BallinaAktualitetSheherlinjtë e Dibrës dhe Mëhalla e Dibranëve: Edhe kjo është një histori...

Sheherlinjtë e Dibrës dhe Mëhalla e Dibranëve: Edhe kjo është një histori e Tiranës

spot_img
spot_img

Mahalla e Dibranëve është një nga toponimet e mirënjohura për të gjithë tiranasit e vjetër. Një pjesë e madhe e dibranëve sheherli janë vendosur pikërisht në këtë pjesë të Tiranës pas vitit të errët 1913, kur ata u detyruan dhunshëm të largohen nga shtëpitë e tyre në Dibër të Madhe.

Emigracioni i viteve 1912-1913 bart në vetvete karakterin e dhunës nga serbët, ku pothuajse i gjithë qyteti i Dibrës u shpërngul apo në një farë mënyre u përzunë dhe për shumë pak kohë u zbraz pothuajse i tërë qyteti. Këtë shpërngulje të dhunshme të dibranëve në këtë periudhë për në Shqipëri, ku fillimisht shkuan në Elbasan e më pas u vendosën në Tiranë, e tregon fakti që sot në Tiranë kemi mbi 55.000 banorë të cilët janë me prejardhje dibrane. Shumë nga këto familje me origjinë dibrane, në Dibër pothuajse nuk ekzistojnë më. Sot në Dibër nuk ekziston më familja Çausholli, një familje aristokrate, familja Jorganxhiu, Abule, Strazimiri, një familje e pastër dibrane, si dhe shumë familje të tjera që janë detyruar nga dhuna serbe të emigrojnë për në Tiranë.

Kjo është vala e parë e dibranëve që mbërritën në Tiranë nga dy rrugë të ndryshme. Një grup ndoqi rrugën Dibër-Strugë-Elbasan-Tiranë, ndërsa tjetri Dibër-Mat-Shkallë e Tujanit-Tiranë. Pak familje zunë vend në Elbasan, ndërsa pjesa më e madhe e tyre zuri vend në Tiranë. Të gjithë këta sheherlinj mbërritën vetëm me rrobat e trupit, sepse nuk patën kohë të merrnin ndonjë plaçkë. Vuajtjet e atij udhëtimi të vështirë, të parët e familjeve dibrane i morën me vete në varr dhe iu lanë pas ndjenjën e mirënjohjes së thellë pasardhësve të tyre për Tiranën, që i mirëpriti dhe ua hapi dyert e bujarisë. Në këngën e tij, ku falënderon Tiranën dhe tiranasit, Haxhi Maqellara thotë:

Aty hangrëm bukë e krypë,

Tuj punu, e jo tuj lypë…

Familjet dibrane u integruan me shoqërinë e kohës dhe dalloheshin për përkushtimin e tyre ndaj familjes dhe punës. Kjo i bëri ata ta tejkalonin me shpejtësi vuajtjet e atij eksodi të tmerrshëm.

Ata u vendosën në disa pjesë të Tiranës, por një pjesë e madhe e tyre themeluan atë që njihet edhe sot nga të gjithë, Mahalla e Dibranëve. Familjet dibrane u vendosën kryesisht në të djathtën dhe të majtën e Xhamllikut apo Sheshit Shtraus dhe aty ndihmuan njëri-tjetrin të mëkëmbeshin. Shumë shpejt e blenë truallin, ku ndërtuan shtëpitë dhe me punë e përkushtim i dhanë jetë një Tiranë të re. Dyert e shtëpive rrinin të hapura dhe ashtu si i mikpritën tiranasit, ata iu përgjigjën me të njëjtën monedhë bujarie atyre. Madje shumë shpejt filluan martesat ndërmjet tiranasve dhe dibranve, saqë 80% e familjeve të hershme dibrane pasardhësit e tyre kanë njërin prind dibran dhe tjetrin tiranas.

Disa nga mbiemrat që mund të përmendim këtu të Mahallës së Dibranëve janë: Saraçi, Klloboçishta, Sengla, Jashari, Shamku, Torozi, Çanka, Ostreni, Muhaxhiri, Gorenca, Varvarica, Çoku, Basha, Pregja, Pustina etj.

Tirana ka pasur disa pika ku janë vendosur familjet dibrane, si: te Namazgjaja, mahalla Shebekve, Selvia, Pazari i Ri, Abdullah bej etj., ku në periudha historike ka pasur lëvizje të ndryshme demografike. Komuniteti dibran është i dyti i ardhur në Tiranë, ku përpara tyre kanë qenë të vendosur çobanët apo llaci-facët e Tiranës (vllahët).

Një pjesë e atyre që u vendosën pranë zonës së Pazarit të Ri janë familja e Xhelo Dibrës, Xhuglinët, Kurinjtë, Hysat, Borovat, Turkeshët dhe të tjerë. Ishin pikërisht familjet dibrane që ndihmuan në ndërtimin e godinës së re të Xhamisë së Kokonozit në vitin 1933, së bashku me familjen tiranase Kokonozi, pasardhësit e Mahmud agë Kokonozit, i cili ishte ai që e ndërtoi i pari xhaminë. Gjatë kësaj periudhe familjet dibrane u dalluan edhe për pjesëmarrjen e tyre në politikë, ku kujtojmë këtu Haxhi Vehbi Dibrën Agolli, me Hafuz Sherif Langun, familjen Shatku e dalluar për juristët e shquar që i dha këtij vendi. Regjentin Fuad Dibra, i cili e shkriu të gjithë pasurinë e vet për Shqipërinë, Hafuz Xhemalin, i cili la Stambollin dhe postet e larta atje për të dhënë kontributin e vet për Shqipërinë.

Pas Luftës së Dytë Botërore do të vinte një valë e re dibranësh nga Peshkopia dhe rrethinat e saj. Gjatë kësaj kohe shumë dibranë u shquan në të gjitha fushat e jetës, si në sport, muzikë, shkencë etj. Emri i Agim Bardullës është shumë i njohur në shkencat matematikore, si dhe Hiçmet Gonxhes nga topografët e parë që hodhën në harta relievin malor shqiptar.

Emra të tjerë të shquar në sport mund të përmendim Feti Borovën dhe Luan Grevën në basketboll, Luan Senglën apo Lushkun, futbollist-mesfushor të shquar të Tiranës, Ramiz Pregja, gjyqtar futbolli. Në fushën e artit kompozitorët Agim Krajka, Munir Shehu, Naim Plaku e Is’hak Shehu; aktorin Sulejman Pitarka, violonçelistin e famshëm Ymer Skënderi, regjisorin dhe karikaturistin Bujar Kapexhiu, Adriatik Metuli, solist dhe koreograf në Ansamblin e Valleve Popullore, aktoren dhe balerinën Adivije Sharofi, balerinën e shquar Mukades Erebara, pasticierët e familjes Reka, të mirënjohur në të gjithë Tiranën për ëmbëlsirat e tyre.

Pas viteve 1990 sheherlinjtë e Tiranës janë mbledhur rreth shoqatës “Bashkësia Dibrane”, ku me veprimtari të ndryshme në Tiranë dhe në Dibër të Madhe përpiqen të ruajnë vlerat dhe lidhjet e vjetra me qytetin nga e kanë prejardhjen. Në krye të shoqatës është regjisori dhe karikaturisti i mirënjohur Bujar Kapexhiu. Marrëdhënie të ngrohta u vendosën me ish kryetarin e Komunës Dibër, dr. Ruzhdi Lata, duke shkëmbyer vizita dhe duke përkujtuar me sesione jubilare eksodin dibran të vitit 1913.

Hafuzlerët dibranë në shërbim të kombit: Hoxhë Voka (Said Najdeni); Hafiz Vildan Faik Dibra – (?-1925); Hafiz Raif Kadiu (1884-1943); Hafiz Ismet Dibra – (1886-1955); Hafiz Muharrem Mullahi (1880-1964); Hafiz Fiqiri Skënderi (1903-1969); Haki Sharofi (1894 – 1977); Salih Ferhat Hoxha -(1917-1995); Hafuz Xhemal Dibra; Haxhi Vehbi Dibra Agolli – (1867-1937); Hafiz Sherif Langu – (1877-1956).

Ja disa mbiemra:

1. Abule

2. Agolli

3. Alimani

4. Baholli

5. Bali

6. Ballanca

7. Balliu

8. Basha

9. Batku

10. Borova

11. Brekofska

12. Budini

13. Buxhaku

14. Cami

15. Çanka

16. Çausholli

17. Çoku

18. Çeliku

19. Daci

20. Dardha

21. Dervishi

22. Dibra

23. Difi

24. Doda

25. Drini

26. Erebara

27. Fishta

28. Filja

29. Gazideda

30. Gorenca

31. Gonxhe

32. Grazhdani

33. Guri

34. Guzja

35. Gjeleshi

36. Hajdari

37. Hasku

38. Hatibi

39. Haxhirexha

40. Haxhiymeri

41. Hoxholli

42. Hysa

43. Jashari

44. Jegeni

45. Jorganxhiu

46. Juca

47. Kaba

48. Kadiu

49. Kaja

50. Kapexhiu

51. Karpuzi

52. Kërçishta

53. Kërluku

54. Klloboçishta

55. Kodra

56. Korumi

57. Kosovrasti

58. Krajka

59. Krifca

60. Kuçka

61. Kuçuku

62. Kujofska

63. Kuriu

64. Laçi

65. Langu

66. Lata

67. Lazimi

68. Leksani

69. Lera

70. Lika

71. Lleshi

72. Maqellara

73. Mera

74. Muhaxhiri

75. Mullahi

76. Najdeni

77. Ostreni

78. Oshafi

79. Pasholli

80. Pijaneci

81. Pilku

82. Pirdeni

83. Pitarka

84. Plangarica

85. Pocesta

86. Popinara

87. Pregja

88. Pustina

89. Qatipi

90. Qylafku

91. Qorrpasha

92. Radovicka

93. Ramku

94. Reka

95. Reka-Ramadani

96. Reka-Shabani

97. Resuli

98. Rusi

99. Rustemi

100. Sakiqi

101. Saraçi

102. Sengla

103. Sfërdelli

104. Skënderi

105. Skudrina

106. Spahiu

107. Strazimiri

108. Sturçe

109. Shamku

110. Shatku

111. Shehu

112. Shijaku

113. Shkreta

114. Tërshana

115. Tomini

116. Torozi

117. Trenova

118. Turkeshi

119. Uruçi

120. Varvarica

121. Vejsiu

122. Verzivolli

123. Xhuglini

124. Zeqja

125. Zeraliu

126. Zllatku

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular