Kevin Hajrulla, i cili mbeti i plagosur rëndë pas një atentati ndaj tij, është dërguar në Spitalin e Traumës.
Burime mediatike bëjnë me dije se i riu është transportuar te Trauma në Tiranë rreth orës 02:15 të 19 dhjetorit, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Ndaj Kevin Hajrulla është qëlluar me të paktën 30 plumba. Nga breshëria e kallashit mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu 35 vjeç, tregtar shumice i fruta perimeve. Fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa 30-vjeçari po lufton për jetën pasi ka marrë plagë të shumta në trup e në bark.
Sipas dëshmitarëve okularë, momenti pas të shtënave ishte kaotik. Nga pamjet e bëra publike në media, shihet se si i plagosuri Kevin Hajrulla, i mbuluar me gjak dhe në gjendje të rënduar, futet me vështirësi në një makinë nga të afërmit që përpiqeshin ta transportonin drejt spitalit. Dëgjohet zëri i një personi që thotë: “Iku ore, iku”.
Raportohet se 30-vjeçari Kevin Hajrulla është kushëriri i Inez Hajrulla, i njohur ndryshe si “i forti i Vlorës”.
Një dëshmitar ka rrëfyer momentin e panikut teksa janë dëgjuar të shtënat me armë në qytetin e Vlorës.
Qytetari rrëfen se është shtrirë menjëherë në tokë sapo ka dëgjuar të shtënat. Ai thotë se nuk ka parë asgjë, madje në atë moment po shikonte televizor dhe sapo ka dëgjuar krismat është shtrirë barkas.
“Sa dëgjova një të shtënë u shtriva. S’pash asgjë. Unë isha duke parë televizor dhe në moment sa dëgjova krismat u shtriva barkas”, është shprehur dëshmitari.