Qeveria e re në SHBA, Donald Trump emëron Zëvendës Sekretar të Shtetit një greko-amerikan. Kush është Michael Rigas

0
16

Greko-amerikani Michael J. Rigas, është emëruar Zëvendës Sekretar i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti Trump shprehu besimin e tij për Rigas, duke deklaruar se ai është një konservator që e di se si funksionon qeveria dhe do të ndihmojë në Rindërtimin e Amerikës.

“Jam i kënaqur të nominoj Michael J. Rigas për pozitat e Zëvendës Sekretar i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet. Michael do të sjellë përgjegjësi në Departamentin e Shtetit, ashtu siç bëri për të gjithë Qeverinë, kur shërbeu në mandatin tim të parë si Zëvendës dhe Drejtor i Përkohshëm i Zyrës së Menaxhimit të Personelit, si dhe Zëvendës Drejtor i Përkohshëm për Menaxhim në Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit. Mike është një luftëtar konservator që e di se si funksionon qeveria dhe do të ndihmojë në Rindërtimin e Amerikës,” tha Trump.

Rigas ka një master në administratën publike nga Shkolla Kennedy e Qeverisë e Universitetit të Harvardit, si dhe diploma bachelor dhe master në ekonomi nga Universiteti i Bostonit.

Gjatë karrierës së tij, Rigas ka punuar në sektorët publik dhe privat, duke u fokusuar në përmirësimin e performancës organizative dhe përmirësimin e operacioneve. Roli i tij në shërbimin publik përfshin detyrat si Këshilltar i Lartë dhe Zëvendës Administrator në Administratën e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) dhe Shef i Shtabit në Departamentin e Shërbimeve për Veteranët të Massachusetts.

Ai ka shërbyer gjithashtu si Drejtor i Projektit të Kalimit “America First” në Institutin për Politikat “America First”.