në botën e përtejme. Nuk mjaftojnë këto pak rrjeshta për të thënë atë çka meriton Isa Shehu me kontributin e tij shumë të çmuar në edukimin e brezave të krahinës së Reçit. Ai ishte modeli që jemi përpjekur ta ndjekim. Isai iku bashkë me modelin e shkëlqyer të një meteori të rrallë që tashmë ruhet në memorjen tonë si një manual i shejtë jetsorë. Po të kishte sistemi arsimorë mësues të tillë shoqëria jonë do ishte e lakmueshme nga e gjithë bota.
Lamtumirë mësues i dashur ISA SHEHU.