DR. ERMIR NIKA/ Mendimi se në periudhën e tranzicionit, kërkimi shkencor u zbeh në krahasim me ritmin e njohur dhe të gjithëpranuar para viteve ’90- të të shekullit të kaluar dhe se mendimi kritik u shpërbë thuajse tërësisht, është jo vetëm i diskutueshëm, por edhe i krahasueshëm.
Këtu nuk kam parasysh volumet dhe kolanat e botuara me mbështetjen dhe kontrollin e strukturave shtetërore, por edhe risitë që paraqisnin ato studime, në mendimin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Padyshim, është e papranueshme që në pamjen e përgjithshme të jemi anatemues, pasi biblioteka akademike shqiptare u ndërtua pikërisht me këto kontribute dhe ndaj këtij fakti nuk gjejmë dot argument kundërshtues. Ajo që vihet re, kryesisht në vitet e tranzicionit, kohë kur Shqipëria u hap dhe u integrua në programet shkencore ndërkombëtare dhe ndërshtetërore, krijoi një dukuri të panjohur më parë: jo pak studiues u orientuan të sillnin në fondin e kërkimit, zbulimin dhe interpretimin e disa prej çështjeve, të cilat, studiuesit dhe institucionet universitare dhe akademitë e ndryshme në Evropë e më gjerë, i kishin trajtuar dhe ezauruar me kohë. Asokohe u duk, sikur kultura shqiptare u bë disi periferike edhe nga vetë studiuesit shqiptarë, por edhe në këtë rast koha vërtetoi të kundërtën dhe në këtë plan. Nuk mungojnë faktet dhe treguesit e botimtarisë, kryesisht të autorëve që me kohë e kishin ndërtuar një profil në këtë lëmë, por që ndihej se nuk po kishin pasues në këtë drejtim.
Në anën tjetër, brezi i studiuesve të rinj (fjalën kritik e kursej pasi edhe këtë aspekt, kontribut e kanë përmbushur sërish një pjesë e studiuesve apo krijuesve në fusha të ndryshme), e panë të udhës të ndërmerrnin një rishikim të temave dhe dukurive të prekura më parë nga studiuesit më të vjetër dhe kështu u rihapën temat e diskutimit, duke sjellë alternativa të reja gjykimi dhe këndvështrimi, mbi autorë dhe periudha të ndriçuara ndër dekada. Për këtë gjeneratë studiuesish të rinj, gjithçka ishte më e lehtë, pasi puna voluminoze ishte kryer dhe ndërkohë mbetej thjesht dhe vetëm zbulimi apo krijimi i një pikëpamjeje, thjesht disi më e ndryshme nga ajo e paraardhësve të tyre.
Në rastin e studiueses tashmë të mirënjohur Merita Toçila dhe veprës së saj studimore Kostumografia në Art, kemi të bëjmë me një punë jo vetëm me përgjegjësi dhe pretendime të larta shkencore, por edhe me prirjen për të depërtuar dhe hedhur dritë mbi disa tipare themelore që lidhen me kostumografinë kombëtare, me veçantinë, natyralitetin, mistiken dhe veshjen si kod komunikimi, me anë të simbolikës së paraqitur në kostumografitë e të gjitha trevave.
Në këtë studim është përvijuar një hartë e plotë e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, sa i përket kostumografisë, tipareve dalluese dhe veçantitë që ato përcjellin gjatë periudhave të ndryshme. Në të njëjtën kohë, me anë të këtyre veshjeve, lexuesi njeh dhe dallon shtresat e ndryshme shoqërore, disa nga elementët përbërës të traditës zakonore shqiptare, si edhe detaje identifikuese nga ritualet e lindjes, vdekjes, martesës dhe mortit. Kjo sepse veshja e ka bashkëshoqëruar njeriun që porsa vjen në këtë jetë, por edhe kur përcillet në të përtejmen, pavarësisht formave të përcjelljes. Ishte pikërisht veshja ai mjet që i fshehu lakuriqësinë qenies njerëzore, e transformoi në imazh dhe i përcaktoi stadet e jetës dhe të përkatësisë shoqërore, religjioze, ushtarake dhe po ashtu politike.
Jo vetëm me sjelljen e të dhënave të shumta burimore, artefakteve historike çka përbën një arsenal të plotë mbi të cilin ngrihet objekti i këtij studimi por edhe kundrejt një gjykimi analitik, Toçila na ka sjellë një vepër shteruese sa i takon hulumtimit dhe interpretimit të kostumografisë kombëtare, si një nga treguesit më përcaktues, e cila duket sikur rend paralelisht me gjuhën e shkruar që nga momenti kur njeriu hodhi vështrimin përtej vetvetes.
Teksa e lexon dhe përqendrimi rrit shkallën e njohjes, të duket sikur në këtë vepër është shkruar në të njëjtën kohë edhe një histori alternative e civilizimit të shoqërisë sonë, në periudha dhe kontinuitete ku mori rrjedhën e natyrshme e kaluara e pararendësve tanë.
Ky botim nuk mëton të përmbysë asnjë raport me botime të mëparshme, të cilat e kanë trajtuar apo prekur temën e kostumografisë, përkundrazi ky studim shfaqet më plotësues, pa diskutim më specifik në shumë anë të shpjegimit të formave, motiveve dhe ruajtjes deri në paprekshmëri të motiveve që pasuruan kostumografinë shqiptare, por edhe më përgjithësues sa i përket hulumtimit të të gjitha specifikave që vihen re në vizatimet dhe ngjyresat e veshjeve nga krahina të ndryshme, lidhja e tyre me natyrën, pasuritë që mishërohen në këto kostume si edhe me një nivel sipëror të ikonave dhe atë të hyjnores, të cilën aq dendur e hasim në epikën legjendare por edhe në traditën evropiane të artit figurativ në tërësi, gjë e cila dëshmohet qartazi në veprat dhe kryeveprat e krijuara në epokat e ndryshme mesjetare.
lerën që bartin secili prej studimeve që rrahin apo thjesht prekin këtë temë, vetvetiu theksi bie në raportin ndërmjet imazhit dhe tekstit që zënë vend në këto botime.
Në këtë rast, Toçila e përmbys këtë raport, duke i dhënë një hapësirë më të dedikuar tekstit dhe më të kontrolluar imazhit, pra në ndonjë rast, tek ndonjë autor volumi i tekstit nuk i është përgjigjur në rëndësinë e duhur shqyrtimit të veprës apo dukurisë që përfaqëson një autor apo zë vepra që e karakterizon si të tillë.
Këto janë shembuj me të cilat duket sikur jemi mësuar dhe përshtatur këto dekadat e fundit, por ajo që dihet është fakti se shkenca në vetvete ka kanionet dhe ligjet e saj të pandryshueshme, ku parimi parësor mbetet jo vetëm thjesht përcjellja e informacionit, por konceptimi i objektit të trajtimit, si fakt dhe prurje e qëndrueshme. Falë qasjes që ushtron autori për zbulim e interpretim të çështjes që ka marrë përsipër të studiojë, ky moment duhet të përkufizojë aktin që në një mënyrë apo në një tjetër vë në lëvizje mekanizmin që sendërton para së gjithash dituri dhe për më tepër përfshirjen në sistemin e vlerave identitare. Janë pikërisht këto vlera, elementët bazë që përbëjnë kolonat ku qëndron qytetërimi i kësaj pjesë të globit në harmoni dhe ndërthurje me pjesët e tjera, ku spikatin ndryshueshmëritë dhe kryeneçësitë e tyre autoktonike.
Vepra studimore Kostumografia në Art e Merita Toçilës, jo vetëm hedh dritë dhe kthen vështrimin nga e kaluara, por krejt natyrshëm ajo të shtyn drejt kohëve moderne, duke të qartësuar idetë dhe dilemat mbi format dhe detajet përbashkuese që mori me vete në kalvarin e saj shtegtues kostumografia, duke dhënë dhe deshifruar më së miri, konturet njerëzore; ato individuale dhe kolektive, në marrëdhënie me ciklet e ndryshme të jetës, duke mos harruar për asnjë moment timpanet e asketizmit por edhe jetesën në bashkësi, e deri tek veçimi jo si proces meditues por i joshur nga bashkëjetesa virtuale dhe digjitalizimi i mjeteve formale të mbijetesës.
Kostumografia në art, në thelb është një botim që i kushtohet veshjes dhe lidhjes së saj me njeriun, por, në fakt, teksa shkon si pakuptuar drejt fundit, dallon se ky udhëpërshkrim të ka zhveshur tinëz nga çdo kompleksitet apo pikëpamje që ke ruajtur dhe kultivuar disi me fanatizëm brenda vetes për vite a shekuj me radhë, i vetëm dhe krah të ngjashmëve a të pangjashmëve të tu, të së njëjtës gjindje.