Parashqevi Simaku është shndërruar në kryefjalën e mediave, dhe jo vetëm ditët e fundit. Pamjet e këngëtares së famshme të viteve ’80, ku pranonte ndihma si e pastrehë në rrugët e New York, tronditën opinionin publik.
Në pak ditë, situata e artistes ndryshoi ndjeshëm pas ndihmës që biznesmeni Elton Ilirjani i dha. Megjithatë, në Tiranë reagimet e miqve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve vijojnë, duke sjellë copëza të kujtimeve që kanë me Parashqevinë.
Nga ana tjetër, thuajse njëzëri kanë kërkuar edhe ndihmën e mbështetjen e shtetit jo vetëm për Parashqevinë, por edhe për artistë të tjerë. Këngëtarja e njohur e atyre viteve, Alida Hisku, në një intervistë ekskluzive dhënë për “Panorama” zbulon se edhe vetë ka vuajtur dramën e emigrimit.
Prej 34 vitesh ajo jeton dhe punon në Gjermani, ku dhe shprehet se ka vrarë ëndrrën për të jetuar si emigrante, duke rrëfyer edhe vështirësitë për të paguar qiranë e banesës. Duke iu rikthyer kujtimeve me Parashqevi Simakun, Alida rrëfen se e kujton si një vajzë të qeshur plot jetë e talent dhe shpreh keqardhjen për pamjet që u transmetuan. Në këtë intervistë, artistja rrëfen se pas videove të shumta që erdhën nga New York-u ka dyshimet se është gjithçka e përgatitur. Megjithatë, Hisku nuk harron të falënderojë shqiptarët për ndihmën që i dhanë Parashqevisë në ditët e saj të vështira.
Si e ka parë Alida gjithçka ka ndodhur me Parashqevi Simakun ditët e fundit dhe si e keni njohur ju atë?
Kur Parashqevia erdhi në festival, mbas dy vitesh mua më hoqën. Pastaj 34 vjet në Gjermani. Më ka ardhur shumë keq që ajo si shumë kolegë dhe artistë të tjerë janë zhdukur nga skena dhe veprimtaria muzikore. Nostalgjia është e madhe, por kujdesi nuk ekziston nga atdheu. E them këtë nga eksperienca ime për të mbijetuar këtu në emigracion dhe për këtë më vjen shumë shumë keq për divën e muzikës Simaku, që e harroi veten, kaq gjatë. I uroj gjithë të mirat në botë, më mirë vonë se kurrë.
E la veten në harresë, apo u harrua nga publiku, Shqipëria?
Harresë do të thotë mosorganizim, mosaktivizim.
Mendoni se publikimi i videove të tilla e rrënojnë disi emrin e madh që Simaku ka lënë në Shqipëri, nga fakti që ajo shfaqet e transformuar?
Unë nuk i pashë me atë sy negativ videot dhe u gëzova për faktin që ajo jeton akoma. Kjo është kryesorja për mua, jeta e njeriut. Më vonë këto video nuk mund t’i shikoja më sepse diçka qëllimisht dhe e përgatitur doli në dukje. Pastaj komentet e ndryshme shumë rrëmujë e madhe në internet në të gjitha anët. Njerëzit u ç’orientuan, dhe të them të drejtën disa ditë nuk kam fjetur natën, kisha një keqardhje të thellë. Jo vetëm si kolege, por si nënë, si motër e si femër.
Thoni video të përgatitura, nga kush dhe për çfarë arsyeje?
Ashtu dukej me videot e njëpasnjëshme, në rrugë, në restorant, në shtëpi e të gjitha brenda 2-3 ditësh??? Ju lumtë atyre në USA që e ndihmuan dhe e sistemuan kaq shpejt mbas 20 vitesh.
Nga aq sa e keni njohur Parashqevinë në ato dy vite, çfarë mbani mend nga bisedat tuaja?
Ajo vinte nga Kavaja e ndrojtur e urtë, e qeshur. Nuk kemi pasur biseda për t’u mbajtur mend se ajo ishte më e vogël se unë. Kishte një buzëqeshje që të tërhiqte, shumë të veçantë. Kam pasur dhe kam gjithmonë vetëm simpati për këtë këngëtare.
I dinit vështirësitë që kishte kaluar në SHBA, ndoshta nga kolegë të tjerë tuaj që mund t’ia u kenë thënë?
Jo, dija që jeton në USA, dhe nuk këndon më, ashtu si shumë kolegë të tjerë të brezit tim që në emigracion nuk ushtrojnë më muzikën. Ashtu si unë.
Për ju, sa i vështirë ka qenë emigrimi?
Jo vetëm për Alidën, por për të gjithë emigrimi është shumë i vështirë e mbi të gjitha kur vjen dhe ke dy fëmijë të vegjël në kurriz.
Keni pasur momente kritike gjatë periudhës suaj në emigrim?
Në emigracion nuk duhet të vish me ëndrra, sepse jeta këtu fillon nga 0 e duhet të jesh shpirtërisht e përgatitur për këtë.
Çfarë kërkon sot Alida nga shteti për artistët e brezit tuaj?
Kërkoj nga shteti që artistët e brezit tim të vlerësohen nga të gjitha anët, me kuptimin e mirë të fjalës, sepse e meritojnë një jetë pa mundime të mëdha. Duke luftuar deri sot për të paguar qiranë e banesës. Brezi im Bio kishte shumë vështirësira, mbajti peshë shpirtin e publikut në kohë të vështirë. E sot, ka nevoje vetëm për vlerësim dhe me respekt. 33 vjeçe e lashë atdheun 34 vite këtu në Gjermani. Kurrë nuk e harrova gjuhën dhe atdheun. Edhe 3 brezat në familjen time u kam mësuar shqipen për respekt të rrënjëve të tyre. Panorama