Qeveria shqiptare është vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë këngëtares Parashqevi Simaku.
Burime pranë Këshillit të Ministrave i thanë Report TV, se për të ndjekur këtë rast, është ngarkuar Taulant Balla, i cili mban edhe një rol koordinues për diasporën.
Siç mësohet, ministri i Shtetit dhe për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla, dhe stafi diplomatik në Nju Jork të SHBA-ve, janë angazhuar për të siguruar dokumente identifikuese për artisten, e cila nuk dispononte asnjë të tillë pas viteve të fundit që i kishte kaluar në gjendje të rënduar.
Burimet pohojnë se në konsullatën shqiptare në Nju Jork është zhvilluar një takim, i cili ka pasur për qëllim ta ndihmojë këngëtaren në dy drejtime: ta pajisë me një pasaportë shqiptare dhe të ndërmjetësojë me shtetin amerikan, për të kuptuar nëse ka dokumentacion që mund të rifreskohet, apo të niset ndonjë procedurë e re për ta pajisur si me dokumente identifikimi, ashtu edhe qëndrimi.
Gjithsesi, sipas informacioneve, ende ky proces është në fazë fillestare dhe nuk ka ndonjë sukses konkret, i cili do të varet specifikisht nga vullneti i Parashqevi Simakut për t’iu përgjigjur autoriteteve shqiptare apo amerikane, kur ato ta kërkojnë në funksion të këtyre procedurave.