Dy netë më parë në Pallatin e Kongreseve është zhvilluar nata finale e festivalit “Kënga Magjike” ku fituese u shpall kënga “Akoma” e këngëtares, Rozana Radi dhe këngëtarit grek, Sany Dimitri.
As ky edicion nuk i shpëtoi spekulimeve dhe polemikave nga ndjekësit teksa ngritën pretendime për një spektakël të shitur teksa thuhej se fituesi ishte i paracaktuar. Këto thashetheme qarkulluan më shumë kur në natën finale nuk u shfaqën për të performuar Pirro Çako dhe këngëtarja Arilena Ara të cilët ishin në garë me duetin “Zero Gradë”.
Një postim i bërë nga një bashkëpunëtori i saj, ka bërë ndjekësit të jenë akoma më të bindur se shkak për mosprezencën e tyre ishin këto aludime.
Në postim shkruhej “Natën e mirë vetëm Arilena Arës që ua mori çmimin edhe pa qenë prezente”, ndërsa Arilena e ka rihedhur atë në profilin e saj në Instagram. Ky veprim është marrë sikur vetë këngëtarja i ka dhënë zë këtyre dyshimeve.
Por ka qenë drejtuesi i këtij spektakli, Ardit Gjebrea i cili i ka dhënë fund njëherë e mirë këtyre diskutimeve teksa qartësoi dhe njëherë skemën e vlerësimeve duke vënë në dukje se përcaktuesi i vërtetë i fituesit, ishin votat që artistët i japin njëri-tjetrit.