“Golat e Arnautoviçit dhe Asllanit janë një sinjal shumë i rëndësishëm për mua dhe për të gjithë grupin”. Kështu e nis analizën e tij për “Sportmediaset” trajneri Simone Inzagi.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme që duhet ta fitonim patjetër. Kur unë them që kam 25 titullarë, është sepse e mendoj vërtet. Pastaj duhet të bëj disa zgjedhje për të mirën e Interit. Kemi bërë një ndeshje serioze sepse kishim shumë për të humbur. E rëndësishme është që e interpretuam ashtu siç duhet”, tha fillimisht trajneri.
Eliminimi i vitit të kaluar shërbeu si një mësim? E kemi thënë që në fillimin e sezonit. E dimë që ka shumë vështirësi, por kam fatin që po punoj me një grup djemsh të jashtëzakonshëm dhe duhet të vazhdojmë kështu. Për 4 ditë kemi ndeshje sërish dhe në 28 po ashtu. Kemi edhe Superkupën, por po marr sinjale pozitive.
Sa e rëndësishme është të ndryshosh kaq shumë lojtarë, por jo lojën? Jemi duke u përmirësuar nga dita në ditë. Të hënën kemi fituar një ndeshje të madhe, por e analizova sepse mund të bënim më mirë. Sot kishim një rival me vlera dhe bëra 8 zëvendësime. Në fushë nuk ranë në sy. Udineze kishte mesfushën që luajti në kampionat. Skuadra ime ishte e përqendruar deri në fund.
Sa i lumtur jeni me përgjigjet në fushë nisur nga fakti që Atalanta dhe Napoli po bëjnë mirë? Ne jemi duke vrapuar, por të njëjtën gjë po bëjnë edhe skuadrat e tjera. Është një kampionat i hapur dhe jo si ai i viteve të fundit ku një apo dy ekipe kanë dominuar. Dëshira ime është që t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion. Kemi disa probleme mbrapa sepse prej një muaji mungojnë Pavar dhe Açerbi. Kërkova një sakrificë nga Bastoni dhe Bisek. Të gjithë po japin garanci.
Në golin e parë dy sulmuesit kanë lëvizur në stërvitje, apo ishte instikt? U treguan të zotët. Nuk ka asgjë për skemë sepse Taremi e shpiku asistin. Arna bëri një lëvizje të zgjuar dhe kjo nuk mësohet në stërvitje. Janë lojtarë me eksperiencë dhe nuk befasohen. Të gjithë sulmuesit duhet të vazhdojnë kështu.