Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndet mbajtjen e Konferencës së Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri vendosi sot çeljen e negociatave për grup-kapitullin VI-Marrëdhëniet e jashtme dhe Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.
Përmes një postimi në rrjetin social “X” Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, thotë se Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri është një tjetër hap i rëndësishëm drejt objektivit strategjik kombëtar të vendit tonë, që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda dekadës.
Në përfundim të postimit Spiropali thotë se Shqipëria do të vazhdojë të jetë promotore e bashkëpunimit rajonal, kontribuese aktive për mbrojtjen e lirisë, sigurisë dhe paqes.
“Një hap tjetër i rëndësishëm drejt objektivit tonë strategjik kombëtar, Shqipëria në BE brenda dekadës. Mbështetur në progresin tonë të pamohueshëm, Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri vendosi sot çeljen e negociatave për grup-kapitullin VI-Marrëdhëniet e jashtme dhe Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes. Shqipëria do të vazhdojë të jetë promotore e bashkëpunimit rajonal, kontribuese aktive për mbrojtjen e lirisë, sigurisë dhe paqes.”-shkruan Spiropali në aplikacionin “X”.