Sot, në mjediset e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), u mbajt një konferencë për shtyp nga organizatorët e Festivalit të 63-të të Këngës. Paneli përbëhej nga drejtues dhe profesionistë të spikatur të përfshirë në organizimin e këtij eventi të rëndësishëm muzikor. Drejtoresha e RTSH dhe njëkohësisht drejtoresha e festivalit, Aurora Polo, së bashku me Drejtoreshën Artistike Elhaida Dani, regjisorin Redi Treni, producentët muzikorë Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi, autoren Zefina Hasani, drejtuesin e bandës Elton Deda, udhëheqësen artistike të Orkestrës Simfonike të RTSH Blerta Ristani, si dhe prezantuesit Enkel Demi dhe Ornela Bregu, dhe moderatorja që do të sjellë emocionet e prapaskenës, Dalina Buzi, ndanë detaje mbi përgatitjet, risitë dhe programin artistik.
Drejtoresha e RTSH, Aurora Polo, vuri në pah rëndësinë e festivalit si një traditë e çmuar ndër vite.
“Festivali i Këngës, kjo traditë e bukur, që është ruajtur me shumë profesionalizëm e dashuri ndër vite, do të vazhdojë edhe në këtë edicion të 63-të me 30 krijime të reja në konkurrim dhe me të ftuar specialë. Ne, gjithë ekipi, jemi sot këtu për t’i garantuar publikut një festival dinjitoz në të katër netët e tij,” tha Polo.
Ajo zbuloi gjithashtu një risi jo vetëm të këtij edicioni por historik për Festivalin e Këngës:
“Për herë të parë në Festivalin e Këngës, për fituesin do të vendosë edhe vota e diasporës.”
Drejtoresha Artistike e Festivalit, Elhaida Dani, ndau emocionet dhe përkushtimin e saj për realizimin e një eventi gjithëpërfshirës.
“Motoja e këtij festivali është t’u rikthehemi rrënjëve, vlerave të mëdha që kemi në muzikë dhe tek njerëzit që e kanë krijuar dhe mbajtur deri më sot këtë festival, por pa harruar të vlerësojmë dhe të renë që vjen me kohën.”
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e garës dhe transparencën:
“Në këtë edicion, do të kemi vetëm një fitues të çmimit të parë, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, bazuar në pikët e jurisë dhe votat e publikut.”
Në konferencë u bënë publike zyrtarisht emrat e prezantuesve të festivalit, Enkel Demi dhe Ornela Bregu.
Ornela Bregu ndau emocionet e rikthimit të saj pas shumë vitesh.
“Jam shumë e lumtur që rikthehem pas kaq vitesh pikërisht në Radio Televizionin Shqiptar, aty ku e kam nisur para 25 viteve. Festivali për mua është ngjarja më e rëndësishme e muzikës.”
Enkel Demi, tha se rikthehet në rolin e prezantuesit të Festivalit, falë ekipit të jashtëzakonshëm që po punon për këtë festival.
Regjisori i festivalit, Redi Treni, theksoi se teknologjia më e fundit do të përdoret për të sjellë një spektakël vizual mbresëlënës.
“Ky festival do të sjellë risi vizuale, si në regji ashtu edhe në skenografi, duke përdorur për herë të parë teknologjinë më të avancuar.”
Producenti muzikor Alfred Kaçinari nënvizoi përpjekjet e mëdha të ekipit në përgatitjen e këngëve:
“Janë mbi 50 këngë që do të interpretohen gjatë festivalit, një punë voluminoze nga ana jonë dhe e Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar.”
Drejtuesi i bandës muzikore, Elton Deda, apeloi tek këngëtarët pjesëmarrës:
“Mos mendoni për çmimin, shijojeni këtë festival dhe kënaquni. Një artist duhet të kënaqet në skenë.”
Festivali i 63-të i Këngës do të mbahet nga data 19 deri më 22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve dhe pritet të ofrojë katër net plot emocion, muzikë dhe spektakël për të gjitha grup moshat.
/RTSH/