Shkëlqimi dhe rënia e heshtur e një ylli, Parashqevia nuk e do lëmoshën tonë!

0
124

Teksa zbukuroja bredhin e Krishtlindjes po dëgjoja këngë shqip në youtube, i cili zgjodhi disa herë automatikisht këngë të Parashqevi Simakut. Kuptohet pse; sepse ajo ka qenë sot më e klikuar se kurrë. Natyrisht shumë më e klikuar edhe nëse do të kishte bërë ndonje sukses të madh në SHBA.

Kur dëgjova zërin e saj të brishtë në atë video dhe njoha buzëqeshjen e bukur, më kapi trishtimi nëse ato që thuhen e duken janë të verteta dhe ajo që më shkoi menjeherë ndërmend është se jeta për askënd nuk është vaj dhe jo çdo ditë e saj është si ajo që rrëfejmë në TV, Facebook dhe Instagram.

Sidoqoftë, më duket mizori publikimi i asaj videoje shoqëruar me komentet “e pastrehë” “kërkon lëmoshë” dhe shumë hipokrizi kjo “furtunë” kombëtare keqardhjeje e thirrje për ndihmë.

Nese Parashqevia do te donte ndihmen tonë, do e kishte kërkuar. Nuk e ka kërkuar, nuk është shfaqur për vite të tëra, na është shmangur dhe ka arsyet e saj. Ajo nuk “shiti mend” kur ishte mirë dhe nuk po qahet as tani.

Që kur iku, askush nuk u kujtua për Parashqevinë. As në kohët kur me siguri ka bërë një jetë normale e ndoshta të bukur, as kur ajo filloi të kishte problemet e saj, që askush s’ia di kur merr persiper t’ia qajë. Ajo ka zgjedhur mënyrën e të jetuarit e të të vuajturit, paqësisht dhe pa e humbur buzeqeshjen.

Parashqevi Simaku është nga të paktët artistë shqiptarë që sapo doli në skenë shkëlqeu. Shkëlqimi i saj krijoi shumë “armiq” dhe shumë adhurues, ndriçoi në ditët e zymta, u bë idhull i rinisë për kohën e saj.

Ajo iku larg dhe nuk na “trazoi” kurrë. Në heshtje u përpoq të ruajë privatësinë e e saj me të mirat dhe të këqiat e jetës, ndaj duhet respektuar duke mos e bere objekt thashethemi, keqardhjeje, mëshire, kënaqësie tinëzare, apo me keq akoma, përfitimi nga klikimet. Ta lemë të qetë dhe kush dëshiron të bëjë diçka (të pakërkuar) për të, le ta bëjë në heshtje e larg syve të të tjerëve.

Nëse duam ta komentojmë, Parashqevi Simaku ka lënë këngët që këndoi, pamjen e bukur pa filtra e fillera dhe aurën e saj, që akoma nuk e ka asnjë artist tjetër në Shqipëri.