Nga Erl Kodra
Njerëzit plaken përditë, por gjithashtu lindin njerëz të rinjë që zëvëndësojnë të vjetërit. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë. Është një ligj që e njohin të gjithë, fetarë dhe ateistë.
Por disa kanë lindur për të kaluar jetë plotë mirëqenie materiale, disa të tjerë për të vuajtur, megjithatë fundi është i njëjtë; të merr vdekja në krahë dhe të shpie në botën e përtejme pa të pyetur fare.
Disa syresh e sfidojnë vdekjen dhe vendosin vet se kur do të marrin udhëtimin pa kthim. Këta janë sfiduesë, jo mahi.
Ka njerëz me talent të madh që jeta i rrëzon përtokë. Ata janë si fara e mirë e një peme të rrallë që lindë në një tokë djerrë. Të tjerëve mund t’u buzëqesh fati, dhe lehtësisht mund të shkëlqejnë. Labirinthet e fatit janë të paparashikueshme dhe sfiduese.
Rallë mund të ndodh – shumë rrallë – që njerëz special të lindin mes nesh, të shkëlqejnë si yje dhe papritur të shuhen. Kjo kategori speciale jeton dhe digjet vetiu, ndonjëherë prej fatit, rrethanave, por shumicën e herëve ata digjen prej ëndrrave të tyre. Po po, ëndrrat.
Digjen dhe shuhen në vetmi. Duket sikur kjo është pjesë e skenarit, rezervuar vetëm për këtë kategori ëndrrimtarësh, që edhe në aktin e tyre të fundit, ata papritur rrezatojnë me tërë fuqinë e një YLLI.