“Teoria e budallallëkut” e Bonhoeffer-it

0
13

ARIAN GALDINI

Budallallëku është më i rrezikshëm se e keqja. E keqja është e lehtë për t’u identifikuar dhe luftuar, budallallëku, jo aq shumë. Shprehja “të debatosh me një budalla është si të luash shah me një pëllumb” nënkupton se përpjekja për të përdorur logjikën dhe arsyen në një debat me dikë që nuk është i gatshëm të dëgjojë ose të shqyrtojë perspektiva e mundësi të ndryshme është e kotë, e padobishme, rraskapitëse dhe lënduese. Në analogji, pëllumbi do të rrëzojë e tentojë të hajë gurët e shahut, do të ecë kryelartë dhe do të shpallë veten fitues, pavarësisht sa mirë luan ti. Morali i historisë është që ta ruash energjinë tënde për debate më produktive dhe kuptimplota. Mark Twain ka një shprehje lapidare të tij, ku shkruan për të debatuarit me budallenjtë: “Kurrë mos debato me një budalla. Ai do të të ulë në nivelin e tij dhe do të të mundë me përvojë”. Të gjitha këto më sipër theksojnë një të vërtetë të rëndësishme: jo për gjithçka e jo gjithmonë ia vlen të debatosh, sidomos kur përballesh me kokëfortësi dhe mungesë arsyetimi.

PIKAT KRYESORE:

Kur diçka apo dikush është i keq, mund të ndërmarrim hapa për ta luftuar. Por me budallallëkun, kjo është shumë më e vështirë. Dietrich Bonhoeffer argumenton se budallallëku është më i rrezikshëm se e keqja, sepse mund të manipulohet dhe përdoret nga e keqja. Ai gjithashtu thotë se budallallëku shkon shpesh krah për krah me pushtetin — pra, të qenurit në pushtet do të thotë të dorëzosh aftësitë kritike individuale. Metafora e debatit me budallain si loja shah me pëllumbin, është një metaforë humoristike, por edhe shqetësuese. Edhe pse nuk e pranojmë gjithmonë, të gjithë kemi në jetën tonë njerëz që i konsiderojmë “pak të ngathët” — jo për gjithçka, por për disa gjëra me siguri. Shumicën e rasteve, këtë e marrim me sportivitet. Fundja, budallallëku mund të jetë edhe argëtues. Kur një mik i yni pyet me seriozitet “Cili ishte mbiemri i Hitlerit?” ne qeshim. Kur i vogli im kuptoi vetëm muajin e kaluar që drerët e Santa Clausit janë kafshë reale, kjo ishte thjesht komike. Gjëra të tilla bëhen pjesë e humorit të përditshëm. Por, budallallëku ka edhe anën e tij të errët. Për teologun dhe filozofin Dietrich Bonhoeffer, personi budalla është shpeshherë më i rrezikshëm sesa i ligu.

ARMIKU I BRENDSHËM

Në librat komikë apo filmat aksion, e keqja njihet qartë. Personazhet e ligj janë ata që vishen me rroba të errëta, vrasin pa ndonjë arsye të qartë dhe qeshin çmendurisht mbi planet e tyre djallëzore. Edhe në jetën reale, ne dimë të identifikojmë të ligjtë — diktatorët që shkelin të drejtat e njeriut, vrasësit serialë, apo kriminelët e dhunshëm. Por, sipas Bonhoeffer-it, ata nuk janë kërcënimi më i madh, sepse janë të njohur dhe të dallueshëm. Pasi një e keqe është e njohur, bota e së mirës mund të bashkohet për ta luftuar atë. Siç e shpjegon Bonhoeffer: “Mund të protestohet kundër së keqes, ajo mund të ekspozohet dhe nëse është e nevojshme, të ndalohet me forcë. E keqja gjithmonë mbart në vetvete farën e vetëshkatërrimit”. Por, budallallëku është një problem krejtësisht tjetër. Nuk mund ta luftojmë lehtësisht budallallëkun për dy arsye kryesore. E para, si shoqëri, jemi shumë më tolerantë ndaj tij. Ndryshe nga e keqja, budallallëku nuk shihet si ves që duhet dënuar. Nuk i kritikojmë ashpër të tjerët për padijen e tyre. E dyta, personi budalla është një kundërshtar “i rrëshqitshëm”. Nuk mund ta mposhtësh atë me debate apo logjikë. Përkundrazi, kur ballafaqohen me fakte të pakundërshtueshme, ata shpërthejnë dhe reagojnë me agresivitet.

Bonhoeffer shprehet kështu: “As protestat dhe as përdorimi i forcës nuk kanë ndikim, arsyet bien në vesh të shurdhër, faktet që kundërshtojnë paragjykimet e tyre thjesht nuk pranohen — në ato momente personi budalla bëhet edhe kritik. Dhe kur faktet janë të pakundërshtueshme, ato thjesht hidhen mënjanë si të parëndësishme, si të rastësishme. Në gjithë këtë, personi budalla, ndryshe nga i ligu, është plotësisht i vetëkënaqur dhe për shkak se irritohet lehtë, bëhet i rrezikshëm duke kaluar në sulm”. Me pushtet të madh vjen edhe budallallëk i madh. Ashtu si e keqja, edhe budallallëku nuk përbën kërcënim për sa kohë nuk ka pushtet. Ne qeshim me gjëra të padëmshme, si padija e një fëmije të vogël për drerët. Kjo nuk më shkakton asnjë dëm. Prandaj edhe bën për të qeshur. Problemi i vërtetë me budallallëkun është se ai shpesh shkon dorë për dore me pushtetin. Bonhoeffer shkruan: “Me një vëzhgim më të kujdesshëm, bëhet e qartë se çdo shpërthim i madh i pushtetit në sferën publike, qoftë ai politik apo fetar, infekton një pjesë të madhe të njerëzimit me budallallëk”. Kjo ndodh në dy mënyra. E para, budallallëku nuk të pengon të mbash pushtet. Historia dhe politika janë të mbushura me shembuj, ku njerëz të paditur apo të pakualifikuar kanë arritur majat (dhe ku të mençurit janë përjashtuar ose eliminuar). E dyta, natyra e pushtetit kërkon që individët të dorëzojnë disa prej aftësive të tyre më të rëndësishme për mendimin inteligjent — aftësi si pavarësia, mendimi kritik dhe reflektimi. Bonhoeffer argumenton se sa më shumë një person bëhet pjesë e strukturës së pushtetit, aq më pak mbetet individ. Një i jashtëm karizmatik dhe i zgjuar, plot ide të arsyeshme, shndërrohet në një idiot sapo merr postin. Është sikur “sloganet, parullat dhe të ngjashmet… ta kenë pushtuar shpirtin. Ai është nën një magji, i verbuar, i manipuluar dhe i abuzuar në qenien e tij më thelbësore”. Pushteti i shndërron njerëzit në automatonë. Mendimtarët e zgjuar dhe kritikë kthehen në individë që recitojnë fraza të paracaktuara. Ata zgjedhin të buzëqeshin në vend që të mendojnë. Kur njerëzit i bashkohen një partie politike, duket se shumica preferon të ndjekë turmën sesa të mendojë në mënyrë të pavarur. Pushteti e thith inteligjencën nga individi, duke e kthyer atë në një manekin të animuar.

TEORIA E BUDALLALLËKUT

Bonhoeffer argumenton se budallallëku duhet parë si më i keq se e keqja. Budallallëku ka potencial shumë më të madh për të dëmtuar jetët tona. Më shumë dëme shkakton një idiot me pushtet sesa një grup intrigantësh të paskrupullt. Kur ka të keqe, ne dimë ku qëndrojmë. Më të korruptuarit, shtypësit dhe sadistët, ne dimë si të marrim qëndrim. Por budallallëku është shumë më i vështirë për t’u çrrënjosur. Prandaj është një armë kaq e rrezikshme. Për shkak se njerëzit e ligj e kanë të vështirë të marrin pushtetin, atyre u duhen njerëz budallenj që t’i bëjnë punët e tyre. Si delet në një kullotë, një person budalla mund të udhëhiqet, të manipulohet dhe të përdoret për çdo gjë. E keqja është një mjeshtër kukullash dhe asgjë nuk e kënaq më shumë sesa kukullat mendjepakta që e mundësojnë atë — qofshin këta individë nga populli, apo brenda korridoreve të pushtetit. Mësimi nga Bonhoeffer është ky: Qeshni me momentet e ngathëta dhe të padëmshme kur jeni mes miqsh, por kthehuni të zemëruar dhe të shqetësuar kur budallallëku merr frerët e drejtimit./