“Ndryshimi fillon me ty”, Koçiu: Të rinjtë, garancia për një të ardhme të çliruar nga çdo formë e dhunës

0
54

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se ‘‘vizioni ynë është krijimi i një mjedisi ku të rinjtë jo vetëm që janë të ndërgjegjshëm për çështjet kritike, por janë edhe aktorë aktivë në krijimin e zgjidhjeve inovative dhe të qëndrueshme“.
Koçiu mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të programit Bootcamp “Ndryshimi fillon me ty”, pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave“, i cili bëri bashkë të rinj të apasionuar pas teknologjisë duke sjellë ide konkrete për të luftuar dhunën me bazë gjinore.
Në fjalën e saj, ministrja Koçiu vlerësoi se mbajtja e këtij aktiviteti te Piramida, e transformuar në Qendrën më të madhe teknologjike në rajon, është një simbolikë e bukur për ndryshimin që secili prej nesh ka në dorë të bëjë.
“Ky program është një shembull frymëzues i fuqisë së bashkëpunimit dhe potencialit të jashtëzakonshëm të të rinjve shqiptarë në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt, më të drejtë dhe më të barabartë. Përmes këtij programi, të rinjtë kanë marrë jo vetëm njohuri dhe aftësi të reja, por edhe mjetet e nevojshme për të hartuar dhe zbatuar zgjidhje konkrete që kanë potencial për të sjellë ndryshim të qëndrueshëm në komunitetet në të cilat ne jetojmë”, u shpreh Koçiu duke vlerësuar pjesëmarrjen e të rinjve në programin “Ndryshimi fillon me ty”,

Ajo tha se njohuritë e tyre teknologjike janë vërtet të vyera për të luftuar edhe një fenomen gjithmonë e më të rrezikshëm të dhunës, bullizimin online. “Ne kemi ngritur mekanizmat tonë të luftës me koordinatorët e caktuar në të gjithë njësitë vendore të vendit, si dhe me bashkëpunimin e ngushtë të lidhur me Policinë e Shtetit. Megjithatë, kjo është një luftë ku të rinjtë e talentuar në fushën e teknologjisë mund të japin një kontribut me të vërtetë të jashtëzakonshëm. Do të vijojmë të forcojmë më tej mekanizmat socialë, programet e dedikuara në komunitet, si dhe ombrellën tonë të mbrojtjes për të asistuar të gjithë viktimat”, nënvizoi ministrja.
Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu iu drejtua të rinjve duke shprehur besimin se “të gjithë ju, vajza dhe djem të rinj këtu, nuk do të pranoni asnjë përqindje të tolerimit të dhunës përveç asaj që është zero në të ardhmen tuaj. Kjo është garancia më e mirë që kemi! Dhe kjo më bën vërtet besimplotë për këtë koalicion të madh që po krijojmë kundër dhunës dhe për një të ardhme të çliruar nga çdo formë e dhunës”.

Bootcamp-i u zhvillua nga UNDP në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave – Faza e dytë”, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në partneritet me AWA – Gruaja Shqiptare në Audioviziv.Pesë grupe të rinjsh prezantuan ide konkrete dhe të realizueshme për të luftuar dhunën me bazë gjinore.
Dy idetë më të mira u shpallën fituese: “SOS – Mozaiku i Zërave”: Një “mur” ndërgjegjësimi dhe solidariteti që mbledh dëshmi anonime mbi ngacmimet seksuale, duke krijuar një tablo kolektive për të nxitur ndryshimin si dhe “IDEA – Fuqia e Teatrit si Mjet Ndërgjegjësimi”: Një shfaqje interaktive që përdor artin dhe edukimin për të provokuar reflektim dhe veprim kundër dhunës.