Detaje të reja dalin lidhur me atentatin mafioz kundrejt dy shqiptarëve ditën e djeshme në Athinë, Irakli Davella dhe Edi Lulo dukë lënë të vdekur në vend 45-vjeçarin Davella.
Mediat në Greqi raportojnë se hetimet po tregojnë se shënjestër i atentatit nuk ishte viktima, por shqiptari tjetër që mbeti i plagosur, Edi Lulo, 44 vjeç i lindur në Gjon të Pukës dhe banues në Kamëz.
Sipas burimeve nga policia greke pas komunikimit me autoritetet shqiptare është vërtetuar se identiteti Edi Lulo është i ndërruar.
Policia greke ka siguruar identitetin e vërtetë të shqiptarit, i cili rezulton i dënuar në Greqi për ngjarjen e vitit 2011.
Ai u dënua për një grabitje të madhe në Dhomën e Avokatëve të Athinës në vitin 2011, ku u vodh një shumë prej 405 mijë eurosh dhe u mbajtën peng disa punonjës në Dhomën e Avokatëve të Athinës. Nën kërcënimin e armëve u grabitën 405.000 euro.
Vitet e fundit ai erdhi në Greqi me identitet të rremë, pasi në të kaluarën kishte qenë i dënuar.
Kujtojmë se dy personat, viktima dhe i plagosuri pak para sulmit ishin takuar me disa persona të tjerë në zonë. Persona të cilët tashmë janë në kërkim nga autoritetet për të përcaktuar nëse kanë ndonjë lidhje me ngjarjen.
Sipas burimeve policore greke, “goditja” është cilësuar si “profesionale”. Siç pohojnë të njëjtat burime, në vendngjarje janë gjetur vetëm tre gëzhoja pistolete, ndërsa në vrasje të tilla është zakon të shihet breshëri zjarri.
DYSHIME DHE DETAJE
Pasditen e djeshme mediat greke kanë ngritur dyshimin se Davella mund të mos ketë qenë shënjestër e atentatit, pavarësisht të shkuarës së tij që lidhet me krimin. “Policia beson se bëhet fjalë për një pastrim hesapesh, nisur nga e kaluara e 47-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të natës, të cilët janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafies greke. Po ashtu, në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur lëndë për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk i ka angazhuar më autoritetet. ‘Person i interesit’, megjithatë ka qenë edhe njeriu, i cili ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe bark dhe po lufton për jetën.
I plagosuri kishte ardhur së fundi në vendin tonë (Greqi) nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol në pritën vrasëse. Me fjalë të tjera, ata vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga. Vlen të theksohet se sipas raportimeve, së bashku me 47-vjeçarin që humbi jetën dhe burrin e plagosur, ka qenë edhe një burrë që nuk është prekur nga zjarri”, – shkruan “Protothema”.
“Për shqiptarin Irakli Davella dikur u fol edhe në Parlamentin grek”
Irakli Davella, viktima e atentatit të djeshëm në Athinë, konsiderohet një personazh i lidhur prej vitesh me botën e krimit në Greqi. Në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në vitin 2013, ku përmenden personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobëvënie, vrasje, pastrim parash etj., nënvizohet edhe emri i 47-vjeçarit nga Mesopotami i Finiqit, i vrarë dje në Athinë. Ky i fundit rezulton të kishte pasur lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës, madje edhe pronar i pasurive të paluajtshme në këto vende. Bëhet fjalë për diskutim të partisë “SYRIZA”, mbështetur edhe me dokumente zyrtarë dhe disa të marra nga mediat greke, lidhur me veprimtarinë e njërit prej pjesëtarëve të këtyre grupeve kriminale.
Mes të tjerash, në dokument, pasqyrohen emrat e pjesëtarëve të disa grupeve. Konkretisht në grupin e cilësuar “B”, ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018), rezulton edhe emri i Irakli N. Davella. Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjeçar shqiptar i arrestuar sivjet si pjesëtar i një grupi gjobëvëniesh, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars, në Pire. Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobëvënës”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash” etj.. Nuk dihet ekzaktësisht se në cilën nga këto vepra të grupit ka qenë i përfshirë 47-vjeçari shqiptar.
Megjithatë, policia greke dhe asnjë prej autoriteteve ligjzbatuese në Greqi nuk kanë mundur të fiksojnë asnjë fakt penal të kryer nga Davella viteve të fundit, duke bërë të mundur kështu edhe dyshimet se shënjestër mund të kishte qenë miku i tij i ardhur nga Dubai, i cili mund të ketë zgjuar interesin e grupit rival për ta ekzekutuar. Megjithatë, hetimet do të vijojnë në një sërë pistash, bëjnë me dije mediat greke.