Kryeministri Edi Rama ka takuar sot në Bruksel stafin ushtarak dhe civil të Shqipërisë që punojnë në NATO.
Nga selia e NATO-s në Bruksel Rama mbajti fjalim para stafit ushtarak dhe civil të Shqipërisë në NATO.
Teksa i përgëzoi për punën dhe kontributin e tyre, Rama tha se ata janë përzgjedhur si pjesë e NATO-s pa asnjë kushëri, apo pa asnjë parti.
“Këtu e vetmja parti që i bashkon këto kombe është partia e vlerave të demokracisë, lirisë dhe të një sigurie që garantin këto vlera”, tha kryeminstri para ushtarakëve shqiptarë në NATO.
Edi Rama: Dua të falenderoj vërtetë shumë sinqerisht dhe jo diplomatikisht ambasadorin. Nuk do ma kishte rrokur imagjinata një grup të tillë kaq domethënës dhe në numër, po të kemi parasysh madhësinë e vendit tonë, me vajza, djem, gra dhe burra që këtu në qendrën e NATO-s kontribuojnë qoftë për misionin e Shqipërisë, qoftë dhe për stafin ndërkombëtar të NATO-s, si pjesë të tij.
Kjo padyshim është një arsye krenarie, është një arsye frymëzimi dhe patjetër është edhe një arsye besimi tek kombi ynë, tek shoqëria jonë, tek kapacitetet e vendit tonë përmes një gjenerate që sot është jo vetëm protagoniste në Shqipëri ku ka shkëlqyer realisht në të gjithë procesin jashtëzakonisht kompleks për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por edhe jashtë Shqipërisë ku një sërë prej jush këtu, shkëlqeni pa dyshim si pjesë e stafit ndërkombëtar të NATO-s, ku jeni zgjedhur pa asnjë kushëri, s’besoj se keni gjetur ndonjë kushëri në Finlandë apo në Holandë; pa asnjë parti, se këtu e vetmja parti që i bashkon që të gjithë këto kombe, këto shtete, këto shoqëri, është partia e vlerave të demokracisë, të lirisë dhe të një sigurie që garanton këto vlera. Patjetër që më vjen jashtëzakonisht mirë që në këtë panoramë shoh ushtarakët tanë që siç do të thuhej një herë e një kohë këtu, do të dukeshin si të jashtëm dhe për hir të së vërtetës, ku të shikuarit nga brenda të realitetit të kësaj trupe njerëzish që janë në aktivitet të përditshëm qoftë në marrëdhëniet me BE, qoftë në marrëdhëniet me NATO-n, është një privilegj sepse shikon jo vetëm potencial, por edhe shfrytëzimin real në jetën e përditshme të një potenciali që me vjen mirë që përgjithësisht, tani nuk po i shoh dot në detaj që të gjithë në çdo tipar të portretit, por që nga radha e parë deri tek vajzat në fund, dukeni mirë, dukeni si të jashtëm. Edhe energjia është shumë pozitive e gjithë sallës.
Jam po ashtu dëshmitar që në takimet me kolegë, homologë të vendeve të BE dhe NATO-s gjithmonë e më shpesh dëgjoj fjalë realisht të bukura për ju, për njerëzit që na përfaqësojnë në nivelet e dyta dhe të treta të shtetit shqiptar dhe që përballen me volumin e jashtëzakonshëm të punës së përditshme të këtyre institucioneve ndërkombëtare dhe mund t’i kisha marrë këto fjalë, si fjalë të bukura dhe komplimente të rrethanave të takimeve, por jam shumë i vetëdijshëm që janë fjalë që burojnë nga një përmirësim i vazhdueshëm, bindës dhe mbresëlënës i të gjithë qasjes sonë në raport me ta, por edhe i qasjes së tyre në raport me ne dhe qasja e tyre në raport me ne, patjetër që ka ndryshuar ndjeshëm si rezultat i shumë gjërave që shihen nga larg, por jam i bindur që ka ndryshuar edhe si rezultat i gjithë këtij volumi kontaktesh të drejtpërdrejta me ju dhe me të gjithë ata si ju që në instanca të tjera, përfaqësojnë Shqipërinë, ulen në tryeza diskutimesh dhe mbrojnë argumentet që na bëjnë ne të ecim më përpara.