Kisha e Suedisë në Goteborg është ngarkuar nga Agjencia Kombëtare për Emergjencat Civile të përgatitet për mundësinë e varrosjes së 30 mijë ushtarëve në rast lufte ose një “katastrofe të madhe”. Lajmin e ka raportuar agjencia “Nordic Times”. Liderët suedezë, shkruan gazeta, së fundmi janë përpjekur të përcjellin mesazhin se Suedia tashmë është në luftë me Rusinë ose të paktën se “lufta së shpejti mund të bëhet një realitet”.
Agjencia Kombëtare Suedeze e Emergjencave Civile u kërkoi gjithashtu kishave suedeze dhe drejtorëve të kompanive të funeraleve të përgatiten dhe të sigurojnë terrene për të varrosur një numër shumë të madh të të vdekurve në një kohë të shkurtër.
“Duhet të jemi gati për të varrosur ushtarët e rënë. Kjo është një masë e rëndësishme dhe ne duam të fillojmë përgatitjen që tani” – tha Katarina Evenseth, drejtuese e varrezave në Kishën Luterane të Suedisë, e cila drejton shumicën e varrezave në komunën e Goteborgut.
Agjencia i kërkoi bashkisë së Goteborgut të siguronte 10 hektarë tokë në mënyrë që ekuivalenti i 5% të popullsisë të mund të varrosej brenda një kohe të shkurtër. “E veçanta e varreve të luftës është se trupat e ushtarëve të rënë duhet të transferohen në vendet e tyre të origjinës ose qytetet e origjinës vetëm kur situata të jetë përsëri e qetë”, – tha Evenseth, e intervistuar nga radioja publike suedeze “Sveriges Radio”.