Dy shqiptarë kanë rënë dje në një pritë të mirorganizuar në Athinë, ku pas breshërisë së plumbave të lëshuar mbi ta, njëri ka humbur jetën dhe tjetri është në spital në gjendje të rëndë.
Atentatorët, që besohet se kanë qenë tre, dy me armë dhe një i tretë duke i pritur në makinë, kanë mundur të zhduken, ndërkohë pas kanë lënë jo vetëm viktimë, të plagosur, por edhe misterin e personit shënjestër. Policia greke ka mundur të identifikojë shpejt viktimën, për shkak se ai ishte jo pak i njohur për ta. Emri i tij ishte fort i lakuar prej afro 15 vjetësh, aq sa më herët ishte përmendur edhe në Parlamentin grek. Ndërkohë, personi tjetër që e shoqëronte, thuhet se kishte udhëtuar nga Dubai ditëve të fundit për t’u takuar me mikun e tij, të cilët dje u përballën me sulmin e armatosur.
Policia greke saktësoi se personi i vrarë është Irakli Davella, 47 vjeç, nga Delvina, një emër shumë i njohur i botës së krimit në Greqi. Me të, në tavolinë gjendej Edi L., një 45-vjeçar, i cili sipas autoriteteve greke ka hyrë ditëve të fundit në Greqi i ardhur nga Dubai. Orë pas ngjarjes, mediat greke hodhën dyshime se në tavolinë me dy shqiptarët ka qenë edhe një person i tretë, por deri vonë nuk ishte identifikuar nga policia. Janë marrë dëshmi, prova dhe pamje filmike të momentit fatal kur është qëlluar mbi shqiptarët, ndërkohë që grupi hetimor për të shkuar tek autorët dhe shkaqet është rikthyer edhe njëherë në të shkuarën e viktimës, një biznesmen dhe i konsideruar si bashkortak në disa aktivitete kriminale me emra proverbial të krimit vendës. Për shqiptarin tjetër, autoritetet hetimore greke do të kërkojnë ndihmën e homologëve që nga Shqipëria e deri në Dubain e largët, vendi ku strehohen me dhjetëra anëtarë të krimit të organizuar shqiptar.
DYSHIME DHE DETAJE
Pasditen e djeshme mediat greke kanë ngritur dyshimin se Davella mund të mos ketë qenë shënjestër e atentatit, pavarësisht të shkuarës së tij që lidhet me krimin. “Policia beson se bëhet fjalë për një pastrim hesapesh, nisur nga e kaluara e 47-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të natës, të cilët janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafies greke. Po ashtu, në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur lëndë për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk i ka angazhuar më autoritetet. ‘Person i interesit’, megjithatë ka qenë edhe njeriu, i cili ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe bark dhe po lufton për jetën.
I plagosuri kishte ardhur së fundi në vendin tonë (Greqi) nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol në pritën vrasëse. Me fjalë të tjera, ata vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga. Vlen të theksohet se sipas raportimeve, së bashku me 47-vjeçarin që humbi jetën dhe burrin e plagosur, ka qenë edhe një burrë që nuk është prekur nga zjarri”, – shkruan “Protothema”.