Dushan Vlahoviç është në qendër të ciklonit pas sjelljes së tij të fundit në mbyllje të ndeshjes mes Juventusit dhe Venecias. Sulmuesi serb ofendoi tifozët kundërshtarë e sikur të mos mjaftonte kjo, u përfshi në polemika edhe me tifozët bardhezinj.
Mediat italiane raportojnë se sot në klub, sulmuesi ka shpjeguar versionin e tij të ngjarjeve për momentet e tensionit në fund të sfidës. Ai bëri të ditur se një tifoz i veçantë në tribunë kishte nisur të lëshonte fyerje ndaj tij dhe më pas e kishte kërcënuar me vdekje nëpërmjet një gjesti.
Sipas tij, emocionet kishin bërë të vetën ndaj kishte reaguar në atë mënyrë. Por sulmuesi më pas kishte insistuar se nuk kishte asgjë me tifozët bardhezinj, të cilët sipas tij, e kanë mbështetur edhe në momentet më të vështira, ndonëse pas barazimit me Venecian koret e tyre ishin kundër sulmuesit.
Më pas, ai ka postuar edhe në rrjetet sociale një shpjegim të shkurtër për mbështetësit e shumtë. “E kuptoj pakënaqësinë për rezultatet e fundit dhe keni të gjithë të drejtën ta tregoni. Ju kam respektuar gjithmonë duke dhënë gjithçka për fanellën dhe ju falënderoj për mbështetjen që na jepni çdo ditë. Tani është e rëndësishme që të vazhdojmë të mbështetim skuadrën dhe të rinisemi të bashkuar të gjithë së bashku”, shkruante Vlahoviç në mesazhin drejtuar tifozëve.