Bajram Begaj përshëndet hapjen e grup-kapitullit të gjashtë të negociatave për anëtarësim: Vendimi, afron hyrjen në BE

0
48

Presidenti Bajram Begaj, përshëndeti hapjen e grup-kapitullit të gjashtë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, vendim i marrë sot në Konferencën e Tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të mbajtur në Bruksel.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, presidenti Begaj vlerëson se një vendim i tillë afron hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës i përcjellë në profilin zyrtar në rrjetet sociale:

“Përshëndesim hapjen e negociatave për grup-kapitullin e gjashtë.
Vendimi i sotëm dëshmon për ecurinë e sigurt të Shqipërisë drejt anëtarësimit në një të ardhme të afërt në BE”.

Këshilli Evropian miratoi sot konkluzionet për zgjerimin e BE-se që mbulojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në konkluzionet për Shqipërinë, Këshilli mirëpriti hapjen e grup-kapitujve “Themeloret” në në konferencën e dytë ndërqeveritare më 15 tetor 2024 dhe hapjen e grup-kapitujve “Marrëdhëniet e Jashtme”.

Këshilli vlerëson objektivin e qeverisë për të vazhduar progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, nxit të gjitha forcat politike të ndjekin planin e tyre ambicioz për mbylljen e negociatave të anëtarësimit dhe pret të jetë në gjendje të hapë grupe të mëtejshme negociuese sa më shpejt të jetë e mundur, pas plotësimit të kushteve.

Duke vënë në dukje se polarizimi politik vazhdon të ndikojë në aktivitetet e parlamentit, Këshilli Evropian rikujton se dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet vendimtar për progresin në reformat që kanë të bëjnë me BE-në.