Edhe pse me strukturat e Dibrës u prezantua të shtunën si drejtues i ri politik i këtij qarku, zyrtarisht Kryesia e Partisë Socialiste e ka miratuar këtë të hënë emrin e Blendi Klosit, Sekretarit të Përgjithshëm, i cili zëvendëson Blendi Gonxhen. Ky i fundit do t’i shtohet tre drejtuesve të Tiranës, Veliaj, Manastirliu dhe Spiropali, me fokus zonën e Kombinatit.
Arsyet e kësaj levizje zyrtarisht lidhen me angazhimin e madh që ka Gonxhja si ministër i 3 dikastereve, çka sipas drejtuesve të PS-së nuk i lë kohë për një impenjim maksimal dhe për detyrën e drejtuesit të një qarku të vetëm.
Por kjo ishte vetëm një nga pikat e mbledhjes së forumit drejtues të selisë socialiste pasi vëmendja e anëtarëve të Kryesisë dhe kryetarëve të bashkisë që morën pjesë virtualisht, ishte organizimi për votën e emigrantëve.
Socialistët prej disa muajsh kanë nisur një proces për krijimin e një baze të dhënash për të gjithë emigrantët, regjistër i cili siç mëson Tv Klan do të jetë gati në fund të këtij muaji.
Mbështetja me votë nga shqiptarët që jetojnë jashtë është një betejë e re mes dy kampeve në zgjedhjet e 11 Majit, ndaj socialistët duken shumë të angazhuar që ta marrin këtë mbështetje.
Të gjithë drejtuesit politikë kanë raportuar për të gjithë situatën në qarqet e tyre, si për regjistrimin e emigrantëve, ashtu dhe problematikat që hasen në zonat e tyre 5 muaj përpara zgjedhjeve. Në dalje, interesit të gazetarëve për diskutimet në mbledhjen që zgjati më shumë se 2 orë, Rama iu pergjigj me ftesën e tij të përsëritur: Anëtarësohuni në PS!