Një atentat mafioz tronditi vendin mbrëmjen e së mërkurës (18 Dhjetor).
Ndaj 30-vjeçarit Kejvin Hajrulla u qëllua me breshëri plumbash në lagjen “Cole” teksa udhëtonte me një automjet tip Benz.
I riu ka marrë plumba të shumtë në trup dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. I plagosur ka mbetur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu. Ky i fundit mësohet se ka marrë vetëm një plumb dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë është gjetur duke u djegur në fshatin Panaja, automjeti tip “KIA” që u përdor nga atentatorët.
Brenda në automjetin e shkrumbuar krejtësisht nga flakët janë gjetur dy armë zjarri.
Pas këqyrjes paraprake nga grupi hetimor, automjeti i autorëve është transportuar për në komisariatin e Vlorës ku edhe do t’i nënshtrohet ekspertizës për mbledhjen e provave të mundshme të autorëve.
Mësohet se shënjestra e atentatit nuk ka qenë person me precedentë të mëparshëm penalë.