Pavarësisht ritmeve të rritjes së kredidhënies, kredia për sektorin privat është relativisht e ulët në krahasim me vendet homologe të rajonit, gjë që tregon potencial të pashfrytëzuar në mbështetjen e bizneseve dhe individëve.
Kjo u vu në dukje dje në takimin që guvernatori i Bankës së Shqipërisë realizoi me Shoqatën Shqiptare të Bankave, duke marrë në konsideratë specifikat e ekonomisë shqiptare. Sipas Sejkos, rëndësi të veçantë ka sektori i biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, si segmenti kryesor i bizneseve aktive në Shqipëri. Normalizimi i kujdesshëm i politikës monetare ka mundësuar stabilizimin e inflacionit, pa dëmtuar trendin e rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit. Në këto zhvillime, sistemi bankar qëndron në qendër, duke luajtur një rol vendimtar në transmetimin e këtyre politikave. Sikurse e kam theksuar dhe herë të tjera, zhvillimet edhe gjatë vitit që po lëmë pas, i kanë mundësuar Shqipërisë të ketë – njëkohësisht – një ndër normat më të ulëta të inflacionit, një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, si dhe një ambient financiar stimulues dhe një rritje të shpejtë të kreditimit.
ECURIA EKONOMIKE
Gjatë vitit 2024, ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej rreth 4%, duke gjeneruar më shumë punësim, paga më të larta dhe më shumë të ardhura për familjet dhe bizneset. Këto të fundit u mbështetën dhe nga ulja e inflacionit, i cili ra në 2.2%, duke u përgjysmuar krahasuar me një vit më parë, dhe kontribuuar në lehtësimin e barrës së kostove për ekonominë familjare dhe atë të biznesit. Paralelisht me to, treguesit kryesorë financiarë dhe ekonomikë shënuan përmirësime të dukshme. Kështu, borxhi publik dhe ai i jashtëm ranë në nivelet më të ulëta të më shumë se një dekade, bilancet financiare të familjeve dhe bizneseve mbetën solide, ndërsa sektori bankar vazhdoi të konsolidojë rolin e tij si një ndërmjetës financiar efektiv. Ambienti financiar me norma të ulëta interesi, së bashku me qasjen proaktive të bankave ndaj kreditimit, nxiti një rritje të fortë të kredisë, e cila rezultoi rreth 16% më e lartë se në vitin 2023, duke dhënë një mbështetje të rëndësishme për aktivitetin ekonomik. Kjo tablo ekonomike pozitive është certifikuar edhe nga dy agjencitë prestigjioze të vlerësimit të borxhit, Moody’s dhe Standard and Poor’s, të cilat kanë përmirësuar renditjen e rrezikut të borxhit sovran të Shqipërisë. Ky është një zhvillim pozitiv, si për sektorin real dhe për atë financiar, pasi ul rrezikun e perceptuar në tregjet e huaja dhe kostot e financimit në të. Përfitoj nga rasti të theksoj se sektori bankar, krahas përpjekjeve të dukshme në drejtim të mbështetjes ekonomike, ka një rol të padiskutueshëm dhe vendimtar në ruajtjen e stabilitetit e shëndetit financiar.
FINANCAT
Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024, pesha e aktiveve të sistemit financiar ndaj PBBsë u rrit në terma vjetorë në 92%. Pothuajse të gjitha segmentet e sistemit financiar kanë raportuar rritje të aktiveve të tyre gjatë periudhës. Brenda sistemit financiar, sektori bankar vijon të mbizotërojë me gati 91% të totalit të aktiveve. Qëndrueshmëria e sektorit bankar, sa i përket kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, konsiderohet pozitive. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (RMK) të tij, shënoi nivelin 20.2% dhe mbetet dukshëm mbi minimumin rregullator. Po ashtu, Banka e Shqipërisë vijon të monitorojë periodikisht e në mënyrë të rregullt përmbushjen e shtesave makroprudenciale të kapitalit dhe kërkesat minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara në zbatim të ligjit për “Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”. Rezultatet e provës së rezistencës dhe ushtrimet e stres-testeve për horizontin 2024–2026 tregojnë se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të mundshme makroekonomike.
SEKTORI BANKAR
Rezultati neto i sektorit bankar në fund të tetorit 2024 ishte dukshëm më i lartë krahasuar me atë të së njëjtës periudhe të vitit 2023. Bilanci i bankave u rrit me 6% vit më vit deri në fund të tetorit ‘24. Burimi kryesor i financimit të bankave mbeten depozitat e klientëve, të cilat në fund të tetorit ‘24 shënuan vlerën 1,652 miliardë lekë dhe u rritën me 5.3% në terma vjetorë. Nga ana tjetër, teprica e kredisë është 811 miliardë lekë, duke u rritur me 11.2% krahasuar me nivelin e raportuar nga bankat në fund të tetorit ’23, ndërsa rritja mesatare vjetore e stokut të tepricës së kredisë për periudhën janar-tetor ’24 ishte 14.5%.
Cilësia e kredive të bankave dëshmon përmirësim, ku raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredive (NPL) u zvogëlua në 4.6%. Pozicioni i likuiditetit të sektorit bankar mbetet në nivele të kënaqshme dhe po ashtu dhe ekspozimi ndaj rreziqeve të tregut. Muajin e kaluar arritëm të finalizojmë aderimin tonë në SEPA (Single Euro Payments Area), duke shënuar një tjetër sukses në përpjekjet tona të pesëvjeçarit të fundit në drejtim të modernizimit të sistemit të pagesave, si pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor të pranuara në këtë zonë. Kjo iniciativë evropiane thjeshton dhe harmonizon pagesat në Euro për vendet pjesëmarrëse. Për bankat shqiptare, SEPA përfaqëson një kuadër të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit të pagesave ndërkufitare dhe integrimin në sistemin financiar evropian, çka përkthehet në transaksione më të shpejta dhe me kosto më efektive në Euro për klientët tuaj, biznese dhe individë