SPAK feston 5-vjetrin e krijimit.
Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë fjalës së tij u shpreh se Prokuroria e Posaçme ka treguar që korrupsioni sfidohet. Ndër të tjera ai tha se misioni i SPAK nuk është të dënojë, por të zbatojë ligjin.
“Pesë vjet më parë, shoqëria shqiptare vendosi të hedhë me besim hapin vendimtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prokuroria e Posaçme u krijua për të treguar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij.
SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar mbi 182 milionë euro asete, të siguruara përmes mjeteve të paligjshme. Drejtësia nuk njeh anë dhe kahe; nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen. Janë proceduar 61 zyrtarë të lartë për korrupsion, nga të cilët 70% janë dërguar në gjykim. Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim. Në fushën e terrorizmit, janë proceduar 29 persona nga ku 100% e tyre janë dërguar në gjykim. Në këto pesë vite kemi ndëshkuar zyrtarë të lartë të te gjitha niveleve dhe kemi treguar se korrupsioni sfidohet, krimi i organizuar vihet përpara përgjegjësisë, dhe askush nuk është mbi ligjin. Ne jemi krenarë për kontributin tonë në lehtësimin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, duke ruajtur standardet evropiane të zbatimit të ligjit. Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës. Ne jemi këtu për të garantuar një sistem drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa e vuajtje për të tjerët.
Jemi përballur me përpjekje për të minuar punën tonë, me fyerje, shpifje kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë, por përballë tyre jemi mbledhur bashkë si një trupë e vetme kolegësh, kemi kuptuar e rëndësishme është pavarësia e institucionit ku ushtrojmë detyrën dhe sa e vyer është integriteti gjithsecilit nga ne, nëse dikush mendon ndryshe, gaboheni.
Shpreh mirënjohjen për partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilët qëndrojnë krah për krah me ne, duke mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit për hetimet tona të përbashkëta. Korrupsioni dhe krimi nuk mund të zhduken brenda ditës. Por përballë çdo kërcënimi dhe vështirësie, ne qëndrojmë të bashkuar, me një integritet të palëkundur profesional dhe personal. Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Aspirata jonë e përbashkët është të kemi një sistem drejtësie të fortë që u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë. Nëse dikush mendon se drejtësia është e njëanshme, gabohen. Ne veprojmë bazuar në ligj dhe duke respektuar të drejtat e njeriut. Në këto pesë vite kemi mësuar se rruga jonë është sfiduese, por ajo është gjithashtu një detyrë jetike për të ardhmen e brezave që vijnë.
Falënderimi ynë shkon jo vetëm për prokurorët, hetuesit dhe partnerët ndërkombëtarë por veçanërisht për familjarët tanë, që kanë duruar mungesën tonë dhe na kanë mbështetur pavarësisht sfidave. Suksesi i SPAK nuk do të kishte kuptim pa këtë mbështetje.”, u shpreh Dumani.