BallinaTe tjera“Trupi Mehmet Shehut ndodhej i shtrirë në krevatin e dhomës së gjumit...

“Trupi Mehmet Shehut ndodhej i shtrirë në krevatin e dhomës së gjumit dhe në krahun e djathtë, një pistoletë, por…”- Zbulohen dokumentet dhe fotot e panjohura të ish-kryeministrit

spot_img
spot_img

Nga Dashnor Kaloçi/ Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra  dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Mehmet-Shehu-i-vetevrar2

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.

Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Mehmet-Shehu-i-vetevrare.-1981-6

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBIKËQYRJES SË VENDIT TË NGJARJES MBI VDEKJEN E MEHMET SHEHUT, NGA HETUESI KOÇO JOSIFI, EKSPERTI KRIMINALIST ESTREF MYFTARI, EKSPERTËT MJEKO-LIGJOR, DOC. BASHKIM ÇUBERI E DR. FATOS HARITO DHE DËSHMITARËT E PRANISHËM, ALI ÇENO E MILTO KOSTAQI

Përshkrimi i kufomës:

Koka me flokë të thinjur, mesatarisht të shkurtra, në ballë dhe prapa, pak të rëna, sy të mbyllur, mban syze optike me skelet metalik, bebet e syve të zgjeruara të barabarta, e bardha e syve dhe korniaktivat të zbehta, nga goja, hundët dhe veshët, nuk ka sekrecione. Mban veshur një këmishë të bardhë puplina, dhe një kanotiere të bardhë me mëngë të gjata, tre pullat e sipërme të këmishës, janë të zbërthyera, mëngët e këmishës janë të zbërthyera, kanatjerja ka tre pulla, dy të sipërmet, janë të zbërthyera, në kyçin e dorës së majtë, mban një orë me fushë të bardhë, akrepat të verdhë me sekonda-metër, tregues date, rrip lëkure, kafe të errët, sahati vazhdon të punojë.

Në pjesën e poshtme të trupit, mban veshur një palë pizhame ngjyrë krem të çelur, të pa mbërthyera në pjesën e sipërme. Në anën e majtë të këmishës, 14 cm., nën qepjen e jakës së këmishës dhe 9 cm., majtas buzës së vrimave të kopsave, shihet një dëmtim i çarë në formë kryqi, me përmasat; 3 x 2.3 cm., buzët e dëmtimit kanë ngjyrë të errët, veçanërisht me e theksuar në pjesën e sipërme, rreth e përqark materiali i këmishës, zë vendin e mësipërm, paraqitet me nuancë të errët në një zonë që shtrohet nga e djathta në lartësinë 1.1 cm., nga ana e majtë, 1 cm., sipër dhe poshtë 05 cm., deri në 08 cm.

Poshtë këtij dëmtimi të këmishës, në distancë 1.cm., fillon një njollë me ngjyrë të kuqe, me trajtë të çrregullt, me përmasat 5.3 x 4 cm. Në anën e majtë të kanatieres dhe pikërisht 12 cm., poshtë jakës dhe 10 cm., larg hapjes së gjoksit, shihet një dëmtim me trajtë, pothuaj të rrumbullakët dhe me diametër 1.4 cm., buzët e dëmtimit paraqiten në ngjyrë të errët. Rreth e përqark dëmtimit, në një masë rreth 1 cm., ka një hematomë gri. 2 cm., poshtë dëmtimit, fillon një njollë ngjyrë të kuqe, me përmasa 7 x 6.5 cm., me trajtë të çrregullt.

Në pjesën e pasme të këmishës, afërsisht vijës së mesit 37 cm., ku ndodhen qepjet e jakës, duket një dëmtim me trajtë gati të rrumbullakët, me diametër 0.6 cm, rreth këtij dëmtimi ka një njollë të madhe me ngjyrë të kuqe që fillon 12 cm. sipër saj në trajtë vizash të fshira, ndërsa poshtë zgjerohet deri në 12 cm., dhe ka në gjithë këmishën, duke u shtrirë deri në fund, 30 cm. Në pjesën e pasme të kanatjeres, 26 cm., nën qepjen e jakës, afërsisht në mesin e saj, duket një dëmtim në formë gati të rrumbullakët, me diametër, 0.6 cm., me buzë të përveshura nga jashtë.

Qafa simetrike, kraharori simetrik, me trajtë cilindrike, brinjët në prekje nuk paraqesin thyerje, dëmtim. Barku në një nivel, me dërrasën e kraharorit. Gjashtë cm. nën kërthizë, duke një vraje operatore, vijoze, me gjatësi 12 cm., organet të rregullta (……………………..). Gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, pa deformime dhe dëmtime. Në thoin e gishtit të madh të dorës së djathtë, dhe 2 deri në 3 cm., majtas thoit, vërehen dy njolla blu të errët, që nuk fshihen. Në anën e majtë të kraharorit, 6.3 cm., nga vija e mesit, 3 cm. mbi nivelin e thithës dhe 10.5 cm. poshtë klavikulës, ndihet një defekt i indeve të buta, në trajtë vezake dhe me përmasa 1.2 x 1.1 cm.

Rreth buzëve të dëmtimit, vërehet unaza e dërrmishjes me gjerësi rreth 2.5 cm., në tentativë për të bashkuar buzët, vërehet ninus lëkura rreth e përqark dëmtimit, e pastër. Në anën e majtë të shpinës, pikërisht 7.5 cm., nën këndin e shpatullës dhe 5 cm. nga vija e mesit, shihet një dëmtim i indeve të buta, gati i rrumbullakët me diametër 0.6 cm., njolla kufomore, janë të shprehura në pjesën e pasme dhe anësore të trupit, me ngjyrë mavi dhe me trajtë të çrregullt, të cilat gjatë shtypjes me gisht, duken pjesërisht dhe me largimin e gishtit, marrin ngjyrë me vonesë. Shtangësia kufomore e zhvilluar mirë në të gjithë grupet e muskujve.

Mbas lëvizjes së kufomës, konstatohen në jastëkun e sipërm, në bazën e tij, të poshtme, gati në mes, një vrimë depërtonjëse, me diametër 0.5 cm., nga sipër përreth vrimës, është një njollë në ngjyrë të kuqe të errët, 3 x 3 cm. Në jastëkun e poshtëm, në korrespodencë me të cilën dallohet një vrimë depërtuese, me të cilën, dallohet një vrimë depërtuese me diametër 5 mm., në pjesën e sipërme të së cilës, 4 cm. majtas, është një njollë me ngjyrë të kuqe të errët, 1 x 1 cm. Në batanijen e palosur, në tetë pjesë, në buzën e poshtme, gati në mesin e saj, dallohet një vrimë depërtuese, me diametër 0.5 cm. Në çarçaf, ngulur në dyshek 43 cm., nga ana e majtë, dhe 23 cm., nga kreu, gjendet një pistoletë e kalibrit 9 mm., e cila merret si provë materiale.

Poshtë krevatit, është një urinore plastike, dhe një letër ambalazhi, e zhubrosur. Në krahun e majtë të krevatit, në dysheme, ndodhen një palë këpucë me qafa dhe një palë pantofla ngjyrë të zezë, prej meshini. Pranë pasqyrës, 50 cm. larg nga faqja jugore e murit të dhomës, gjendet një mbajtëse rrobash, ku janë të vendosura rregullisht, një kostum stofi me ngjyrë të zezë, një jelek po prej stofi të zi, një kravatë ngjyrë vishnje me pika, një xhaketë pizhame, një palë mbathje të gjata. Mbi njërin nga kolltukët, ndodhet një batanije, një jastëk dhe brez leshi, një ropdishan në ngjyrë kafe.

Mbi tavolinën e vogël ndodhet një çantë lëkure e zezë, 30 x 40 cm., e cila nuk u hap nga neve. Nga ana jonë kufomës iu morën rregullisht, shenjat e gishtërinjve të dy duarve. Këqyrja e vendit të ngjarjes, u bë me dritë artificiale dhe filloi në orën 9 e 30 minuta dhe mbaroi në orën 13.00. temperatura e dhomës 25 gradë.

Proces-verbali mbyllet dhe firmoset nga të pranishmit.

Mehmet-Shehu-i-vetevrare.-1981-5

INSPEKTORI KRIMINAL                                                           HETUESI

 ESTREF MYFTARI                                                                     KOÇO JOSIFI

                                   EKSPERTËT MJEKO-LIGJOR

              DR. BASHKIM ÇUBERI     DR. FATOS HARITO

DËSHMITARËT E PRANISHËM

                       ALI ÇENO              MILTO KOSTAQI

DOKUMENTI ARKIVOR ME VENDIMIN PËR EKZAMINIMIN MJEKO-LIGJOR TË KUFOMËS SË QYTETARIT MEHMET ISMAIL SHEHU, NGA ANA E KRYETARIT TË DEGËS SË HETUESISË SË DREJTORISË SË BRENDSHME TË TIRANËS, KOÇO JOSIFI

VENDIM MBI EKZAMINIMIN MJEKO-LIGJOR

Në Tiranë më 18.2.1981

Unë, Koço Jsifi, kryetar i Degës së Hetuesisë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, mbasi studiova materialet e mbledhura në çështjen që i përket vetëvrasjes së qytetarit Mehmet Ismail Shehu:

                            K O N S T A T O V A

Më datën 18.12.1981, rreth orës 8.00, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit, qytetari Mehmet Ismail Shehu, i cili kishte vrarë veten me armë zjarri.

Për të përcaktuar dëmet e shkaktuara, distancën e qitjes me armë zjarri dhe pozicionin e këtij dëmtimi.

Në mbështetje të nenit 25, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë:

                                                       V E N D O S A

Për përcaktimin dhe dhënieve e konkluzioneve për sa përshkruaj më sipër, të caktojë ekspertë mjeko-ligjorë, Doc. Bashkim Çyberi dhe mjekun Fatos Harito.

Para ekspertëve shtroj për zgjidhje këto pyetje:

  1. Çfarë dëmtimesh konstatohen në trupin e qytetarit Mehmet Ismail Shehu dhe me çfarë mjeti janë shkaktuar ato?
  2. Në rast se janë shkaktuar me armë zjarri, të përcaktohet distance dhe drejtimi i qitjes?
  3. Të përcaktohet shkaku i vdekjes dhe koha në të cilën ka ndodhur vdekja.
admin-ajax-1-1

            KRYETARI I DEGËS SË HETUESISË

                          KOÇO JOSIFI

DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORTIN E EKZAMINIMIT MJEKO-LIGJOR TË KUFOMËS SË QYTETARIT MEHMET ISMAIL SHEHU, NGA ANA EKSPERTËVE MJEKO-LIGJOR DR. FATOS HARITO DHE DOCENT BASHKIM ÇUBERI 

                              AKT MJEKO-LIGJOR NR. 133 

MBI EKZAMINIMIN E KUFOMËS SË QYTETARIT MEHMET SHEHU

Sot me datën 18.12.1981, ne ekspertët mjeko-ligjorë, Doc. Bashkim Çuberi dhe Dr. Fatos Harito, në bazë të vendimit datë 18.12.1981, të kryetarit të degës së Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, shokut Koço Josifi, bëmë këqyrjen e jashtme të kufomës së qytetarit Mehmet Ismail Shehu, lindur më 10 janar 1913 në fshatin Çorush të rrethit të Fierit, dhe banues në Lagjen Nr. 8 të qytetit të Tiranës.

Ekzaminimi u krye me qëllim për t’i dhënë zgjidhje pyetjeve të parashtruara në vendimin e ekspertimit:

  1. Çfarë dëmtimesh konstatohen në trupin e kufomës së qytetarit, Mehmet Ismail Shehu dhe me çfarë mjeti janë shkaktuar ato?
  2. Në rast s ejanë shkaktuar me armë zjarri, të përcaktohet distance dhe drejtimi i qitjes?
  3. Të përcaktohet shkaku i vdekjes dhe koha në të cilën ka ndodhur ajo?

RRETHANAT E ÇËSHTJES:

Në mëngjesin e datës 18.10.1981, është gjetur i vdekur në banesën e tij, qytetari Mehmet Shehu. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, midis të tjerash është konstatuar se trupi i tij, ndodhej i shtrirë në krevatin e dhomës së gjumit, i mbuluar me çarçaf dhe batanije, deri në nivelin e qafës, dhe në krahun e djathtë të tij, ndodhej një pistoletë. Në krahun e majtë të shtratit u pa një gëzhojë.

KËQYRJA E JASHTME E KUFOMËS:

Kufoma e seksit mashkull, me moshë në dukje rreth 70 vjeç, me konstrukt trupor të rregullt, i ushqyer mesatarisht. Njollat kufomore të shprehura në pjesën e pasme dhe anësore të trupit, në ngjyrë mavi, të përhapura në trajtë të çrregullt, të cilat gjatë shtypjes me gisht, zhduken pjesërisht dhe me largimin e gishtit, e rimarrin ngjyrën me vonesë.

Kufoma mban të veshur një këmishë të bardhë puplin, kanatjere të bardhë pambuku me mëngë të gjata dhe një palë pantallona pizhame me ngjyrë kremi.

Koka e rregullt, e mbuluar me flokë të thinjura, mesatarisht të shkurtra, në ballë dhe mbrapa, pjesërisht të rëna. Mbas heqjes së syzeve optike, me skilet metalik, u pa se sytë ishin të mbyllura, kokërdhokët e vendosura në boshtin qendror, kornetë e tejdukshme, bebet e syve të zgjeruara në mënyrë të barabartë, aklerat dhe konjuktivat, të zbehta.

Goja e mbyllur, dhëmbët e rregullt, gjuha e vendosur pas tyre. Nga vrimat e hundës, veshëve dhe gojës, nuk dalin sekrecione. Qafa në trajtë cilindrike, me gjatësi konform asaj të trupit. Kafazi i kraharorit, cilindrik, simetrik, brinjët në prekje nuk japin shenja dëmtimi. Barku me një nivel me kafazin e kraharorit.

Në vijën e mesit të barkut, 6 cm. mes kërthizës, shifet një vraje vijore, (pas një ndërhyrje kirurgjikale të vjetër), me ngjyrë gri dhe me gjatësi rreth 12 cm. Në kuadratin poshtme të anës së djathtë të barkut, gjendet edhe një vraje tjetër, me drejtim të pjerrët dhe gjatësi 8 cm. Gjymtyrët e sipërm dhe të poshtëm, pa deformime dhe anomalira. Në anën e majtë të këmishës, rreth 14 cm. nën qepjen e jakës dhe 5 cm nga buza e vrimave të kopsave, shihet një dëmtim në trajtë kryqi, me përmasa 3 x 2.3 cm.

Buzët e dëmtimit paraqiten me ngjyrë të errët, e cila është më e theksuar në pjesën e sipërme dhe të majtë të tij. Këmisha rreth e përqark dëmtimit, paraqitet me nuancë të errët, me një zonë që shtrihet nga e djathta, në largësi 1 x 1.1 cm., nga buzët e dëmtimit, nga e majta 1 cm., ndërsa sipër dhe poshtë, 0.5 deri 0.8 cm. Në pjesën e poshtme të këtij dëmtimi, këmisha është e njollosur me gjak. Kanatjerja në anën e majtë të saj, dhe pikërisht 12 cm. poshtë jakës dhe 10 cm. nga buza e vrimave e të kopsave, paraqet një dëmtim në trajtë pothuaj të rrumbullakët dhe me diametër 1.4 cm.

Buzët e këtij dëmtimi kanë ngjyrë të errët dhe rreth e përqark tij shihet një unazë e errët me gjatësi rreth 1. cm. Në pjesën e pasme të kanatjeres, 20 cm. ndan qepjes së jakës, dhe para vijës së mesit, vërehet një dëmtim tjetër, në trajtë pothuaj të rrumbullakët, me diametër 0.6 cm. dhe me buzë të përveshur nga jashtë. Në anën e majtë të kraharorit, konkretisht 3 cm. mbi nivelin e thithës, 6 cm. nga vija e mesit dhe 10.5 cm. poshtë klavikulës, shihet një dëmtim i indeve të buta në trajtë vezake dhe me përmasa 1.2 x 1.1 cm.

Rreth buzëve të dëmtimit, vërehet edhe një unazë në ngjyrë gri të errët dhe me gjatësi 2.5 cm. Në tentativë për të afruar buzët e plagës, mbetet minus ind. Lëkura rreth e përqark këtij dëmtimi, nuk paraqet gjurma të depozitimit të faktorëve plotësues. Në shpinë, 5 cm. majtas vijës së mesit dhe 7.5 cm. nën këndin e shpatullës, duket një dëmtim i indeve të buta, pothuaj i rrumbullakët dhe me diametër 0.6 cm. Nga të dy plagët, ka dalë gjak që ka ndotur teshat dhe shtresat e shtratit.

Dora e djathtë e mbledhur grusht dhe me gishtin tregues më afër pëllëmbës. Në thoin e gishtit tregues të kësaj dore dhe 2-3 mm në lëkurë afër tij, ndodhen disa pika të errëta ngjyrë blu të errët (gjurmë të veprimit të copave të barutit), që nuk zhduken me lehtësi gjatë kruarjes. Gjatë këqyrjes së jashtme të kufomës, me përjashtim të destineve të paramenduara, nuk u vu re ndonjë destin tjetër. Memorie.al

38
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular