Një atentat mafioz në Athinë i mori jetën 45-vjeçarit shqiptar Irakli Davella, i cili u qëllua me plumb në kokë sapo doli nga një kafene dhe u plagos rëndë Edi Lulo, nga Tirana.
Raportohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të fëmijëve, pasi pranë vendit të ngjarjes është edhe këndi i lojërave të lokalit nga ku viktima doli para se të qëllohej.
Media greke “News247”, shkruan se ka pasur dëshmi se djali i viktimës ka telefonuar shokun e tij dhe i ka thënë për ngjarjen tragjike.
“Më kanë vrarë babanë!”, thuhet se është shprehur ai. Irakli Davella nga Saranda, mësohet se ishte i martuar dhe ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, e cila studionte për drejtësi.
Një grua e pranishme në vendngjarje ka rrëfyer se kur kanë dëgjuar të shtënat me armë zjarri kanë menduar se po hidheshin fishkzjarrë, por një fëmijë ka parë ngjarjen, dhe u ka thënë “i kanë vrarë, i kanë goditur”.
“Kemi dëgjuar të shtëna dhe pamë njerëz të veshur me të zeza. Në fillim menduam se po shkrepnin fishekzjarre. Më pas, pamë një fëmijë që po thoshte “i kanë vrarë, i kanë goditur”. Policia erdhi mjaft shpejt, dhe pas pak minutash filloi të mblidhej populli, pasi në fillim nuk kuptuan çfarë kishte ndodhur”, tha ajo.
Kush është Irakli Davella?
Irakli Davella, sipas një dokumenti të Parlamentit grek, ishte pjesë e një grupi ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018).
Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjec shqiptar i arrestuar këtë vit si pjesëtar i një grupi gjobëvënësish, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars në Pire.
Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobëvënie”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash”, etj.
Informacionet nga mediat greke, bëjnë me dije se 45-vjeçari që humbi jetën, ishte pronar lokali në Peristeri dhe se policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh. Nga hetimet ka rezultuar se në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur procedim penal për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale.
Shënjestra megjithatë thuhet se ka qenë edhe njeriu i cili ka mbetur i plagosur rëndë dhe po lufton për jetën, Edi Lulo, i cili kishte ardhur së fundi në Greqi nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol kyç në pritë.
Autoritetet greke vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga.
Vlen të theksohet se, sipas raportimeve, së bashku me 45-vjeçarin që humbi jetën dhe të plagosurit, ka qenë edhe një burrë tjetër, i cili nuk është prekur nga plumbat.
Kush është i plagosuri Edi Lulo?
Si pasojë e atentatit ka mbetur i plagosur edhe një biznesmen shqiptar, i identifikuar si Edi Lulo, 46 vjeç, lindur në Gjon të Pukës dhe banues në Kamëz, Tiranë.
Ai rezulton pronar i shoqërisë tregtare me ortakëri dhe përgjegjësi të kufizuar “ED – LUI” sh.p.k në Durrës, krijuar në shtator 2020. Aktiviteti i shoqërisë rezulton “punime elektrike, hidraulike dhe punime gipsi dhe kartonxhesi”. Lulo rezulton të ketë mbërritur pak ditë më parë në Greqi, i ardhur nga Dubai. Ai ndodhet i plagosur rëndë në spital, me plagë në kokë e bark
Sipas mediave greke, ai kishte pak ditë që ishte kthyer në Athinë, pasi kishte qenë në Dubai.
DINAMIKA E NGJARJES
Nga mënyra se si sulmuan sulmuesit, duket se ata e kishin planifikuar sulmin dhe prisnin momentin e duhur. Para krimit ata vodhën një makinë nga Athina, u drejtuan për në zonë, iu afruan viktimat dhe filluan të qëllojnë.
Sulmi ndodhi jashtë një dyqani në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotinit, ku autorët qëlluan me gjakftohtësi mbi viktimat dhe më pas u zhdukën nga vendngjarja.
Policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të krimit në Greqi, të cilët janë vrarë mes grupeve rivale të mafies greke.